Reforma territoriale/ Zbardhet rezoluta e PD-së për reformën territoriale: Çfarë propozohet për ndarjen e re, tre prioritetet

0
314

Gëzim Saliu

basha reforma territorialePlatformë rezoluta e PD-së do dorëzohet te komisioni i posaçëm për reformën, pjesë e saj qëndrimet e shoqatës së bashkive e komunave. Parësor decentralizimi dhe autonomia vendore

Pas dy takimeve publike me synim kryesor thithjen e ideve dhe mendimeve të shoqatave të bashkive dhe komunave për ndarjen e re administrative territoriale të vendit, Partia Demokratike ka nisur hartimin e rezolutës, që do të përbëjë thelbin e alternativës së saj për këtë reformë. Në rezolutën që do të bëhet publike në 2 korrik, burimet pranë selisë blu bën të ditur se prioritet parësor do të kenë dy aspekte: autonomia dhe decentralizimi i pushtetit vendor. Duke vënë theksin jo tek harta e ndarjes së re territoriale të vendit, por pikërisht tek këto dy aspekte, PD do të përfshijë në rezolutën e saj edhe qëndrimin e shoqatës së bashkive dhe komunave si dhe të projekteve të bëra publike tashmë për ndarjen e re, ku idetë e tyre sipas të djathtëve, nuk u morën aspak parasysh nga mazhoranca kur miratoi draftin.

 

Platformë rezolutë

Partia Demokratike ka zgjedhur të paraqesë një platformë rezolutë lidhur me reformën territoriale, kjo me arsyen e qartë se për demokratët nuk ka rëndësi parësore harta e re e ndarjes së njësive vendore por se thellimi i autonomisë dhe decentralizimi i pushtetit vendor. Kjo formulë e cila u bë e ditur nga gazeta para takimit të dytë të shoqatës së bashkive dhe komunave, , synon që në thelb të reformës të jetë përmirësimi i shërbimit të qytetarëve. Kështu sipas demokratëve, njësitë vendore do të jenë më efiçente me kompetenca më të mëdha si edhe mbështetje financiare nga pushteti qendror. Në këtë kontekst burimet pranë selisë blu bënë të ditur se demokratët do të propozojnë një numër më të madh njësish vendore sesa varianti që ka zgjedhur mazhoranca, sipas të cilit vendi do të ketë jo më pak se 39 njësi, por jo më shumë se 47 të tilla. Sipas PD-së, faktet dhe argumentet në kohë nuk flasin në favor të njësive të mëdha, por se performanca më e mirë është tek organet e qeverisjes vendore që kanë kompetenca të gjera e parime kryesore transaprencën e llogaridhënien. Në këto kushte, opozita pohon se drafti i miratuar nga mazhoranca për ndarjen e re nuk përmban asnjë nga këto elemente dhe se është thellësisht elektoral. Nisur nga kjo, përmes rezolutës, PD do të kërkojë nga mazhoranca që të heqë dorë nga drafti aktual, duke kërkuar përfshirjen e propozimeve të komunitetit dhe grupeve të interesit. Po ashtu demokratët do të kërkojnë që parësor në këtë proces të jetë elementi administrativ e më pas të ndjekë ai territorial, gjë që do të thotë që fillimisht të parashikohen në draft, reformat që prekin decentralizimin e pushtetit vendor dhe shërbimin e këtij pushteti tek qytetarët e më pas mbi bazën e këtyre aspekteve të ndërtohet harta e re territoriale e vendit. Gjithashtu një kërkesë tashmë e bërë publike nga opozita për të majtët është edhe ajo për konsensus deri në votimin në kuvend të reformës territoriale, pasi sipas demokratëve duke kujtuar rastin e 2008-ës, për reformë të mëdha palët gjithmonë kanë vepruar në këtë formë. Platformë rezoluta e PD-së për reformën territoriale do të zyrtarizohet më 2 korrik në një takim ku do të marrin pjesë të zgjedhur vendorë, kryetarë bashkish dhe komunash si edhe përfaqësuesit e grupeve të interesit e komunitetit. E ndërsa Kuvendi mori vendimin pak ditë më parë për të shtyrë deri më 31 korrik reformën territoriale e opozita të paraqesë rezolutën e saj, pritet se cili do të jetë qëndrimi i mazhorancës ndaj propozimit, nga i cili do të varet më tej edhe konsensusi politik mes palëve.

 

Çfarë përmban platformë rezoluta e PD-së

1-Decentralizim dhe autonomi vendore para ndërtimit të hartës së re për ndarjen territoriale

2-Përfshirje e propozimeve të grupeve të interesit dhe komunitetit

3- Propozim për shtimin e numrit të njësive më shumë se sa parashikohet në draftin e mazhorancës

4- Kërkesën për votimin me konsensus në Parlament të produktit final të reformës

5- Drafti i mazhorancës cilësohet si elektoral dhe me ndikime në favor të së majtës për zgjedhjet

 

 

Tryeza e dytë për territorialen/ Përfundimet: Decentralizim për zhvillim ekonomik e social

Shoqatat e të zgjedhurve vendorë organizoi tre ditë më parë seancën e dytë të konferencës, “Decentralizimi dhe reforma territoriale”, në një takim të hapur ku morën pjesë dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha dhe përfaqësues të mazhorancës, Bashkim Fino dhe Petrit Vasili. Në këtë takim u propozuan projektet e katër organizatave të pavarura, ku konkluzion kryesor ishte se nevojitej reforma e decentralizimit, për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.

 

Fondet dhe investimet, krahasimi i Bashës mes pushtetit vendor dhe qendror

“Pushteti vendor në pikët e tij maksimale ka përdorur 2.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por i ka përdorur 50% të kësaj shume për investime, ndërkohë që qeverisja qendrore, e majtë apo e djathtë, ka përdorur midis 25 deri në 35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por ka arritur në maksimumin e vet në 28% investime”

 

 

Variantet e mazhorancës për reformën

-Komisioni i posaçëm për reformën zgjodhi dy variante për reformën territoriale-administrative, atë me 39 njësi dhe ajo me 47 njësi

-Në variantin me 39 njësi, Himara nuk parashikohet njësi më vete

-Sipas variantit me 47 bashki, Tirana nuk do të ketë njësi bashkiake, ndërsa do përmbledhë shumë komuna si Kashari, Ndroqi dhe Petrela. Në variantin 47 edhe Himara e Kamza janë njësi më vete

Qeveria mbyll konsultat, pret rezolutën e PD

Pasi ka zgjedhur dy variantet për ndarjen e re territoriale të vendit pa pjesëmarrjen e opozitës, qeveria ka thuajse të përmbyllura edhe konsultat publike. Nisur nga vendimi i fundit i Kuvendit palët kanë një muaj kohë për të gjetur konsensusin mes tyre për reformën territoriale pasi më 31 korrik ajo do të votohet në Parlament. Ndërkaq ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi deklaroi dy ditë më parë se ka ende mundësi për konsensus mes palëve.  “Ne e mirëpresim çdo kontribut të opozitës për reformën administrativo-territoriale dhe marrim përsipër që të shohim me shumë përgjegjësi opsione konkrete, por duke u fokusuar brenda kalendarit që kemi. Nëse opozita vjen me propozim për ndarjen e re territoriale, ka ende kohë, sigurisht që do të gjejmë gjuhën e përbashkët për ta miratuar këtë reformë në fund të korrikut”, tha ai. Nga ana tjetër, deputetja demokrate Jorida Tabaku ka deklaruar se konsensusi, varet nga vullneti politik që paraqet secila palë. “Konsensusi varet nga vullneti politikë. Platforma që paraqitëm kishte në analizë qytetarin. Koncepti i Qarkut, ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Por Reforma Territoriale është e cunguar nëse nuk preken dhe çështjet e tjera. Janë të gjithë elementet që duhet të merren në studim, dhe të llogariten kostos. Siç është arsimi, rendi, siguria, etj. Të gjithë mund të mendojnë se bëhet fjalë për llogari elektorale. Ata që kanë bërë hartën, duhet të bëjnë llogaritë. Por ne e kemi nisur gjithë këtë nga shërbimet dhe kujdesi që i tregohen qytetarëve”, ka theksuar Tabaku.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency