Nishani mbledh krerët e grupeve parlamentare, Opozita: Rama kërkon të kapë drejtësinë

0
104

Florenc Drizari

presidenti-nishani-gramoz-ruci Presidenti Nishani zhvilloi takime këshillimore me krerë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje takime me krerët e grupeve parlamentare për përcaktimin e kritereve konkrete për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Presidenti Nishani u takua fillimisht me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, më pas me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, me kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, me përfaqësuesin e PDIU-së, Tahir Muhedini si dhe me kreun e grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Në mbyllje të këtyre takimeve nuk pati ndonjë reagim zyrtar se çfarë u propozua nga palët, ndërkohë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi se opozita nuk do të lejojë Ramën të marrë sistemin e drejtësisë.

“Duket se ditët e fundit Rama ka vendosur që dhe drejtësinë ta fusë në duart e tij. Kalaja e fundit që do të marrë Rama është drejtësia. I qëndrojmë koalicionit tonë lidhur me pavarësinë e drejtësisë. Rama nuk do mund ta marrë kalanë, ky do ishte fundi i drejtësisë dhe demokracinë së Shqipëri.

Rama që bërtet gjithë ditën për problemet e drejtësisë, synon ta ketë në dorë si dikur kur në gjykata vendoseshin ministra të Partisë Socialiste. Drejtësia s’do jetë ajo që liron djemtë kriminelë të deputetëve të PS, apo të lirojë ata që varen nga Rama, e të mbajë në burg ata që varen nga Basha. Është rasti me këto kandidatura që PS të tregojë nëse kërkon të mbrojë institucionet e pavarura, apo do t’i qëndrojë luftës që Rama i ka shpallur drejtësisë, për ta vënë nën kontroll”, – deklaroi Paloka. Ndërkohë që një ditë më parë Kryeministri Edi Rama u shprehur i vendosur për të zhvilluar një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, pa të cilën sipas tij, Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Por përtej këtyre qëndrimeve, me herët deputetë të mazhorancës kanë kritik edhe për sa u përket propozimeve të kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj kushtetuese. Deputeti i LSI-së Spartak Braho, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ka thënë më parë se për presidentin duhet të nisin procedurat e shkarkimit, për faktin se kandidaturat e sjella prej tij në Kuvendin e Shqipërisë, nuk kanë plotësuar kriteret e duhura dhe se janë paraqitur në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës.

Qëndrime kritike për punën e kreut të shtetit ka pasur edhe nga disa deputetë të tjerë socialist, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës i kanë cilësuar këto deklarata si presione politike ndaj Presidentit të Republikës. Përplasje qëndrimesh në distancë me deklarata në media ka pasur mes kreut të shtetit dhe përfaqësuesve të mazhorancës edhe për nismat e fundit të ekzekutivit për sa i përket paketës ligjore për reformën në ushtri. Tre projektligjet e mazhorancës për vlerësimin e gradave në ushtri, sistemin e komandimit dhe të shpërndarjes, si dhe për agjencinë e inteligjencës së ushtrisë, janë cilësuar nga presidenti si përpjekje për t’i marrë kreut të shtetit kompetencat që i takojnë me kushtetutë.

 

Basha: Me Ramën asgjë nuk ka rilindur, shqiptarët po rikthejnë besimin tek PD

Një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka sjellë në vëmendje bilancin e qeverisë e cila sot sipas tij numëron vetëm dështime dhe zhgënjime.  Në Kuvendin Zgjedhor të degës së Shijakut, kryedemokrati tha se premtimet elektorale janë harruar ndërsa vendi është zhytur në varfëri dhe papunësi.  “Sot fiks një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, shqiptarët po e shohin që asgjë nuk ka lindur, dhe nuk ka rilindur në këtë vend. Përkeqësim në ekonomi, mijëra vende punë të mbyllura, sipërmarrja në kufijtë e mbijetesës dhe të falimentimit, investimet e brendshme në nivelet më të ulta ndonjëherë në Shqipëri, investime me fondet e huaja afër zeros. Statistikat e INSTAT-it flasin për një rritje dëshpëruese të papunësisë gjatë muajve të fundit. Bota e krimit, e spekulimit, e mashtrimit ka gjetur një strehë të ngrohtë, një strofkull të rehatshme brenda kësaj qeverisje”, tha Basha,duke theksuar se përballë këtij realiteti dëshpërues dhe zhgënjyes nga kjo mazhorance, qytetarët kanë kthyer sytë nga PD.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency