Thirrje palëve politike/ Ambasadorët e BE-së: Mungesa e dialogut dëmton integrimin, duhet bashkëpunim

0
138

Gëzim Saliu

 “Shqipëria do të ishte më afër Bashkimit Evropian, nëse polarizimi i shoqërisë do të ishte eliminuar”

tomasovaAmbasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë bënë thirrje ndaj klasës politike në vend, duke kërkuar bashkëpunim dhe fokusim tek prioriteti i integrimit. Duke folur në një takim me studentët, në Qendrën e Bashkimit Evropian në Shkodër, Ambasadorja çeke, Branislava Tomasova, tha dje se polarizimi i shoqërisë është një shenjë dobësie që dobëson procesin e integrimit. “Jemi në dijeni, që Komisioni Evropian po punon për një raport, që do të dalë në Qershor, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë politik. Polarizimi i shoqërisë është një shenjë dobësie, sepse ky fenomen dobëson procesin e integrimit dhe përpjekjet që bën Shqipëria në procesin e integrimit. Shqipëria do të ishte patjetër më afër Bashkimit Evropian, nëse polarizimi i shoqërisë do ishte eliminuar”, tha ambasadorja. Më tej, Tomasova bëri të ditur se në çdo vend demokratik, sigurisht që ka opozitë dhe mazhorancë dhe është e vërtetë sipas saj që mes tyre ka disa elementë, subjekte që përbëjnë edhe pikën e kundërshtisë së fortë,: “por gjithashtu ka dhe shumë fusha, që qeveria dhe opozita bashkëpunojnë. Kjo frymë bashkëpunimi i nevojitet edhe Shqipërisë. Duhet që politikanët të përfaqësojnë interesat e vendit, në radhë të parë, dhe për këtë është e nevojshme një ndjenjë bashkëpunimi më e fortë”.

 

Ambasadori italian dhe polak

Ndërkaq, ambasadori italian Massimo Gaiani, duke komentuar protestat dhe grevat në Tiranë pas një ceremonie me ministren e Kulturës për Fototekën “Marubi” në Shkodër tha se shpreson në një zgjidhje të situatës. “Ne presim një zgjidhje të gjithçkaje që po ndodh, jemi në favor të dialogut, në favor të një pune të përbashkët dhe duhet të ketë një objektiv prioritar për të gjitha partitë, për integrimin e Shqipërisë. Gjithçka duhet e fokusuar te ky objektiv. Është një fazë diskutimi, Komisioni do vlerësojë aspektet teknike, që u diskutuan nga takimi i fundit për statusin dhe do jenë ata, që do bëjnë vlerësimin. Zgjidhja e mirë është që, të gjitha partitë politike të fokusojnë prioritetet tek integrimi”, – pohoi Gaiani. Të njëjtin mesazh me homologët ka përcjellë edhe Ambasadori polak nga Korça. “Më duket që se shpejti do të kemi një rast tjetër të mirë për të bashkëpunuar. Rruga e integrimit evropian është dialogu mes BE-së dhe Shqipërisë. Deri tani janë zhvilluar dy takime dhe shpresojmë që takimi tjetër të jetë një hapje shumë e rëndësishme për realizimin e aspiratave të Shqipërisë”, – u shpreh Jeziorski

 

Hetimi i negociatorëve të paktit detar?/ Tritan Shehu: Rast unik në diplomacinë demokratike në botë, “shaka” pa kripë e Bushatit

Ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu e ka cilësuar “një shaka pa kripë” dhe një mesash negativ diplomatik ndaj Greqisë deklaratën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati lidhur me paktin detar me Greqinë. Sipas Shehut, kërkesa e ministrit për hetimin e negociatorëve të paktit përbën një sindromë të së kaluarës komuniste. “Habi e thellë nga deklarata e djeshme e ministrit Bushati. Kolegu im deklaron se ajo Ministri denoncon në Prokurori firmëtarët e marrëveshjes së ujërave detare me Greqinë, pra ish Ministrin tonë të Jashtëm. Një rast i tillë është unik në historinë e diplomacive demokratike në botë. Është sindroma e të kaluarës, e “grupeve armiqësore, tradhtarëve” etj. Rikujtoni pak proceset e montuara të kohës së Enverit. Është gjithashtu dhe “një shaka” pa kripë. Diktatura ka vdekur përfundimisht. Është mungesë profesionalizmi në të gjitha planet. Në fakt ky është një mesazh negativ diplomatik edhe ndaj Greqisë”, – shkruante Shehu në reagimin e tij në rrjetin social “FB”. Më tej ai i bëri një vërejtje miqësore ministrit të jashtëm Bushati, ku pohoi: “duhet të jemi shumë më të kujdesshëm dhe më seriozë veçanërisht në nivelet e politikës sonë të jashtme. Kjo ka rëndësi për të ndihmuar edhe në marrjen e Statusit “kandidat” në qershor”. Dy ditë më parë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshëm që të hapë hetimin për negociatorët e paktit detar me Greqinë të rrëzuar në 26 janar 2010 nga Gjykata Kushtetuese.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency