Vlorë/ Prokuroria kundër Gjykatës, apelon vendimin ndaj ish-përgjegjësve të INUV  

0
156

Anxhela Tato

gjykata e vloresAkuza, Ruzhdi Zeneli dhe Mario Kalus shpërdoruan detyrën, duke lejuar ndërtimin e 65 moleve të vogla në Radhimë

 Dosja mbërriti në janar, Gjykata e pushoi në mars, me argumentin se kishte kaluar afati pa e marrë në shqyrtim

 Prokuroria apelon vendimin e pushimit të çështjes ndaj dy ish-përgjegjësve të INUV Vlorë, të cilët duke shpërdoruar detyrën lejuan ndërtimin e mbi 65 moleve të vogla. Sipas organit të akuzës, togat, pa kaluar në shqyrtim kërkesën për gjykim, e pushuan me argumentin se kishte skaduar afati. Pushimi i saj ndodh në mars të këtij viti, ndërsa Prokuroria e Vlorës e kishte nisur kërkesën për gjykim që në janar. Vendimin e vet Gjykata e argumenton me faktin se kishin kaluar afatet, ndërsa akuza detyrohet të kryejë apelim të vendimit të gjyqësorit të Shkallës së Parë të Vlorës. Dosja përmban abuzimin me ndërtimin e paligjshëm të të paktën 65 moleve të vogla në zonën Radhimë-Orikum, ndërsa nën akuzë janë Ruzhdi Zeneli dhe Mario Kalus, dy personat që, sipas Prokurorisë, janë gjetur përgjegjës dhe që janë qenë pjesë e INUV-it në kohën e ndërtimeve të tyre. Kështu, Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim dy ish-përgjegjës të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Vlorës.

 

Hetimi

Dy ish-zyrtarët Ruzhdi Zeneli, 48 vjeç, dhe Mario Kalus, 43 vjeç, të dy banues në Vlorë, akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë vepruar për prishjen e 65 moleve të paligjshme në zonën e Radhimës. Zeneli dhe Kalus kanë ushtruar detyrën e përgjegjësit në INUV në Vlorë në vitet 2010-2013. Hetimi i këtyre dy ish-zyrtarëve ka ardhur pas kallëzimit të bërë nga Agjencia Rajonale e Mjedisit në Vlorë. Gjatë muajit qershor 2012, nga Agjencia Rajonale Mjedisore (ARM) Vlorë janë konstatuar në zonën e Radhimës dhe Vlorës rreth 65 mole të vegjël, të përbërë nga materiale inerte, të hedhura nga persona, të cilët për ARM nuk ishin të identifikuar, me qëllimin e dukshëm të shfrytëzimit për përfitime materiale. Këto mole janë krijuar pranë lokaleve të ndryshme që veprojnë në këtë zonë. Sipas Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjatë hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore në drejtim të përgjegjësisë së punonjësve që kanë pasur për kompetencë dhe detyrë që të kryenin veprimet përkatëse në rastet e mësipërme, si dhe në drejtim të personave që i kanë kryer punimet për krijimin e moleve të mësipërme. “Nga dokumentacioni i administruar nga Agjensia Rajonale e Mjedisit të Qarkut Vlorë, rezulton se prej këtij Institucioni për periudhën 2010 deri në muajin Qershor të vitit 2012 janë vendosur 39 gjoba administrative ndaj subjekteve te ndryshme për hedhje te inerteve në det, dëmtim të bregdetit apo ndotje bregdetare, nëntë prej të cilave janë vendosur në vitin 2012. Me shkresë dt. 8.6.2012 të ARM Vlorë është informuar Inspektorati i Mjedisit se nga kontrollet në vijën bregdetare janë konstatuar 21 raste të ndërtimit të moleve, të cilat janë nga rastet për të cilat është dërguar referim penal nga ana e policisë gjyqësore.

 

Korrespondenca

Ekzistojnë një sërë korrespondencash të ARM Vlorë me institucione të ndryshme si, Inspektorati i Mjedisit pranë Ministrisë së Mjedisit, bashkitë dhe komunat e vijës bregdetare të Qarkut Vlorë, prefektit të Qarkut Vlorë, si dhe Drejtorisë së Policisë së Vlorës. Në këto shkresa janë vënë në dukje hedhjet e ndryshme të inerteve në vijën bregdetare dhe iu kërkohen këtyre Institucioneve marrja e masave për mbrojtjen e zonës bregdetare. Me shkresën dt. 10.2.2012, shkresë me lëndën “kallëzim” ARM Vlorë i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, duke vënë në dukje se në rastet e konstatimeve të moleve që nuk është bërë e mundur të identifikohet autori i tyre kanë njoftuar me shkresë me qëllim gjetjen e autorëve, por nuk kanë marrë përgjigje lidhur me këto raste. Gjithashtu, me shkresën dt. 4.4.2011 ARM Vlorë i drejtohet INUK Dega Vlorë si dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, duke i vënë në dijeni se në zonën bregdetare Vlorë-Orikum vazhdojnë hedhjet në det të inerteve dhe gurëve me qëllim për të krijua mole, plazhe artificiale në det dhe në bregun e detit, pa qenë të pajisur me ndonjë lejë nga organet kompetente”, – thuhet në njoftimin e policisë lidhur me hetimin e Prokurorisë.

 

Tiranë/ Zbardhet mekanizmi i grabitjes së punishtes së metaleve, pyeten në polici 12 persona

 Policia shoqëron 12 persona për grabitjen e ndodhur mesditën e të martës në punishten e përpunimit të metaleve në Marikaj. Burime të policisë bëjnë me dije detaje të reja rreth ngjarjes, kur dy persona me skafandra motori në kokë i kanë drejtuar pistoletën rojës së armatosur të punishtes duke e detyruar t’i çojë te zyra e financës. Nuk ka pasur konfrontim fizik dhe as të shtëna, ndërsa sipas policisë shuma e grabitur është 2 milionë lekë të reja. Autorët kishin ardhur nga drejtimi i Shijakut tek punishtja. Ata kanë kaluar herën e parë për të parë situatën në oborr dhe pastaj janë kthyer dhe kanë kërcënuar rojën. Pasi kanë marrë paratë nga zyra e financës në katin e parë, dy grabitësit kanë hipur sërish në motorin tyre me ngjyrë të zezë dhe një shirit të kuq dhe janë larguar sërish në drejtim të Shijakut. Policia dyshon se bëhet fjalë për një grup grabitësish me motor që kanë kryer të paktën 5 grabitje të tilla në Tiranë dhe Durrës. Janë marrë pamjet filmike të kamerës kryesore, ndërsa një kamera që ndodhej më afër hyrjes për në zyrën e financës nuk ka funksionuar. Ndërsa një grup ekspertësh të policisë kanë sekuestruar pamjet filmike të të gjitha kamerave të sigurisë në bizneset privat të Marikajt në rrugën që çon për në Shijak. Ky ka qenë rasti i dytë i plaçkitjes së pronarit të punishtes, duke i shtuar rastin e disa viteve më parë kur u grabit nga një grup që përdorte skemën e shpimit të gomave të makinave të personave që grabitnin.

 

Policia/ Shkarkohen nga detyra 5 efektivë të lartë, mes tyre Tonin Voci dhe Artan Cuku

Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka firmosur lirimin nga detyra edhe të 5 drejtuesve të lartë me gradën “Drejtues i parë”. Detyra aktuale që mbanin ishte “specialistë koordinimi në Drejtorinë e Studimeve Strategjike në DPPSH”. Sipas Burimeve zyrtare nga policia e bëhet me dije nga detyra janë liruar: 1. Tonin Voci ish-drejtor i krimeve të renda në DPPSH (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit); 2. Astrit Halili ish drejtor i standardeve profesionale; 3. Arjan Bozhgaj ish-drejtor i policisë në Fier; 4. Nikolin Bala ish drejtor i operacionales në DPPSH dhe Artan Cuku ish drejtor i policisë së Qarkut Vlorë. Motivacioni i lirimit “shkurtim funksioni organik dhe pamundësi emërimi në një detyrë tjetër” neni 57 pika 2 germa b e ligjit për Policinë e Shtetit. Sipas urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi ndaj këtyre punonjësve të policisë ndërpriten marrëdhëniet financiare që nga data 1 qershor 2014. Lirimet fundit janë në kuadër të ristrukturimit të Policisë së Shtetit, ku burime të brendshme bëjnë me dije se lirimet nga policia të ish-drejtuesve të lartë nga vitit 2005-2013 do të vijojnë në ditët në vazhdim.

 

Korçë/ Makina del nga rruga, aksidentohen 2 persona

 Një aksident rrugor me pasojë plagosjen dy personave është shënuar pasditen e djeshme në aksin Korçë-Pogradec. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 8:00, kur ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Podgorije dhe më pas është përmbysur disa herë mjeti me targa KO 0606 A, me drejtues mjeti G. H., rreth 40 vjeç dhe pasagjere bashkëshortja e tij T. G., 35 vjeç. Për pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë drejtuesi i mjetit dhe bashkëshortja e tij, të cilët janë dërguar me urgjencë në spitalin e Pogradecit, ku ndodhen nën kujdesin intensive të bluzave të bardha. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

 

Lezhë/ Vetëvrasja pas shkarkimit nga detyra, Prokuroria merr në pyetje gruan e Mark Brahimajt

 Prokuroria e Lezhës, me nisjen e hetimeve për shkakun e vetëvrasjes së Mark Brahimajt, merr në pyetje familjarët e tij. Sipas prokurorisë, për llogari të dosjes hetimore, hetuesit kanë marr dhe administruar dëshminë e bashkëshortes së Brahimajt dhe të afërmve të tij. Këto dëshmi janë bërë pjesë e fashikullit të dosjes, ku të afërmit kanë treguar se Mark Brahimaj që pas largimit nga detyra kishte filluar të shprehte shqetësime. Sipas tyre, në disa raste ai ndihej si person i pavlerë, pasi pas 25 vitesh punë ishte larguar pa ndonjë motiv. Ndërkohë, bashkëshortja, sipas akuzës, ka treguar se kohët e fundit bëhej shumë nervozë dhe kërcënonte se do të vriste drejtorin ose vetën, pasi ndihej i nëpërkëmbur për largimin nga puna. Nga ana tjetër, hetuesit mësohet se kanë bërë gati flet-thirrjen për Petrit Gjonin drejtorin e Bordit të Kullimit të Lezhës, që ka në varësi Hidrovorin e Tales nga ku është larguar Brahimaj nga puna. Gjithashtu, përveç Gjonit prokuroria tha se do të thërras dhe marr në pyetje edhe kolegët e Brahimajt, për t’i pyetur në lidhje me shqetësimet që ai kishte pas largimit nga detyra. Ndërkohë, mësohet se prokuroria e Lezhës, ka kërkuar nga administrata e Bordit të Kullimit t’i vë në dispozicion të gjithë praktikën e punës së Brahimajt si dhe urdhrat e lirimit nga detyra dhe emërimin në vend të tij të një personi tjetër. Hetuesit thanë, se do të verifikohen nëse ka element të shpërdorimit të detyrës për praktikën e ndjekur të shkarkimit dhe emërimit të pompistit në Hidrovorin e Tales. Brahimaj sipas akuzës, i dha fund jetës me çifte sepse gjendja e tij psikologjike ishte tepër e rende pas vendimit të lirimit nga detyra. Hetuesit thanë se dosja është regjistruar për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes” të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, që parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vjet burg.

 

Kapshticë/ Sekuestrohen 500 gr heroinë, pranga 2 femrave

 Sekuestrohen 500 gramë heroinë në Kapshticë. Ditën e djeshme Sektori kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve të Paligjshme finalizoi me sukses operacionin e koduar “Pritja” dhe u arrestuan dy femra. Bëhet fjalë për Eleni Xhafa, 47 vjeçe, dhe Andonia Valera, 44 vjeç, banuese të dyja në Korçë. Dy transportueset e drogës ishin duke udhëtuar me mjetin “Ford Focus” me targa greke EE320. Ndërkohë, ndalimi i tyre u bë në pikën kufitare të Kapshticës. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, Eleni Xhafat iu gjeten të fshehura në pjesën e trupit dy paka të mbështjella me natriban, të dyshuar si heroinë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se të përfshirë në këtë aktivitet kriminal janë dhe dy persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Bëhet me dije nga policia se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet dhe dy aparate celularë. Ndërkohë, policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapen e dy personave të shpallur në kërkim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency