Alban Bushi: Miqësoret, provë e rëndësishme për kombëtaren

0
143

Ish-futbollisti kuqezi u shpreh se këto miqësore duhen fituar, për vetë faktin se shërbejnë si një provë mjaft e mirë para ndeshjeve eliminatore për Euro 2016

alban bushi Shqipëria sfidon këtë të mërkurë Hungarinë në një miqësore të rëndësishme para eliminatoreve për Evropianin e 2016-ës. Një turne nga i cili pritet shumë nga djemtë e De Biazit. Miqësorja e parë ndaj Rumanisë nuk ka rezultuar pozitive. Shqipëria ka humbur miqësoren e parë, të luajtur në Zvicër me rezultatin 1-0. Në një ndeshje të barabartë, edhe pse të një niveli jo të lartë, kuqezinjtë rezistuan deri në minutën e 83-të, kur gabuan dhe pësuan golin e vetëm të takimit. Gafa e Lilës pasohet nga mbrojtësit e tjerë dhe veterani rumun Rat arrin të çojë topin në rrjetën që deri në ato momente ishte mbrojtur në mënyrën më të mirë të mundshme nga Berisha. Kjo humbje thellon akoma më tepër epërsinë që ka Rumania në përballjet me ne, pasi aktualisht ka 11 fitore në 16 takime që kemi luajtur bashkë. Ndërsa tashmë kombëtarja shqiptare ka lënë pas miqësoren me Rumaninë dhe përgatitet për një tjetër miqësore të rëndësishme, atë me Hungarinë. Nga Budapesti, menaxheri i përfaqësueses shqiptare, Alban Bushi, bën një analizë të gjendjes së ekipit, i cili duhet të lërë pas lodhjen fizike të sezonit, por edhe udhëtimin e gjatë. “Gjendja e ekipit është e mirë, futbollistët janë pak të lodhur nga udhëtimi dhe ndeshja me Rumaninë. Nuk duhet të harrojmë që jemi në fund të sezonit, por e rëndësishme është që nuk ka dëmtime”. Ndaj Hungarisë nuk priten shumë ndryshime në formacion, pavarësisht se së fundmi janë bashkuar me ekipin mbrojtësit Mavraj dhe Hysaj. Alban Bushi shprehet se formacioni nuk pritet të ndryshojë shumë, edhe për faktin se ndaj Rumanisë u morën sinjale pozitive. “Nuk do të ketë shumë ndryshime në formacion pavarësisht se është një miqësore. Këto ndeshje vlejnë për të përgatitur më së miri sfidën me Portugalinë. Ndaj Rumanisë pamë gabimet tona, por aty nuk kishim shumë freski fizike, megjithatë në përgjithësi miqësorja ishte pozitive”. Në përgjithësi në ndeshjet miqësore, ajo që kërkohet më shumë, është kolaudimi i grupit sesa rezultati. Megjithatë, menaxheri i kuqezinjve Alban Bushi mendon se një ekip i vogël si Shqipëria duhet të fitojë ndeshjet miqësore për të fituar përvojën e nevojshme. “Fitorja kërkohet me ngulm. Ne jemi ekip i vogël dhe duhet të fitojmë të gjitha miqësoret, sepse vlejnë për moral. Çdo futbollist duhet të japë maksimumin, në mënyrë që të mësohet me fitoren”, – shprehet ish-futbollisti. Sfidës, ndërkohë, do t’i mungojë një lojtar i rëndësishëm i kuqezinjve. Bëhet fjalë për Lorik Canën. Kjo, pasi mbrojtësi që aktivizohet te Lacio, do të martohet. Futbollisti kosovar ka vendosur kështu që t’i japë fund jetës prej beqari, duke kaluar në një hap të rëndësishëm në jetën e tij personale. Mësohet se lojtari i ka kërkuar leje teknikut De Biazi që të kryejë edhe ceremoninë e martesës, ndërkohë që në vendin e tij do të jetë Mavraj, i cili rikthehet në kombëtare.

 

Silva: Nejmari, ylli i Botërorit

Tiago Silva beson se Nejmari do të jetë ylli i këtij Kampionati Botëror. 21-vjeçari nuk ka pasur sezon të mirë me Barcelonën, megjithatë sa herë që ka luajtur me kombëtaren e tij ka bërë paraqitje të mira. Edhe pse në Brazil 2014 do të jenë dy futbollistët më të mirë në botë, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, Silva e ka mbështetur bashkëkombësin e tij për të shkëlqyer. “Fuqia jonë ka qenë gjithmonë kualiteti i përbashkët. Jemi të mirë si skuadër, jemi të gatshëm dhe shpresojmë të luajmë mirë në Botëror. Por, pa dyshim se Nejmari është një triumf i individualitetit. Nejmari do të jetë ylli i Kampionatit Botëror”, – ka deklaruar mbrojtësi i PSG-së.

 

Lambert transferohet te Liverpuli, Moreno afër

Liverpuli ka kompletuar transferimin e Riki Lambertit nga Sauthemptoni. Sulmuesi anglez, i cili i ka kryer ekzaminimet mjekësore ditën e shtunë, kalon në “Anfield” për një shumë prej 9 milionë paund. Lambert tashmë gjendet në Majami si pjesë e përgatitjeve për Kampionatin Botëror, ku i ka edhe bashkëlojtarët e rinj, si Steven Xherard, Xhordan Henderson, Glen Xhonson, Daniel Starrixh dhe Rahim Sterling. “Nuk mund ta besoj. E kam dashur këtë klub gjatë gjithë jetës. U largova nga këtu para 17 vitesh dhe nuk kam ndalur së dashuri”, – ka deklaruar Lambert. Ai vjen nga Akademia e Liverpulit, megjithatë asnjëherë nuk është paraqitur në ekipin kryesor, pasi është larguar në vitin 1997, duke luajtur për klube të ndryshme gjatë karrierës. Ndërkohë që Alberto Moreno është në bisedime të avancuara me Liverpulin. Sipas Mirror, redsat kanë gati 20 milionë euro për futbollistin spanjoll. 21-vjeçari nuk është përfshirë në skuadrën e Spanjës që do të luajë në Kampionatin Botëror, kështu që nuk ka probleme rreth kompletimit të transferimit. Sevilja ka refuzuar ofertën e Liverpulit që përfshinte edhe sulmuesin Suso, dhe e ka bërë të qartë se për Morenon, klubi anglez duhet ta paguajë shumën totale prej 16.2 milionë paund.

 

Bejl: Sezonin tjetër, edhe më i fortë

Gareth Bejl ka paralajmëruar se do të luajë shumë më mirë në edicionin e ardhshëm. Uellsiani ka bërë paraqitje solide qëkur kaloi në “Santiago Bernabeu” në verën e kaluar dhe i ndihmoi ekipit ta fitonte Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve. “Jam shumë i lumtur te Reali i Madridit dhe në sezonin e ardhshëm jam i sigurt se do të jem më i mirë. Në edicionin e ri dua ta rifitoj Ligën e Kampionëve, për t’u bërë skuadra e parë që e ka fituar radhazi”, – ka deklaruar Bejl. Në sezonin 2013/2014. Bejl shënoi 22 gola dhe bëri 16 asistime në 44 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

 

Lëv: Ozil do të shkëlqejë

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Hoakim Lëv, beson se Mesut Ozil do të performojë me potencialin e tij maksimal në Kampionatin Botëror. Mesfushori i Arsenalit ishte zhgënjyes në barazimin 2-2 ndaj Kamerunit, mirëpo trajneri ka kërkuar durim për rikthimin e tij. “Mesut Ozil nuk pati një ditë të mirë”, – ka thënë Lëv para gazetarëve. “Ai ka nevojë edhe për dy javë, pastaj do ta shohim një Mesut të fortë në Kampionatin Botëror”, – ka shtuar strategu gjerman. Gjermania bën gara në grupin G, së bashku me Portugalinë, Ganën dhe SHBA-në.

 

Kompani: Belgjika do të bëjë zhurmë

Kapiteni belg, Vinsent Kompani, beson se përfaqësuesja e tij do të lërë përshtypje të mirë në Kampionatin Botëror. Në ndeshjen miqësore kundër Suedisë, belgët fituan me rezultat 2-0 në një paraqitje mjaft bindëse. “E rëndësishme është se treguam momente klasi dhe të gjithë mund të luajnë. Përgatitjet po shkojnë mirë. Njerëzit duhet ta dinë se jemi stërvitur shumë. Tashmë kemi edhe dy javë përgatitje para ndeshjes së parë të Kampionatit Botëror”, – ka deklaruar Kompani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency