INTEGRIMI NË BE/ Meta: Vetëm kur ka konsensus me opozitën  

0
129

Florenc Drizari

meta-forumi-integ_30.5.14-1Kryeministri Rama: Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat, nuk diskutohet. Besoj shumë sot se sa ç’ka nevojë Shqipëria për BE-në, ka nevojë BE për Shqipërinë dhe sa ç’ka nevojë Ballkani për BE-në ka nevojë BE për Ballkanin”

 Konferenca për “Përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së” nxori në pah rolin e opozitës në proceset integruese të vendit si një faktor rëndësishëm jo vetëm në monitorimin e veprimtarisë së qeverisë, por edhe të kontributeve reale si një alternativë ndryshme nga shumica parlamentare. Aktualisht mes pozitës dhe opozitës ka një klimë të tensionuar për sa i përket të drejtës së pakicës për të ngritur komisione parlamentare, çështja e kompetencave të institucioneve të pavarura etj., paçka se në dukje konsensusi nuk mungon nga të dyja palët për proceset integruese. Opozita nuk është bërë pjesë e disa komisioneve parlamentare të ngritura nga mazhoranca, kujtojmë komisionin e posaçëm për reformën administrativo-territoriale, ka braktisur punimet në komisionin për “verifikimin e akuzave ndaj drogës”, si dhe vijon të mbajë një qëndrim të kushtëzuar me mazhorancën, ku shpesh herë nuk merr pjesë në proceset e votimeve, ndërsa për çështjen e integrimit të vendit, ka pohuar se do të mbështesë çdo nismë që i shërben vendit. Ndërkaq, gjatë konferencës së djeshme për përafrimin e legjislacionit me BE-në, Kryeparlamentari Ilir Meta foli për rolin e opozitës si një faktor i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Meta tha se përvoja e suksesshme e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore tregon se objektivi i aderimit në Bashkimin Evropian mund të arrihet vetëm kur ka konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, në çështjet kryesore dhe për një periudhë afatgjatë. “Integrimi në Bashkimin Evropian është një qëllim kombëtar dhe asnjë forcë politike nuk duhet të pengojë në arritjen e këtij objektivi madhor. Përkundrazi duhet të shtojë kontributet në mënyrë që ky proces të përshpejtohet. Aderimi në Bashkimin Evropian duhet të shihet si një përpjekje e përbashkët për të ecur përpara së bashku dhe si një proces i cili është dobiprurës për të gjithë ne qytetarët e këtij vendi”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Në këtë takim mori pjesë e Kryeministri Edi Rama, i cili mbajti një fjalim të shkurtër duke thënë se Shqipëria jo vetëm që meriton marrjen e Statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, por dhe Bashkimit Evropian i duhet Shqipëria dhe Ballkani për të luftuar krimin e organizuar.

“Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat, nuk diskutohet. Besoj shumë sot se sa çka nevojë Shqipëria për BE-në, ka nevojë BE për Shqipërinë dhe sa çka nevojë Ballkani për BE-në ka nevojë BE për Ballkanin. Të mos harrojmë për asnjë moment se të gjitha sfidat që sot kanë sjellë rritjen e disa forcave të padëshiruara në BE janë sfida që përballohen më mirë së bashku sesa veç e veç. Në radhë të parë sfida e sigurisë, kundër krimit të organizuar. Le ta pranojmë se krimi i organizuar është shumë më i bashkuar sesa Evropa e bashkuar. S’ka burokraci, nuk ka komision, nuk ka procese që e pengojnë për tu integruar. Është kaq i globalizuar sa sot është e pamundur të gjesh një organizatë kriminale me një nënshtetësi”, – tha Rama.

 

Nasip Naço

 Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço në konferencën e djeshme tha se në përgjigje të 5 prioriteteve kyçe të identifikuara nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian 2013, dhe me qëllim avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Qeveria ndërmori një sërë hapash dhe masa konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë është marrë angazhimi për hartimin e një ‘UDHËRRËFYESI’, i cili zbërthen në një set masash me hapa dhe përgjegjësi të qarta për çdo institucion, të gjitha detyrimet për përmbushjen e 5 prioriteteve”, – tha z. Naço.

 

Klajda Gjosha

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha theksoi se përafrimi i legjislacionit të brendshëm luan rol të qenësishëm gjatë negociatave të anëtarësimit. “Me përjashtim të kushtëzimit politik dhe Kapitullit 23, një pjesë e madhe e procesit të anëtarësimit ka të bëjë me përafrimin e ligjeve dhe negocimin e dispozitave kalimtare për aplikimin e të drejtës së BE-së. Përafrimi mbulon acquis të BE-së në tërësinë e vet; pra, bëhet fjalë për qindra akte normative si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian”, – tha znj. Gjosha.

 

220 milionë dollarë/ Nënshkruhet marrëveshja me Bankën Botërore, Rama: Asnjë lek për biznesin

Qeveria shqiptare nënshkroi dje një marrëveshje huaje prej 220 milionë dollarësh me Bankën Botërore. Kryeministri Rama e cilësoi këtë nisjen e një marrëdhënieje të re me partnerët ndërkombëtarë.

“Ky është një moment i fillimit të ri të një vendi që po lë pas një periudhë tranzicioni në një botë sfidash gjithmonë e më të mëdha. Sot mbyllet një kapitull bashkëpunimi në shumë raste jo sa duhet efektiv me partnerët ndërkombëtarë. Përmes nënshkrimit hapet faqja e një kapitulli të ri bashkëpunimi shumë më i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”.

Duke iu referuar marrëveshjes me FMN-në, Rama tha se edhe kjo marrëveshje është produkt i një pune që shkon përtej qeverisë sonë.

“Jemi të shtyrë drejt sfidës së një ndërveprimi shumë herë më intensiv me shtete, aktorë shoqërorë dhe shumë grupe interesi. Ne patëm një mbledhje të këshillit ekonomiko tregtar që ka në grupin e vetë një grup ekspertësh të nivelit të lartë botëror. Kënaqësi dhe krenari të dëgjonim nga goja e tyre vlerësime shumë të larta për marrëveshjen e nënshkruar së fundmi. Morëm shumë përgëzime dhe lëvdata. Ashtu si atë ditë, ajo marrëveshje dhe kjo janë produkt i një pune që shkon përtej qeverisë. Ne kemi një meritë të vetme për të cilën jam krenar është se kemi arritur të krijojmë një frymë skuadre dhe formë të re bashkëpunimi”, – shtoi Kryeministri.

Sipas kryeministrit, kjo hua do t’i japë frymëmarrje ekonomisë shqiptare. “Do na japë mundësinë të frenojmë hemorragjinë e madhe ku e gjetëm organizmin e vendit por edhe mundësinë për të rritur ekonominë tonë”, – tha ai më tej. Në fund të fjalës së tij Rama iu drejtuar biznesmenëve të pranishëm në këtë aktivitet edhe me batuat të tipit se këto para të marra nga Banka Botërore nuk janë për ata, por sipas Kryeministrit vlen edhe shprehja që është mirë edhe kur lekët “nuk janë në xhepin tat”. Ndërsa në fjalën e saj, zv.presidentja e Bankës Botërore, Laura Tuck tha se marrëveshja financiare e nënshkruar tregon angazhimin e BB-së në Shqipëri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency