I dënuar 19 vjet në Itali/ Baroni i drogës, Gëzim Çela, u arrestua në Rinas, një javë pasi e liroi Turqia

0
292

Sonila Mesareja

gezim cela baroni Arrestimi i kreut të bandës së Fushë-Kuqes, pas deportimit nga autoritetet turke, ku ishte dënuar me 6 vite burg për trafik droge

 Gjykata e “fali” pas falsifikimit të dokumenteve mjekoligjore, e “fali” sërish edhe pas riarrestimit duke mos e ekstraduar dhe liruar

I liruar nga drejtësia shqiptare, i dënuar nga drejtësia turke pavarësisht pretendimeve të paraqitura për sëmundje kanceroze në kockën e gjurit të djathtë, i shumëkërkuar nga drejtësia italiane për trafik femrash. Baroni i drogës, ish-polici Gëzim Çela, u riprangos dy vjet më parë në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas nga Policia Kufitare, e cila kishte urdhrin ndërkombëtar për arrestimin e tij. Kreu i bandës së Fushë- Kuqes, i liruar nga drejtësia shqiptare me raporte mjekësore të falsifikuara, u ndalua pas deportimit të tij nga autoritetet turke drejt vendit tonë, ku 44-vjeçari Çela kishte përfunduar një javë para arrestimit shlyerjen e dënimit prej 6 vitesh, burg për drogë. Sapo ka shkelur në tokën shqiptare, pasi zbriti nga linja ajrore, që e solli atë nga Turqia në Rinas, Çelës iu vunë prangat, pasi kërkohej nga drejtësia italiane për trafik femrash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ku është dënuar me 19 vjet burg e 150 mijë euro gjobë. Por, edhe pse u arrestua dhe u vendos ekstradimi, sërish u lirua nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi rigjykimin e kërkesës për ekstradim duke prishur vendimin e parë.

 

Manovrat

E “hëngri” drejtësia shqiptare “sëmundjen” e tij kanceroze në gjurin e djathtë, por jo ajo turke. Të njëjtën manovër u përpoq ta bënte edhe në Turqi, por nuk i eci. Gjykata turke e dënoi atë për trafik lëndësh narkotike me 6 vite burg, të cilat i shleu të gjitha pa asnjë favorizim. I larguar nga Shqipëria pas mashtrimit me sëmundjen e kockave, Çela rinisi aktivitetin e drogës kësaj radhe në Turqi, aty ku kishte deklaruar se do të shkonte për ndërhyrje të specializuar në kockë. Por, nuk arriti të zhvillonte aktivitetin në fushën e drogës për shumë kohë, pasi u kap nga policia turke, e cila në përfundim të procesit gjyqësor e dënoi me 6 vite burg. U përpoq të shfrytëzonte të njëjtën “sëmundje”, të njëjtat raporte, por në drejtësinë turke nuk i “pinë ujë”, dhe shleu ditë më ditë të 6 vitet e burgut. Asgjë nuk vlente për Çelën përballë provave që dispononte drejtësia turke mbi aktivitetin në fushën e drogës, nga i akuzuari me origjinë shqiptare dhe miqtë e tij.

 

Më 26 qershor seanca e radhës/ Apeli prishi vendimin e ekstradimit, 9 seanca në Gjykatën e Tiranës pa një vendim

“Fati” e ka ndihmuar Gëzim Çelën në Gjykatën e Apelit të Tiranës, e cila me vendimin nr. 375 të datës 02.07.2013 ka vendosur prishjen e vendimit nr. 112 akti, datë 23.1.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues. Kundër këtij vendimi është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë Tiranë, por shkalla më e lartë e gjyqësorit ka vendosur të mos e pranojë rekursin, duke lënë në fuqi vendimin e kolegëve të Apelit. Me vendimin nr. 1019, i datës 19.9.2013, duke hapur kështu një tjetër proces për ekstradimin e tij në Gjykatën e Tiranës, nga një tjetër trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu. Pavarësisht se janë zhvilluar 9 seanca, kjo gjykatë ende nuk ka marrë një vendim për Gëzim Çelaj, ndërkohë që më 26 qershor ishte lënë edhe seanca e radhës. Dosja e mbërritur nga Apeli është depozituar më 14 nëntor të vitit të kaluar dhe ende nuk ka pasur një vendim pranimi ose jo të ekstradimit.

 

 Akuzat/ Dënimet e bandës në Itali

 Akuzat për Gëzim Çelën dhe bandën e tij famëkeqe ishin të rënda, ndërsa akuzoheshin për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik e shfrytëzim të prostitucionit. Gjykata e Shkallës së Parë dënoi Gëzim Çelën me 19 vjet burg e 150 mijë euro gjobë; Saimir Sadria, me 10 vjet e 7 muaj burg, dhe 100 mijë euro gjobë; Bajram Sadria, me 6 vjet burg; Përparim Ismalaj, me 6 vjet, 6 muaj e 15 ditë dhe 1 mijë euro gjobë; Sandër Vataj, me 4 vjet dhe 9 muaj; Ilir Mihasi, me 6 vjet, 5 muaj, 10 ditë dhe 20 mijë euro gjobë; Adem Çelaj, me 2 vjet, 6 muaj e 300 euro gjobë; Gëzim Gjini me 4 vjet burg; Gjergj Bushpepa, me 2 vjet burg; Giuseppe Campese, me 4 vjet, për pjesëmarrje në grupim mafioz; Nicola Fascicolo, me 4 vjet burg e gjobë prej 100 eurosh; Maurizio Dal Dosso me një vit 8 muaj burg; Vincenzo Cifarelli, me 3 vjet dhe 8 muaj burg dhe Tatiana Andreicik, ukrainase. Janë dashur 74 seanca gjyqësore, për të arritur në një vendim përfundimtar për gjyqin maratonë të bandës së Çelës, me 19 persona të pandehur, 14 shqiptarë, 4 italianë dhe 1 ukrainase, që u lirua se u dënua me kohën e paraburgimit. Ndërkohë, që janë shpallur të pafajshëm shqiptarët Ilir Guga, 25 vjeç, akuzohej për favorizim dhe shfrytëzim të prostitucionit; Agron Huli, 27 vjeç, nga e njëjta akuze; Astrit Lleshi, 26 vjeç, për akuzën e krijimit dhe pjesëmarrjes në grupim mafioz; Dritan Lleshi, 24 vjeç, nga e njëjta akuzë. Gjithashtu, është shpallur i pafajshëm edhe italiani, Daniele Mendosi.

 

Vendimi i ekstradimit, i prishur nga Apeli

 Gjykata e Tiranës pranoi më 23 janar të vitit 2013 kërkesën e drejtësisë italiane për ekstradimin e Gëzim Çelës, i njohur si kreu i bandës së Fushë-Kuqes. Në vendimin e tij, gjyqtari Artur Gaxhi pranoi kërkesën për ekstradimin e 45-vjeçarit, të cilit do t’i duhet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane prej 19 vjetësh e 9 muaj e 29 ditë, për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, “Organizata kriminale”, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Por, do ishte Apeli ai që do favorizonte sërish baronin e drogës, duke prishur vendimin e gjyqtarit Gxhi dhe duke vendosur që kërkesa të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar. Në këtë mënyrë, Çelës iu dha mundësia të vijonte aktivitetin e tij kriminal, duke trafikuar droga të forta në drejtim të vendeve të BE-së.

 

Historia/ Dënimi dhe lirimi nga drejtësia shqiptare për Gëzim Çelën

 Gëzim Çela u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me 5 vjet burg, për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni, në rrethana rënduese. Vendimi është marrë nga gjyqtari Arben Kostandini, në vitin 2003, pas pranimit të gjykimit të shkurtuar nga Çela, për të cilin vendimi ishte 7 vjet e gjysmë. Ndërsa, bashkëpunëtori i tij Gëzim Gjini u dënua vetëm me kohën e paraburgimit. Kjo masë dënimi nuk u shlye nga Çela, pasi paraqiti një sërë raportesh mjekësore në gjykatë, ku pretendonte se vuante nga një sëmundje kockash, kancer në gjurin e djathtë dhe për këtë arsye do shkonte për një operim në spitalet e Turqisë. I dënuari Çela kishte arritur të siguronte ekspertizë jo vetëm nga Spitali Ushtarak për këtë sëmundje, por edhe nga një spital në Turqi. Falë kësaj epikrize, letrës nga spitali turk dhe firmave të marra nga mjekët e spitalit të burgut, gjyqtari Albert Meçe i firmosi lirinë Çelës. Dhe, ndërsa u lirua me kusht, dhe Çela ia mbathi nga vendi, prokuroria arriti të zbulonte mashtrimin e tij, me raportet dhe sëmundjen.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency