Vrasja e Dritan Lamajt/ Frroku, prokurorit: Sillni edhe 5 mijë dëshmitarë, s’më implikojnë në vrasje

0
116

Sonila Mesareja

frookuReagimi pas heqjes dorë nga pyetja e 30 dëshmitarëve, do të pyeten 12 të fundit, mes të cilëve bashkëpunëtori i drejtësisë

 Një nga dëshmitaret ndryshon dëshminë e dhënë pas ngjarjes, duke thënë se nuk mbante mend gjë, kundërshtohet nga akuza

 Për herë të parë, Arben Frroku e nis gjyqin duke replikuar me përfaqësuesin e akuzës, prokurorin Anton Martini. Shkak për replika mes të pandehurit dhe prokurorit u bë tërheqja e këtij të fundit nga pyetja e 30 dëshmitarëve të akuzës, duke kërkuar nga Gjykata të njoftohen 12 të fundit, mes të cilëve është edhe bashkëpunëtori i drejtësisë. Ky i fundit identifikoi biznesmenin Frroku si autor të vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Ndërkohë që heqja dorë nga pyetja e këtyre dëshmitarëve apo dhe pyetja e njërës prej dëshmitareve të ardhura dje në seancë nëse ishte kërcënuar që ndryshoi dëshminë, solli reagimin e Frrokut, i cili iu drejtua prokurorit me fjalët: “Edhe 5 mijë dëshmitarë të sillni, nuk më implikojnë në atë vrasje“. Pas këtij reagimi, prokurori Martini kërkoi nga Gjykata që t’i tërhiqet vërejtja të pandehurit për sjelljen dhe fjalët e thëna në sallën e gjyqit. Pas pyetës së dy dëshmitarëve, seanca u shty për më 19 qershor me pyetjen e dëshmitarëve të radhës.

 

Dëshmia e Lukës

Pas replikave prokuror – i pandehur, Gjykata vijoi seancën e pyetjen e dëshmitares Olivera Luka, e cila ditën e vrasjes, kishte përshkruar autorët e ngjarjes së 24 shkurtit, ku u ekzekutua Lamaj. Por, ndryshe nga deklarimet e dhëna pas ngjarjes, dje në sallën e gjyqit ajo ndryshoi deklarimet e saj në raport me ato që kishte dhënë në prokurori. Ajo deklaroi se nuk mbante mend gjë nga dita e ngjarjes, ndërsa ka qenë prokurori Martini që ia ka rifreskuar memorien duke i lexuar deklarimet e dhëna me vullnet të lirë para hetuesve pas ngjarjes. Madje ai e ka pyetur nëse ka pasur kërcënime që e kanë detyruar të ndryshojë dëshminë, por që prej dëshmitares ka marrë mohimin e ndonjë kërcënimi të mundshëm. Ajo kishte rrëfyer me detaje për makinën “BMW” që priste anash rrugës pranë vendit të vrasjes së Lamajt, si dhe për tre personat që rrinin pranë automjetit. Njëri prej tyre, sipas dëshmitares, kishte veshur pallto të zezë dhe fliste me dialekt verior dhe sipas hetuesve bëhet fjalë për të pandehurin Arben Frroku. Por, këto pretendime u hodhën poshtë nga avokatët dhe vetë i akuzuari.

 

Dëshmia e Arapit

Një tjetër dëshmi interesante ka qenë ajo e dhënë nga Aranit Arapi, ish-vartës i Dritan Lamajt, i cili ditën e ekzekutimit të shefit të tij ishte kërcënuar me një mesazh telefonik, ndërsa ushtronte detyrën në qytetin e Pogradecit. Ai është shprehur para Gjykatës se pas vrasjes së kryekomisarit kishte marrë në telefon një mesazh kërcënues. Dëshmitari sqaroi se mesazhi ishte i drejtpërdrejtë, me kërcënimin për vrasje, njëlloj siç ndodhi me Lamajn: “Dritani prehet i qetë, tani është radha jote”. I pyetur se kush mund t’ia ketë dërguar këtë mesazh, Arapi u shpreh se ndoshta dikush nga Pogradeci, për shkak të punës ku ai ishte transferuar si oficer policie, ndërsa kërkoi edhe njëherë që kjo çështje të zbardhet nga drejtësia. Sakaq në lidhje me të pandehurin Arben Frroku, Arapi u shpreh se ka pasur njohje të mëparshme dhe s’mendon se mesazhi t’i jetë bërë nga ai, pasi dhe konflikte s’ka pasur asnjëherë. Ndërsa lidhur me konfliktet e ish-shefit të tij, sipas Arapit, komisar Dritan Lamaj kishte konflikte për shkak të punës me disa persona, mes tyre edhe me të pandehurin Frroku.

 

Itali/ Vrau tri vajzat, Edlira Dobrushi tenton vetëvrasjen në qeli

Edlira Dobrushi, gruaja që tronditi Italinë duke vrarë tri vajzat e saj, ka tentuar të vrasë veten në qeli. Ajo ka përdorur një palë çorape najloni për t’i lidhur rreth fytit me qëllim për t’i dhënë fund jetës. 37-vjeçarja ndodhet në burg që prej 9 marsit të këtij viti, kur vrau tri vajzat e saj të moshës 3, 10 dhe 13 vjeçe në Leko të Italisë. Ajo ndodhet në burgun e Komos pas një periudhe të shkurtër që qëndroi në psikiatri që nga dita e vrasjes së trefishtë që tronditi opinionin publik. Gardiania e burgut që e shpëtoi, në momentin e fundit kishte vënë re diçka të çuditshme në sjelljen e saj dhe për këtë arsye ka hyrë në qeli për të parë se çfarë po ndodhte. E burgosura po përpiqej të mbyste veten me një palë çorape najloni. Edhe pse nuk ka pësuar asnjë lëndim nga tentativa për t’u vetëvrarë, aktualisht Dobrushi është shtruar në Spital në Komo ku mbahet nën vëzhgim gjatë gjithë kohës. Dobrushi vazhdon të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve dhe çështja të shkojë në gjykatë për t’u dhënë vendimi më pas për vrasjen tragjike.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency