Morinë/ Pranga efektivit të policisë, lejoi kalimin e automjeteve kontrabandë

0
139

Pranga efektivit të policisë, lejoi kalimin e automjeteve kontrabandëLejoi kalimin e 2 makinave me të njëjtën targë, SHÇBA arreston policin. Arrestohen edhe 3 personat që kaluan automjetet në bashkëpunim

Një efektiv policie dhe tre persona të tjerë janë arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për kontrabandë automjetesh, duke mos i regjistruar në sistemin TIMS. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme kanë bërë me dije se nga të dhënat e para mësohet se efektivi i arrestuar është inspektor Arjan Sokoli, 45 vjeç, me detyrë ndihmëskontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Morinë. Sipas burimeve mësohet se gjatë ditës së mërkurë, shërbimet e Stacionit të Policisë Kalimash kanë ndaluar dy automjete, të cilat përdornin të njëjtat targa, vendosur secilën vetëm në pjesën e përparme të mjetit. Ato drejtoheshin nga shtetasit Indrit Koni dhe Denis Koni, pa dokumentacion përkatës. Mësohet se gjatë ditës së mërkurë, inspektoi i arrestuar tashme Arjan Sokoli, ka qenë në shërbim kohën kur kanë kaluar në pikën kufitare dy automjetet me të njëjtat targa. Sipas burimeve, pretendohet se punonjësi i policisë me detyrë ndihmës kontrollor në pikën kufitare Morinë, të kishte dijeni rreth makinave të cilat i lejoi të kalonin pa u regjistruar në sistemin TIMS. Ndërkohë, Sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar mësohet se në lidhje me këtë çështje përveç punonjësit të policisë, ka arrestuar edhe tre persona të tjerë Indrit Konin, Denis Konin dhe Baftjar Halilin, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera” dhe “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”, parashikuar përkatësisht nga nenet 174, 178 dhe 25 të Kodit Penal. Këta persona dyshohet ta kenë kryer këtë vepër penale për t’iu shmangur detyrimeve në pikën kufitare të Morinës. Nga hetimet e kryera nga SHÇBA (ish-SHKB) u dokumentua me prova ligjore se 3 shtetasit e ndaluar, janë ndihmuar për kryerjen e veprës penale nga punonjësi i policisë me detyrë ndihmës kontrollor Arjan Sokoli.

 

Arrestimi

“Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë, inspektor Arjan Ahmet Sokoli, 45 vjeç, me detyrë nd.kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Morinë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Në datë 8 prill 2015, shërbimet e Stacionit të Policisë Kalimash kanë ndaluar 2 automjete, të cilat përdornin të njëjtat targa, vendosur secilën vetëm në pjesën e përparme të mjetit. Ato drejtoheshin nga shtetasit Indrit Koni dhe Denis Koni, pa dokumentacion përkatës. Sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar ka arrestuar Indrit Konin, Denis Konin dhe Baftjar Halilin, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera” dhe “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”, parashikuar përkatësisht nga nenet 174, 178 dhe 25 të Kodit Penal. Nga hetimet e kryera nga SHÇBA (ish-SHKB) u dokumentua me prova ligjore se 3 shtetasit e ndaluar, janë ndihmuar për kryerjen e veprës penale nga punonjësi i Policisë me detyrë nd.kontrollor, Arjan Sokoli. Ai në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që i jep detyra, ka lejuar kalimin e automjeteve nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet PKK Morinë, duke mos kryer regjistrimin përkatës në sistemin TIMS”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme lidhur me arrestimin e punonjësit të policisë.

 

Operacion antikrim në Elbasan, policia arreston 7 persona nën akuza të ndryshme

Forcat e policisë në Qarkun e Elbasanit kanë kryer në 24 orët e fundit një operacion të gjerë kundër kriminalitetit, duke arrestuar disa persona të kërkuar për vepra të ndryshme penale. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se në pranga kanë përfunduar 7 persona, ndërsa 2 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Sipas një njoftimi për shtyp, akuzat që rëndojnë ndaj të arrestuarve variojnë nga drejtimi i mjeteve pa targa dhe leje; lidhje të paligjshme të energjisë; agresion ndaj personit; zotërim të armëve të ftohta dhe posedim të lëndëve narkotike etj. Në të gjitha rastet, Policia e Elbasanit thekson se materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore në ngarkim të të akuzuarve. Mësohet se në prangat e policisë ka përfunduar Idris Lala, 58 vjeç, banues në Elbasan. Ky person, sipas policisë është kapur nga shërbimet e policisë duke drejtuar një mjet motor pa targa, i papajisur me leje drejtimi. Po ashtu, Vladimir Cerova, 52 vjeç, banues në Elbasan, u kap nga shërbimet e policisë duke drejtuar një mjet motoçikletë me targa AA 309, i papajisur me leje drejtimi. Ndërsa Arian Filja, 39 vjeç, është arrestuar, pasi në banesën e tij gjatë një kontrolli u konstatua se kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Sakaq, Policia e Elbasanit bën me dije se është arrestuar edhe Bujar Maliqi, 29 vjeç, banues në Cërrik, pasi në bashkëpunim me vëllain e tij kanë goditur me sende te forta një tjetër person. Spiro Sadushi, 48 vjeç, ka përfunduar në prangat e policisë, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij u gjet dhe iu sekuestrua një sasi pluhuri, që dyshohet të jetë lëndë narkotike. Sefer Nezha, sipas policisë, është arrestuar pasi Gjykata e Apelit Durrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve., si dhe është arrestuar 44-vjeçari me iniciale A. Ç., pasi u kap duke ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit.

 

Lezhë, nën hetim kreu dhe 2 punonjës së Komunës Shënkoll

Regjistrohet procedimi penal për 3 zyrtarë të Komunës së Shënkollit për shpërdorim detyre. Burime nga organi i akuzës Lezhë kanë bërë me dije se kryetari Fran Frrokaj dhe dy punonjësit e urbanistikës Lindita Cane dhe Petrit Picaku, kanë dhënë leje ndërtimi duke shkelur ligjin. Prokuroria e Lezhës bën me dije se nisi procedimin penal për shpërdorim detyre për Fran Frrokaj me detyrë kryetar i Komunës Shënkoll, Lindita Canën me detyrë Përgjegjëse e Seksionit të Urbanistikës dhe Petrit Picakun, me detyrë Përgjegjës i Inspektoratit Urbanistik Vendor në Komunë. Ata dyshohet se kanë shkelur procedurat për pajisjen me leje ndërtimi (rikonstruksion çatie) dhe lejimin e ndërtimit të një objekti ndërtimi 3-katësh, në pronësi të një banori në Shënkoll. Në datën 19 janar është referuar në Prokurori nga Policia, dosja për hetim në gjendje të lirë për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”, në ngarkim të shtetasit me iniciale E. M.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency