Raporti i KLD-së/ Gjyqtarët japin mësim pa autorizim dhe në orar të punës. Neglizhohen gjyqet

0
38

Sonila Mesareja

gjykate 123 Inspektorati hetoi për 1 vit shkollor gjyqtarët e përfshirë në stafet akademike, vetëm disa prej tyre me autorizim nga KLD-ja. Skandali, pjesa më e madhe e gjyqtarëve, ushtrojnë profesionin, banojnë dhe japin mësim në tri qytete të ndryshme në orar të punës

 Një skandal është zbuluar nga Inspektorati i KLD-së në gjyqësorin shqiptar. Gjatë një kontrolli të ushtruar në vitin akademik që kaloi në disa universitete të vendit ku japin mësim gjyqtarë nga disa gjykata të Shkallës së Parë dhe Apelit, rezultoi se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë një autorizim nga KLD-ja për ta bërë një gjë të tillë. Madje, ka edhe më keq, sipas këtij raporti, pasi rezulton që ata ushtrojnë mësimdhënien në orarin zyrtar, duke neglizhuar profesionin, pra funksionin e tyre si gjyqtarë. Por, kjo nuk ishte më e keqja, pasi nga inspektimi rezultoi që kishte 3 prej këtyre gjyqtarëve që profesionin, banimin dhe mësimdhënien i kishin në tri qytete të ndryshme. Gjyqtarët e inspektuar përgjithësisht kanë ushtruar veprimtari akademike pranë 1 universiteti, por 5 gjyqtarë kanë ushtruar veprimtari akademike pranë 2-4 universiteteve, ndërsa 2 gjyqtarë të tjerë kanë ushtruar veprimtari akademike pranë 2 degëve të ndryshme të të njëjtit universitet, por në qytete të ndryshme. Vetëm në 4 raste, gjyqtarët e kanë ushtruar veprimtarinë pranë universiteteve publike. Në rastet e tjera, gjyqtarët e kanë ushtruar veprimtarinë akademike vetëm pranë universiteteve jopublike.

 

Kontrolli

Kontrollit iu nënshtruan 30 gjykata gjithsej (22 gjykata të rretheve gjyqësore, gjykata e shkallës së parë për krime të rënda, 6 gjykata të apelit civil dhe gjykata e apelit për krime të rënda). Periudha e zgjedhur për inspektim është viti akademik 01 Tetor 2012-31 shtator 2013. Inspektimi u zhvillua bazuar në tri faza, duke respektuar procedurën e përcaktuar në ligj, në rregulloren e Inspektoratit dhe standardet e metodologjinë e Manualit të Inspektimeve. Në fazën e parë të veprimtarisë paraprake u përcaktua kalendari i punës dhe u grumbullua materiali dokumentar nga gjykatat, Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe institucionet e arsimit të lartë, ndërsa në fazën e dytë u realizua inspektimi në gjykata ku u verifikuan rezultatet e fazës paraprake. Në fazën e tretë dhe të fundit, u procedua me përpunimin e materialit të grumbulluar dhe me hartimin e këtij raporti.

 

Konkluzionet

Nga hetimi ka rezultuar se 42 gjyqtarë ishin të përfshirë në veprimtari akademike, që zënë masën 12.2%. Këta gjyqtarë e kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë 19 gjykatave (Gjykatat e Apelit Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë e Krimet e Rënda, si dhe Gjykatat e Shkallës së Parë Krujë, Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Kukës, Shkodër, Berat, Fier, Lushnjë, Vlorë, Korçë, Pogradec dhe Krimet e Rënda). Ndërsa, gjyqtarët e 11 gjykatave të tjera nuk kanë ushtruar veprimtari akademike. Gjykatat, gjyqtarët e të cilëve nuk janë përfshirë në veprimtari akademike janë Gjykatat e Rretheve Gjyqësore Dibër, Kurbin, Mat, Elbasan, Pukë, Tropojë, Përmet, Gjirokastër e Sarandë, si dhe Gjykatat e Apelit Durrës e Gjirokastër. Nga 42 gjyqtarët e përfshirë në veprimtari akademike, 7 prej tyre ushtronin detyrën në Gjykatat e Apelit, ndërsa 35 të tjerë në gjykatat e shkallës së parë. Sipas raportit, 10 prej 42 gjyqtarëve që ushtronin veprimtari akademike, përfitojnë ngarkesë të reduktuar sasiore në gjykatat ku ushtrojnë detyrën, për shkak të funksioneve shtesë që kryejnë (anëtar KLD-je apo kryetar gjykate). Nga 42 gjyqtarët e inspektuar, 23 prej tyre e kanë ushtruar veprimtarinë brenda orarit zyrtar. Vetëm 4 prej këtyre 23 gjyqtarëve janë autorizuar nga KLD për ushtrimin e veprimtarisë akademike brenda orarit zyrtar, të cilët janë gjyqtarët I.M., F.V., B.K. dhe G.M.. Dy gjyqtarë të tjerë A.Y. dhe L.F. janë pajisur me autorizim nga KLD për ushtrim të veprimtarisë akademike brenda orarit zyrtar, pas fillimit të kësaj veprimtarie. 17 gjyqtarë të tjerë e kanë ushtruar veprimtarinë akademike brenda orarit zyrtar pa autorizim të KLD-së. Këta gjyqtarë janë A.K., A.Gj., E.P., J.H., M.Xh., R.H., E. M., A.K., G.Q., K.Dh., S. N., A.V., K.Ç., T.B., A.K., E.Ç. dhe L.H.. Në disa raste, gjyqtarët pretenduan ta kishin paraqitur kërkesën e tyre në KLD, e cila sipas tyre nuk i ishte përgjigjur. Ky pretendim nuk konfirmohet nga regjistrat e protokollit në KLD. Në 13 raste, nga 42 gjyqtarë të inspektuar, është konstatuar se vendi i banimit, vendi i ushtrimit të detyrës dhe vendi i ushtrimit të veprimtarisë akademike janë të ndryshme. Në këto 13 raste, 5 gjyqtarë e kanë ushtruar veprimtarinë akademike brenda orarit zyrtar, që nënkupton një kohë më të gjatë angazhimi se sa orari strikt i mësimdhënies. Në 3 prej këtyre rasteve, është konstatuar se gjyqtari banon në qytet tjetër, ushtron detyrën në qytet tjetër dhe ushtron veprimtari akademike në qytete të tjera.

 

Ndikimi në gjyqe

Në 23 rastet, ku gjyqtarët janë përfshirë në veprimtari akademike, janë analizuar edhe treguesit e tyre sasiorë dhe të shpejtësisë në gjykim dhe në vendimmarrje. Nga analiza e këtyre të dhënave është konstatuar se në 12 raste, shpejtësia në gjykim ka vend për përmirësim. Konkretisht në këto 12 raste është konstatuar se gjyqtarët në mbi 13% të volumit të çështjeve që i janë caktuar në gjykim, kanë tejkaluar afatet standard të gjykimit të caktuara nga KLD për efekte të vlerësimit të tyre profesional. Në 42 gjyqtarët e inspektuar, 9 prej tyre kanë pasur vonesa mbi 30 ditë në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, nga të cilët 8 gjyqtarë ushtrojnë veprimtarinë akademike brenda orarit zyrtar. Këta gjyqtarë janë J.H. (1 rast), R.H. (1 rast), J.Q. (10 raste), A.K. (65 raste), F.V. (11 raste), B.K. (3 raste), S.N. (122 raste) dhe L.F. (73 raste). Për 16 gjyqtarë nga 42 të inspektuar në Inspektoratin e KLD-së nuk është paraqitur asnjë ankesë nga të tretët në vitin 2013. Këta gjyqtarë janë A.M., A.Gj., R.H., E.M., J.Q., V.S., R.M., A.K., F.P., S.H., A.L., B.Sh., A.L., K.K., L.H. dhe S.S.. Për pjesën tjetër të gjyqtarëve, janë paraqitur nga 1-7 ankesa, duke përfshirë edhe pretendime për zvarritje gjykimi, por që nuk i atribuohej veprimtarisë akademike. Vetëm në 1 rast që lidhej me gjyqtaren E. Ç., në ankesë pretendohej zvarritja e gjykimit për shkak të veprimtarisë akademike, por nga verifikimi u konkludua se ankesa ishte e pabazuar.