Holanda i tregon të fortin Kilit, pozicionohet e para

0
136

robben-574x330Tulipanët kanë zhvilluar një lojë të mrekullueshme, si dy ndeshjet e para, ndaj kilianëve që u munduan shumë, por e panë të pamundur përballë Robenit me shokë

Holanda arrin një tjetër fitore të madhe. Skuadra e drejtuar nga Van Gali tashmë është një ndër kombëtaret që gëzon respekt nga të gjithë. Kjo, pasi ka arritur të zhvillojë një fazë spektakolare në grupe. Në ndeshjen e parë bënë surprizën ndaj Spanjës, duke e mposhtur me rezultatin 5-1. Edhe ndeshja e dytë ndaj Australisë do të ishte një sfidë që do të tregonte karakterin e tulipanëve. Përballja me Kilin ishte edhe prova e fundit dhe më e vështira, pasi luftohej për vendin e parë. Një lojë që u luftua nga të dyja skuadrat. Kjo, pasi të dalësh i pari do të thotë të eliminosh përballjen me Brazilin. Një lojë shumë e fortë. Kilianët, ashtu si skuadrat e tjera latine, u treguan mjaft të fortë dhe i hapën mjaft punë Holandës, ndërsa skuadra e drejtuar nga Van Gali arriti që të mbyllte mirë hapësirat dhe mundësitë e kundërshtarëve. Për portokallinjtë nuk luante kapiteni Robin van Persi që ia kishte lënë shiritin Robenit, i cili arrinte të përfaqësohej denjësisht në këtë pozicion. Një lojë që dhuron shumë luftë, por jo raste të pastra. Mesfusha ishte edhe vendi i dueleve të mëdha midis dy ekipeve që e kanë bazën në këtë sektor. Janë kilianët me në krye Aleksi Sançezin, që arritën që të tregoheshin të fortë në sulm, ndërsa nga krahu tjetër Roben arrinte të hapte shumë probleme në mbrojtjen kiliane me driblimet e tij. Në minutën e 36-të protesta të Kilit, Sançez u prek në zonë nga Kajt i cili ishte në vonesë në aksionin e krosimit nga e majta të Menës, por për arbitrin nga Gambia Bakari Papa Gasama ishte gjithçka e rregullt. Në minutën e 40-të shigjeta e Robenit që i fut marrshin e tij “turbo”, djeg gjysmën e fushës përfshirë këtu dhe tentativën e Aranguizit dhe shkarkoi të majtën e tij, por diagonalja e tij shkoi në të majtë të Bravos. Amerikanojugorët u përgjigjën me një skemë në të 43, goditje nga 40 metra e Diazit, Gutierres e ngriti me kokë por topi shkoi në të majtë të Cilesenit. Me të dyja skuadrat që nuk u vranë përfundoi pa gola një pjesë e parë e shëmtuar në San Paolo me Holandën që në vështirësi për të gjetur hapësira u pa e gjitha te Roben, ndërsa dhe pjesa e dytë filloi pa shumë ritëm me lojën të copëzuar nga faullet e vazhdueshme. Me Holandën të bllokuar në gjysmëfushën e saj e Kilin në zotërim të topit rrezikoi në minutën e 63 Cilesen, portieri i portokallinjve ndërpreu vrullin e lokomotivës Sançez, por për arbitrin nuk ishte 11-metërsh. Dy minuta më pas tjetër numër i Sançez që la në vend me driblimin e tij Janmat duke provuar të befasojë Cilesen që iu tregua i zoti për të mbuluar shtyllën e parë. Vetëm një minutë më pas përgjigjet Roben që bëri inkursionin e tij të zakonshëm nga gjysma e fushës avancimin deri në zonë dhe lëshoi goditjen e tij që u neutralizua në dy kohë nga Bravo. Van Gal vendosi të ndryshojë, duke hequr nga loja Lens për të futur Depai, (69) ndërsa në të 76 vendosi të çonte në stol një Snajder në hije për t’i bërë vend Leri Fer dhe rezultoi një lëvizje fituese pasi mesfushori i Noruiç Siti e shpërbleu vetëm një minutë pasi u fut në fushë, krosim nga e djathta dhe me Robenin që tërhoqi vëmendjen në qendër 24-vjeçari kërceu pas shpatullave të të gjithëve për një goditje fantastike me kokë që i dha avantazhin Holandës. Ndërsa goditja e dytë do të vinte në minutën e 92-të nga Depai që pas një pasimi perfekt nga ana e Robenit do të gjente përsëri portën e Bravo. Kështu me këtë triumf tulipanët i treguan botës se nuk kanë frikë as nga skuadrat latine dhe se mund të përballojnë shumë mirë dhe sfida të vështira. Një ekip i ri dhe që premton të shkojë më shumë larg.

 

 Lind ideja e shkëmbimit Vidal – Di Maria

Real Madrid vazhdon të jetë ndër klubet e interesuara për shërbimet Arturo Vidal, të cilin dëshiron ta transferojë gjatë kësaj vere. Juventusi ka shprehur interesim për transferimin e Angel di Marias në Torino. Zonja e Vjetër kanë dhënë idenë që anësori argjentinas të përfshihet në marrëveshjen për kalimin e kilianit në “Santiago Beranbeu”. Vetë Di Maria në një prononcim ka thënë se nuk e di se çfarë do të ndodhë me karrierën e tij nga sezoni i ardhshëm. “Kam kërkuar nga agjenti im që të mos më thotë asgjë rreth bisedave që po zhvillon. Nuk e di se çfarë do të ndodhë me karrierën tim. Tani për tani nuk dua të di asgjë rreth të ardhmes sime”, – u ka thënë 26-vjeçari gazetarëve. Ndërkohë, duhet pritet vera për të parë se çfarë do të ndodhë me këtë transferim që mund të jetë i bujshëm.

 

Uçan në marrëveshje me Romën

Fenerbahçe ka konfirmuar se ka filluar bisedimet formale me Romën për transferimin e Salih Uçan në “Stadio Olimpico”. Mesfushori turk bëri paraqitje të shkëlqyera në sezonin e kaluar duke i ndihmuar skuadrës që ta fitonte titullin e Super Lig. Pas spekulimeve disajavëshe, klubi turk ka konfirmuar se 20-vjeçari është pranë kalimit në kryeqytetin italian. “Bisedimet me Romën rreth transferimit të lojtarit tonë, Salih Uçan, kanë filluar zyrtarisht”, – thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Feneri. Spekulohet se Roma ka ofruar rreth 10 milionë euro për shërbimet e lojtarit të ri.

 

Fred: Nejmari, shpresa e Brazilit

Fred deklaroi se është e drejtë që tifozët të shpresojnë shumë te Nejmari. “Të gjithë e dinë se në skuadrën tonë, Nejmari është lojtari që bën dallimin. Kundërshtarët tanë janë të detyruar që të bëjnë markime të posaçme (për Nejmarin). Nëse ndodh që ai të mos ketë një ditë të mirë, ekipi ka kapacitet të gjejë zgjidhje të tjera për të qenë efektiv. Mirëpo, zakonisht ne përpiqemi ta sjellim lojën rreth Nejmarit, sepse ai është ylli jonë”, – ka deklaruar 30-vjeçari që deri më tani nuk ka treguar performancë të lartë.

 

 Shqipëria U17 në short të vështirë

Kombëtarja jonë e 17-vjeçarëve do ta kenë të vështirë që të kualifikohet për në raundin tjetër. 28 ekipet e kualifikuara janë ndarë në shtatë grupe dhe kuqezinjtë tanë do të kenë përballë kampionët në fuqi të Evropës, Holandën, fqinjët e fortë të Serbisë, si dhe Republikën e Irlandës. Skuadra më e mirë e kontinentit për këtë grupmoshë do të vendoset në finalet, që do të zhvillohen në slloveni nga 4 deri në 16 maj të vitit të ardhshëm, ku përveç vendit organizator do te jene edhe ekipet fituese të çdo grupi në fazën “Elite Round”. Ekipi ka disa lojtarë mjaft të mirë në përbërje por do të jetë mjaft e vështirë, pasi përballë kanë ekipe shumë të mira.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency