Greva e ish-të përndjekurve/ Kërkesë qeverisë: Mbani premtimet për dëmshpërblimin

0
140

Gëzim Saliu

greva e te perndjekurve te pd maj 2014Shfaqen problemet e para për grevistët, Bedrie Bozazhiu largohet nga çadra, luhatje tensioni

Në ditën e dytë të grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë u shfaqën dje problemet e para që lidhen më së shumti me luhatjet e tensionit, stomakun apo edhe diabetin. Një prej pjesëmarrësve në grevë, Bedrie Bozaxhiu, është detyruarar të largohet nga çadra e vendosur në pedonalen përballë Parlamentit, për shkak të problemeve me tensionin dhe është dërguar me ambulancë në spital. Por pavarësisht problemeve, ish-të përndjekurit kanë bërë të qartë se nuk do të largohen nga greva pa u plotësuar më parë kërkesat e tyre që kanë të bëjnë kryesisht me dëmshpërblimin brenda 2 viteve si edhe dënimin e figurës së Enver Hoxha e nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Komuniste. “Ne marrim një sinjal, që fëmijët tanë do të vuajnë ashtu siç kemi vuajtur ne, pa shkolla. Është një lajm i errët,ogur zi. Për të bërë dhe fëmijët tanë atë që na kanë bërë ne në komunizëm. Të festohet festa e dëshmorëve, nuk jemi kundër, po mos të provokohet me fotografinë e diktatorit”, – tha dje një prej ish-të përndjekurve.

 

Situata

Sipas koordinatorit të ish-të përndjekurve të përfshirë në grevë urie, gjendja shëndetësore ka ardhur duke u rënduar. “Situata ka ardhur duke u rënduar, pasi bëhet fjalë për persona që kanë bërë burg, dhe vuajnë nga sëmundjet kronike. Por mashtrimi i radhës është i ministrit Beqaj, që thotë se shëndetësia është falas, pasi ne nuk po marrim asnjë shërbim falas, as një ambulancë nuk kemi këtu të na vizitojë”, – tha ai. Më tej, Hoxha bëri të ditur se deri tani në grevë janë 17 persona, por sipas tij, pritet që të shtohet numri nga ish-të përndjekur të tjerë që kanë bërë të ditur pjesëmarrjen e tyre nga rrethet e ndryshme të vendit. Ndërkohë pyetjes se kujt i adresohet kjo grevë urie, Hoxha ka deklaruar se greva i drejtohet Institutit të të Përndjekurve Politikë, i cili mbështet dhe kauzën e tyre, ndërsa nga Parlamenti presin reagime. “I bëjmë thirrje Kryeministrit që të mbajë pretimet, nëse është burrë. Nuk duam të rrëzojmë qeverinë. Duam të drejtat tona. Ne përqafojmë të gjitha ato familje që kanë statusin e ish-të burgosur dhe të përndjekurve”, – theksoi ai. Ndërkohë një tjetër pjesëmarrës në grevë theksoi:  “Ne jemi të dënuar politik jo ish, fjalën ish ta mbajnë këta. Turpi i këtyre parlamentarëve që mbajnë fotografinë e Enver Hoxhës aty. Ne na groposën për së gjalli. Unë jam për grevën. Janë kërkesa të domosdoshme, por tepër të vonuara. Statusi i të përndjekurve politikë duhet të jetë i pari. Ne nuk do u ndahemi derisa të na fusin në varr për së gjalli. Ne kemi ndërtuar Shqipërinë, jo këta. Këta kanë nxjerrë ca emra, por deri tani nuk ka marrë asnjë dëmshpërblimin. Ne kërkojmë ato gjëra që na takojnë me ligj”. Ndërkaq në orët e pasdites, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është parë teksa interesohej për gjendjen e ish-të përndjekurve politikë. Por ai ka biseduar me stafin mjekësor që ndodhet pranë grevistëve, por nuk iu është afruar çadrës ku ato po qëndrojnë prej dy ditësh.

 

Debati/ Veliaj: Nuk negociojmë me një ish-SHIK-s. Hoxha: Do kallëzoj penalisht bllokmenin hajdut

 Qeveria bëri të ditur dje përmes ministrit të Mirëqenies Sociale Erion Veliaj se do të hyjë në negociata me grupin e ish-të përndjekurve politikë të futur në grevë urie, por jo me koordinatorin e saj Fatmir Hoxha. Duke bërë të ditur se ishte ngarkuar nga Kryeministri Rama për të negociuar me grevistët, Veliaj akuzoi Hoxhën si ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe se nuk ka bërë asnjë ditë burg në kohën e regjimit komunist. “Jam i hapur për negociata me një nga përfaqësuesit e ish-të përndjekurve, një që i përfaqëson, një prej të cilëve ka bërë burg dhe jo me dikë që pretendon të quhet ish-i përndjekur dhe s’ka bërë asnjë ditë burg, përveç kësaj ka marrë dhe pronat e ish-të përndjekurve. Është shumë e rëndësishme që të bisedoj me një ish-të përndjekur, nuk mund të pranoj të bisedoj për ta me një ish-SHIK-s”, – tha Veliaj. Në kundërpërgjigje, koordinatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve Fatmir Hoxha tha se Kryeministri dhe qeveria e tij akuzat ndaj tij ti depozitojnë në gjykatë nëse kanë fakte. “Ndoqa intervistën e ministrit Veliaj, me neveri hedh poshtë deklaratën e tij. Me ç’kompetenca ky ka hapur dosjen time, do ti bëj kallëzim penal në prokurori. Kanë marrë pjesë në familjet tona,në gjenocidin e familjeve tona. Ne kemi hyrë për një kauzë të madhe, për dëmshpërblimin, për rikthimin në punë të fëmijëve të të përndjekurve politik. Për të denoncuar figurën e Enver Hoxhës me një gjykatë speciale për krimet, sepse këtu është thembra e Akilit. Nuk e dënon dot babain e tij ai, e ka baba shpirtëror. Nëse kanë diçka për mua, le ti drejtohen gjykatave, kjo është demokracia e sotme, sepse ka organe hetimore dhe jo nëpër stacione televizive të hedhësh baltë mbi figurat tona. Sepse kush ma di biografinë mua, janë këto burra këtu, që më njohin këta fisnikë dhe jo ai bllokmen hajdut ordiner”, – tha ai.

 

Ish-aleatët e PS-së në Shkodër/ PMDL: 500 ish-të burgosur do dalin para Parlamentit, jo simboleve të komunizmit

Ish-të përndjekur të tjerë politikë do të nisin protestat para Parlamentit. Në krye të tyre  do të jetë Partia Mendimi i Djathtë Liberal e Shkodrës që për zgjedhjet e 23 qershorit ishte në aleancë me Partinë Socialiste. Pasi akuzuan kryeministrin e vendit për mos përmbushjen e marrëveshjes paraelektorale dhe për rishfaqjen e dendur të simboleve të komunizmit, partia që përfaqëson të drejtat e ish-të përndjekurve pohoi përmes Mustafa Liçit për “ABC News”: “Kur një njeri nuk të respekton marrëveshjen nuk ke çfarë bën më me të. 13 mandate së bashku me aleatët e tjerë që kanë marrë në qeverisjen e vendit pa PS e LSI. Ky person shkeli marrëveshjen sepse e kompletoi Ilir Meta, një njeri që kërkon ringritje të bustit të Enver Hoxhës, diktatorëve të mëparshëm që ne e kemi vujtë në kurriz”. Nga ana tjetër ai bëri të ditur se zhgënjimi më i madh i MDL-së me mazhorancën e majtë, partisë së tretë në Shkodër, ka të bëjë me rishfaqjen e simboleve të diktaturës. “Shumë shpejt do të rreshtohemi përballë kësaj qeverie, jo me kërkesa paresh, por me kërkesa që shkelin moralin tonë, cenojnë plagët tona. Do mblidhemi rreth 500 të burgosur përballë parlamentit shqiptar. Jo falso, por ata që kanë marrë pjesë në revolta. Do të përballen me heronjtë e burgut. Të japin përgjigje, të dënojnë krimet e komunizmit LSI e PS apo jo. Mos të na provokojë nëse është e nevojshme japim dhe gjakun e fundit. Le ta marrin”. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se me këtë protestë nuk do t’i shërbejnë askujt, pasi sipas Liçit, MDL-ja kërkon distancimin nga e kaluara.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency