Flet ish-kryeministri/ Berisha: Basha ka zgjedhur linjë tjetër për drejtimin e PD-së. S’jam penduar për dorëheqjen

0
126

berisha per vizion plusAnaliza e humbjes te demokratët nuk do ketë koka turku, prurjet e reja janë jetike për PD-në”

Berisha: Reforma territoriale dështoi pa u bërë, nuk preku qarqet, është tërësisht elektorale

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha në një intervistë për emisionin “30 minuta në Vizion Plus”, foli lidhur me reformën territoriale, të cilën e cilësoi si tërësisht elektorale e ndërkohë komentoi edhe situatën brenda Partisë Demokratike.

 

Ju nuk keni qenë pjesë e saj (reforma territoriale), keni vendosur ta bojkotoni deri në fund atë, shpeshherë kemi parë që përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë kanë kërkuar që të ketë konsensus për këtë çështje dhe nuk është se nuk e kanë mbështetur mazhorancën në këtë reformë. Thirrjet karshi jush kanë qenë të vazhdueshme.

Së pari, ne nuk jemi pjesë, sepse mazhoranca nuk pranoi atë rregull që ka funksionuar 23 vjet rresht, për këto reforma, që janë bërë në bashkëpunim të plotë pozitë-opozitë me të drejtë vetoje dhe zotim se shumica nuk do të përdorë votat për të imponuar modelin.

 

Ju dhanë veton…

S’ka asnjë vlerë ajo, është kot. Së dyti, apriori nuk mund të ishim dakord me mostrën e tyre. Ata sjellin modele në të cilat ia largojnë me dhjetëra kilometra në mos më shumë shërbimin qytetarëve.Së treti, modeli i tyre bazohet në mosnjohjen e Shqipërisë, jo njohjen e Shqipërisë, me mosnjohjen. Nuk kanë parasysh se Shqipëria në një drejtim është vendi i parë në Evropë dhe në këtë drejtim është në lartësinë e saj. Është vendi më malor, se ka kreshta, ka male të pafundme, jo se i ka më të larta. Pra, të hysh këtu dhe të përcaktosh komuna sa në Kosovë do të thotë të marrësh shpatën për të prerë kreshtat e maleve, do të thotë të tallesh, do të thotë bëhesh një Don Kishot.

 

Pikërisht për këtë ju mund të kishit qenë pjesë e komisionit?

Jo, pikërisht për këtë ne do të ishim pjesë e komisionit, por ajo mundësi nuk na u dha, sepse duhej ai format, ai dokument që ka ekzistuar 22 vjet rresht.

 

Komisioni është duke shkuar drejt fundit, korriku ndoshta do të ketë rezultatin përfundimtar, a ju shqetëson në aspektin elektoral juve si opozitë kjo reformë?

Kjo reformë ka vetëm një qëllim atë elektoral, por kjo reformë mbeti në klasë pa u sosur, se kjo reformë nuk preku dot qarqet. Reforma nisi për qarqet. Nëse bëjnë sallatë, le të bëjnë. Ata edhe sallatë mund të bëjnë por ajo nuk ka vlerë.

 

Ju vazhdoni të jeni po aq aktiv në politikë, në Parlament, me po të njëjtin intensitet nganjëherë edhe me shumë se kur ishit kryetar i mazhorancës. Nganjëherë jepni përshtypjen se jeni penduar për atë dorëheqje që dhatë në selinë e PD. Jeni penduar? Nëse do të ktheheshit në atë kohë do të bënit të njëjtin veprim?

Absolutisht të njëjtin veprim dhe as për një sekondë, e vetmja gjë që nuk më ka shkuar ndër mend pendesa për veprimin që kam bërë. Kurse aktiv, pa diskutim. Unë jam njëri politik dhe nga mëngjesi deri në darkë jetoj me politikë. Parlamenti, ndër të gjitha institucionet, është sheshi kryesor i politikës. Pse? Sepse Parlamenti ka përballje. Kudo bëhet politikë, kudo vendoset në institucionet e tjera, po askund nuk është përballja ku qytetari ka shansin dhe mundësinë të dëgjojë dy alternativa. Në këtë kontekst, Parlamenti, po të kthemi që në ditët e para që kam vënë këmbën në të, në vitin ‘91, e deri më sot, unë kam pasur vëmendjen më kryesore në Parlament. Ju mund të merrni të dhënat e diskutimeve. Unë isha Kryeministër, kur dola se isha deputeti që kisha diskutuar më shumë në Parlament.

 

Kjo është pak, por e sigurt. Z. Berisha si po performon z. Basha si lider i PD-së?

Unë mendoj se Basha si lider i opozitës në këta muaj, po e udhëheq Partinë Demokratike, ka përcaktuar një linjë të ndryshme, të re.

 

Të ndryshme nga ju?

Sigurisht, pa diskutim.

 

Edhe pse zërat flasin se jeni në të njëjtën linjë në fakt…

Në fakt, ne diskutojmë, por linja është e kryetarit dhe jo e imja, sepse unë nuk jam kryetar dhe çdo gjë mund të thotë kush, por kryetar nuk jam. Mendoj se po ecet drejt një procesi të analizës dhe ripërtëritjes së PD-së, zgjedhjeve…

 

Po bëhet në fakt analiza siç duhet?

Në fakt, po bëhet, por problemi është se shqiptarët e kemi këtë problemin e “kokës së turkut” nuk na ndahet neve. Mirëpo ne jemi parti e qendrës së djathtë, se kemi me koka turku. Shumë njerëz kanë dëshirë të shohin koka të prera por ne nuk jemi ajo forcë politike, jemi forcë e vlerave.

 

Duhet të marrin përgjegjësi ata që gabojnë. Ju morët përgjegjësinë më të madhe dhe u duk sikur përgjegjësinë e morët vetëm ju?

Dakord, por ne jemi forcë e vlerave. Ne bazohemi mbi vlerat dhe vlerat nuk janë hakmarrje, vlerat nuk janë gjaku i shtrigave, vlerat janë tjetër, janë tolerancë, janë mirëkuptim, ja do të bëhen zgjedhjet, do të vlerësohen dhe analiza po bëhet ne çdo seksion dhe kryetari ishte i pranishëm në një seksion në Durrës në analizën që u bë. Partia po ecën. Grupi parlamentar i PD, është grupi me nivelin më të lartë që ka patur ndonjëherë kjo parti. Në këtë grup ke mbi 20 e ca asistentë profesorë e sipër. Nga pikëpamja e potencialit e ka të jashtëzakonshme dhe ky grup, po i jep tonin. Ju dëgjoni aty diskutime të shkëlqyera. Pra unë shoh PD të vendosur në misionin e saj.

 

Shohim një PD që ka edhe shumë prurje të reja brenda saj, ju si i shikoni prurjet e reja?

Në fakt i shoh si risinë më pozitive.

 

Po arrin z, Basha të amortizojë pakënaqësitë e brendshme që lindin edhe kur vjen një lider i ri?

Ajo që mund të them unë është kjo. Interesi i çdo demokrati në çdo nivel është që PD të ketë prurje të reja sa më shumë. Zoti Basha, ndërkohë ka shtruar moton “në Partinë Demokratike të bashkuar me të gjitha elementët e saj”, pra nuk po ecet në PD me prurjen e disave dhe përjashtimin e disa të tjerëve. Jo, përkundrazi. Por prurja është jetike për PD për të dalë në horizontin që duam.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency