Kriza e Ukrainës: Merkeli dhe Hollande mbështesin bisedimet

0
129

dataFranca dhe Gjermania i bënë sërish thirrje Rusisë, që të angazhohet për negociata midis palëve të konfliktit në Ukrainë. Por në rajon nuk duket se janë shumë të interesuar për bisedime.

Siç bëhet e ditur në një deklaratë të Pallatit Élysée të së dielës, Presidenti i Francës François Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel zhvilluan telefonata me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Parisi dhe Berlini kërkua nga palët e konfliktit që veprimet kundër njëri-tjetrit të marrin fund. Njëkohësisht ata tërhoqën vëmendjen për rëndësinë e kontrolleve në kufirin e Ukrainës me Rusinë, për të penguar depërtimin e njësive të armatosura ose të transporteve.

 

Mundësia e sanksioneve ende ekziston

Hollande dhe Merkeli biseduan që të enjten me Putinin. Në bisedë ata e kërcënuan shefin e Kremlinit me pasoja të tjera. Putini duhet të bëjë gjithçka të nevojshme, për të ndikuar në fundin e shpejtë të luftimeve. Në rast se kjo nuk ndodh, bashkësia ndërkombëtare mund të marrë masa të tjera, u bë e ditur. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko shpalli të premten një armëpushim të njëanshëm. Ky hap u përshëndet edhe nga Moska, por njëkohësisht Moska kërkoi hapa të tjerë: Putini bëri thirrje për një dialog me kryengritësit në Lindje të vendit. Pa vepra konkrete, të orientuara tek negociatat, plani do të mbetet jo realist dhe pa jetë, tha Putini në një reagim të parë publik ndaj planit të paqes.

 

Bisedimet ende larg

Ai plotësoi: iniciativa për fat të keq mban tiparet e ultimatumit ndaj kryengritësve. Të gjitha palët duhet ta shfrytëzojnë armëpushimin për një dialog konstruktiv. Por një dialog i tillë deri tani nuk duket gjëkundi: me gjithë iniciativën e Poroshenkos, të shtunën në Lindje të Ukrainës shpërthyen luftime të reja midis ushtrisë dhe kryengritësve prorusë. Të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën se e kishin shkelur armëpushimin njëjavor që në fillim. Presion shtesë ndaj situatës sjellin masat ushtarake të Rusisë. Pavarësisht nga thirrjet e shteteve perëndimore për qetësimin e situatës, Kremlini i vendosi në gjendje lufte trupat e tij në Rusinë Qendrore dhe shpalli një manovër njëjavore. Kjo manovër është vetëm një verifikim standard i gjendjes së trupave, u tha.

Në manovra do të verifikohet midis 21 dhe 28 qershorit gatishmëria për luftë e ushtrisë në rajonin qendror të mbrojtjes së Rusisë, i bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Sergej Shoigu agjencisë së lajmeve Interfax. Vendi i manovrës në rajonin e mbrojtjes Çeljabinsk në Ural, në kufi me Siberinë është mijëra kilometra larg kufirit ruso-ukrainas, tha ai.

 

 Kerry në Bagdad: Diskutime për krizën e shkaktuar nga ISIS

Ministri i Jashtëm i SHBA, Kerry, bisedon në Bagdad me politikanë drejtues lidhur me luftën kundër ekstremistëve të ISIS, që kanë vënë nën kontroll pjesë të tëra të Irakut. Konflikti rrezikon të përhapet në Jordani.

Kryediplomati John Kerry do të diskutojë me kryeministrin irakian Nuri Al-Maliki dhe me politikanë të tjerë, se si SHBA mund të ndihmojnë në luftën kundër grupit islamist ISIS, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki. Iraku duhet të ketë një qeveri, që përfaqëson interesat e të gjithë qytetarëve.

Konflikti i grupeve fetare është ashpërsuar javët e fundit, pasi grupi terrorist sunit ISIS (shteti islamist në Irak dhe Sirinë e Madhe) vendosi nën kontroll pjesë të tëra të veriut dhe perëndimit të Irakut. Sipas të dhënave zyrtare nga Bagdadi në luftime janë vrarë “qindra ushtarë”. Qindramijëra civilë janë në arrati. Ekstremistët duan të ndërtojnë një shtet islamist fetar nga Mesdheu deri në Gjirin Persik. Ata i konsiderojnë shiitët si heretikë. Rreth 60 përqind e popullsisë në Irak janë myslimanë shiitë. Në luftën civile në Siri ISIS lufton kundër trupave të presidentit Bashar al-Assad, por edhe kundër grupeve të tjera islamiste.

 

Jordania mobilizon trupat në kufi

Luftëtarët e ISIS kanë mundur të zgjerojnë pozitën e pushtetit. Ata po kërcënojnë edhe digën e dytë më të madhe në vend në një hidrocentral të rëndësishëm strategjik. Sipas njoftimeve të mediave, ISIS ka vënë nën kontroll edhe disa vendbanime në kufi me Sirinë dhe Jordaninë. Jordania ka mobilizuar forcat ushtarake në kufirin e saj. Në jug të Bagdadit luftëtarë deri tani të panjohur kanë sulmuar një konvoj, që transporte të burgosur duke vrarë 69 prej tyre. Në luftimet e mëtejshme është vrarë një polic dhe tetë sulmues, njoftuan një oficer policie dhe një mjek.

DW

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency