Kërcënime dhe presione 33-vjeçares për lidhje, pranga grekut Mario Dimopoulos

0
146

dpI ktheu jetën në ferr, duke i kufizuar lirinë me presionet e vazhdueshme për t’u lidhur. Kjo është historia e trishtë e një 33-vjeçareje, e cila u shndërrua në subjektin kryesor të fiksimeve të një shtetasi grek. Pas gjashtë muajsh hetimesh Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar arrestin e shtetasit grek Mario Dimopoulos. Padia është bërë nga 33-vjeçarja, pas insistimit dhe kërcënimeve me jetë për të pranuar një lidhje intime me grekun. E shqetësuar dhe e pafuqishme përballë “paranojës” së Mario Dimopoulos, 33-vjeçarja është paraqitur pranë organit të akuzës për të kallëzuar njeriun që po e turbullonte nga ana psikologjike. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se 33-vjeçarja ka pasur njohje të vjetër me grekun, ndërsa ka sqaruar se prej një viti ky person i është vënë nga pas, duke u shfaqur në çdo cep ku ndodhej ajo. Shqetësime të vazhdueshme në celular, fjalë fyese dhe kanosje të herë pas hershme, të gjitha për ta detyruar që të bëhej e tija. Ajo ka treguar se greku nuk pranon dot refuzimin nga ajo dhe ndjehej e frikësuar nga kjo situatë. E reja nuk po mundej dot të lëvizte e lirë pa pasur nga pas hijen e shtetasit grek, i cili e ndiqte kudo. E trembur për jetën e saj nga kërcënimet dhe e paaftë për të përballuar presionet, 33-vjeçarja e ka paditur Mario Dimopoulos për përndjekje dhe kanosje. Nga ana e organit të akuzës kanë nisur hetimet dhe nga përgjimi i bisedave telefonike është zbuluar fiksimi që ka shtetasi grek për shqiptaren. Me anë të veprimeve të tij ai i ka shkaktuar 33-vjeçares stres dhe shqetësim psikologjik, duke e mbajtur gjithë kohës në gjendje tensioni dhe frike për jetën e saj. Pas 6 muaj nga padia e shtetases shqiptare, identiteti i së cilës nuk bëhet me dije për arsye hetimore, prokuroria ka lëshuar urdhër-arrestin për Mario Dimopoulos.

 

Arrestimi

Paraditen e djeshme forca të policisë të komisariatit numër 3 kanë mundur që të gjurmojnë dhe arrestojnë shtetasin grek. Sipas të dhënave të bluve, Mario Dimopoulos është prangosur në afërsi të Ministrisë së Drejtësisë dhe nuk ka bërë rezistencë. Ai është shoqëruar në komisariatin e policisë, ku dhe është marrë në pyetje nga ana e oficerëve. Para bluve Mario Dimopoulos ka pranuar çdo veprim që ka bërë ndaj 33-vjeçares. Ai ka rrëfyer se është i dashuruar me shtetasen shqiptare dhe me të është njohur kohë më përpara. Sipas të arrestuarit të dy bashkë kanë pasur komunikime të mëparshme, por jo lidhje dashurie. “Unë nuk kam dashur në asnjë moment që t’i bëj keq asaj. Por jam i dashuruar me të dhe e dua. Jam fiksuar pas saj dhe dua që ta kem timen. Dua të kem lidhje me të, por ajo nuk më pranon duke më refuzuar. Por e përsëris edhe një herë në asnjë moment nuk kam dashur që t’i bëj keq por vetëm të më pranojë dhe të lidhemi bashkë”, – mësohet se ka rrëfyer para oficerëve të policisë Mario Dimopoulos. Burime bëjnë me dije se shtetasi grek e ka kërcënuar 33-vjeçaren shqiptare duke i thënë se nëse nuk pranonte lidhje me të, ai do t’i merrte jetën. Në ngarkim të grekut është ngritur akuza e përndjekjes dhe kanosjes dhe pritet që pas tre ditësh ai të ulet pas kafazit të hekurt të gjykatës, ku do të njihet me dosjen e prokurorisë dhe masën e sigurisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency