Ish-punonjësit, letër komisionerit Stefan Füle: Eja na tako!

0
122

stefan fyle 2Ish-punonjësit kërkojnë një zgjidhe nga komisioneri Stefan Füle, pasi qeveria nuk ka pranuar t’i dëgjojë dhe i kanë kërkuar që qeveria të zbatojë vendimet e gjykatave për rikthimin në punë

 Ish-punonjësit e larguar nga puna i kanë dërguar një letër komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Füle, ku i kërkojnë të zhvillojnë një takim gjatë vizitës së tij në Tiranë ditën e sotme. Në letrën drejtuar komisionerit Füle, kërkohet që ai të vizitojë çadrat ku po zhvillohet greva e urisë për të gjetur një zgjidhje, si dhe të ndërhyjë dhe të negociojë me tre përfaqësues të Shoqatës së të Larguarve nga Puna. Ish-punonjësit kërkojnë një zgjidhje nga komisioneri Stefan Füle, pasi qeveria nuk ka pranuar t’i dëgjojë dhe i kanë kërkuar atij që qeveria të zbatojë vendimet e gjykatave për rikthimin në punë.

 

“Rama të reflektojë”

Dita e 14-të e grevës së urisë i ka gjetur ish-punonjësit e larguar nga puna në një gjendje të rëndë. “Kanë filluar dhimbje të forta të barkut dhe stomakut që nuk janë shfaqur më përpara dhe tani po shfaqen, janë gradat e fundit. Jemi detyruar disa herë për t’i çuar grevistët me urgjencë në spital, 3-4 herë në ditë, pasi kanë pasur kriza të forta stomaku. Nata ka kaluar me pak probleme, por jo me urgjenca në spitale, shpresojmë që edhe ditën e sotme të mos kemi probleme. Disa nga kolegët tanë u detyruan ta linin grevën, njëra është shtruar në spital për infeksion në tëmth, kurse tjetri me pneumoni, sëmundje që janë marrë nga kushtet e vështira se ku po jetojnë këta njerëz në krevate mbi bar, në lagështirë, në uri. I bëj thirrje Kryeministrit t’u përgjigjet këtyre njerëzve që po vuajnë për një kauzë të drejtë. Të vijë t’i takojë këta njerëz, të vijë të dialogojë me ta, sepse ata janë qytetarë të këtij vendi dhe një Kryeministër e ka për detyrë t’i përgjigjet popullit të vet”, – u shpreh kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga Puna, Nertila Qafzezi. Po dje, Qafzezi i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama që të reflektojë dhe të pranojë të bisedojë me grevistët. “Çdokush nga ne, përpara se të hynim në grevë, ishte i vendosur. Të gjithë grevistët janë të vendosur që ta vazhdojmë kauzën tonë të drejtë deri sat ë kemi fuqi dhe të zgjidhim këtë çështje. Nuk kemi pasur asnjë reagim nga ndërkombëtarët, kjo ishte edhe më e dhimbshme. Ndonëse në Krah të Kryeministrisë ndodhen disa çadra askush nuk po i sheh. Jemi tepër të revoltuat dhe të mërzitur nga ky fakt, askush nuk është kujtuar për ne. Unë kam bërë një thirrje që kushdo ti bashkohet grevës sonë. Nuk e di nëse do ketë të tjerë, por ne jemi në grahmat e fundit të rezistencës së sonë. Ne do ti qëndrojmë deri në fund, derisa trisoli dhe uji të na mbajë gjallë. Kauza është e drejtë dhe askush nuk duhet ta nënvlerësojë”, – u shpreh Nertila Qafzezi.

 

Greva e ish-të përndjekurve, sëmundjet kronike rëndojnë gjendjen shëndetësore

Ish-të përndjekurit politikë kanë hyrë dje në ditën e 7-të, të grevës së urisë. Gjendja shëndetësore sa vjen dhe përkeqësohet kjo për shkak dhe të moshës së thyer që kanë të gjithë grevistët. Për të kundërshtuar grevën, një tjetër grup ish-të përndjekurish politikë kanë zhvilluar ditën e djeshme një takim me ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Në këtë grup nuk kishte asnjë nga pjesëmarrësit që janë në grevë urie. “Ne nuk kemi çuar asnjë përfaqësi në takim. Ta harrojnë se do të dëmtojë këtë grevë. Ne jemi të vendosur për ta vazhduar, nuk jemi futur as për Ramën dhe as për Berishën. Kërkesat tona janë të qarta. Ne jemi të pathyeshëm, të drejtat tona do fitojnë. Ministri të flasë direkt me ne dhe nëse kjo nuk do ndodhë, greva vazhdon”, – tha drejtuesi i grevës Fatmir Hoxha. Pak ditë më parë, ministri Veliaj premtoi një takim me ish-të përndjekurit që janë në grevë urie, por deri dje nuk ka zhvilluar asnjë takim me ta.

 

Kërkesat e ish-të përndjekurve politikë

 

– Dëmshpërblim për të gjithë ata që kanë statusin e të përndjekurit politik brenda 2 viteve

– Shtimin në dëmshpërblim të internimit

– Rikthim në administratë të gjithë fëmijëve dhe të ish të përndjekurve që janë larguar nga puna.

– Të dënohet figura e kriminelit Enver Hoxha dhe të dali jashtë ligjit Partia Komuniste pasi ajo përbën një rrezik të madh për Shqipërinë

– Të rihapen dosjet që kanë mbetur pezull në Ministrinë e Drejtësisë, si pasojë e burokracisë dhe urrejtjeve klasore që ka politika shqiptare.

 

Kujtim Kaziu tenton të vetëdigjet për herë të tretë

Pavarësisht se Kryeministri Edi Rama i premtoi një punë, Kujtim Kaziu pa vazhdon të endet nëpër dyert e çdo institucioni për t’u punësuar. Dy ditë më parë ai shkoi te zyrat e Postës në Durrës, por askush nuk pranoi t’i ofronte një vend pune. Kjo bëri që Kujtim Kaziu të tentonte të vetëdigjej para zyrave të Postës, por u ndal nga disa kalimtarë të rastit. Atij iu gjetën rreth 0.5 litra benzinë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency