Intervista/ Ekstremistët në Evropë, Rama: Idiotët e BE-së luftohen ballë për ballë  

0
154

 Intervistoi: Sokol Balla

edi rama ne top story“Në Prokurori ka dosje për zyrtarë të lartë që kanë kërcënuar sigurinë kombëtare”

 Lazarati, Rama: Do ta çrrënjosim drogën si një simbol negativ për Shqipërinë

 Kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi dje se në bazë të hetimeve të komisionit të ngritur vetëm me anëtarët e mazhorancës ka prova se trafikimi i lëndëve narkotike nga ajri ka ndodhur edhe më parë, në kohën e qeverisë së kaluar. Në një intervistë për emisionin “Top Story” në “TCH”, ai komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, çështjen e Lazaratit si edhe zgjedhjet e fundit në Bashkimin Evropian.

 

Akuzat e opozitës i krahasuat me mushkonjat…

Unë kam reaguar ndaj një idiotësie se në Divjakë çdo natë në orën 8 ngriheshin avionët. Dhe unë thashë se mbase janë mushkonjat që duken si avionët. Kjo ka qenë ajo që unë kam thënë dhe i qëndroj akoma.

 

Ka struktura policore dhe ushtarake në këtë trafik?

Nuk dua të jap detaje, por informacioni që unë kam marrë nga komisioni hetimor më ka tronditur për faktin se provat, të cilat unë nuk kam dashur t’i besoj se në Shqipëri mund të kishte trafiqe të tilla, tregonin se kishte një veprimtari të tillë më parë. Kjo ka ndodhur në periudhën kur qeverisnin këta zotërinj që sot me zell të madh bëjnë denoncimet.

 

Sot gazetari i RD-së ka shkruar sërish për trafikun e drogës dhe vazhdon të pretendojë se është kërcënuar me jetë…

Strukturat përkatëse janë interesuar të gjitha për të verifikuar deklaratat e gazetarit dhe është zbuluar se nuk është e vërtetë. Gazetari nuk jep asnjë provë dhe madje edhe numrat nga të cilët ai thotë se ka marrë mesazhe kërcënuese nuk rezultojnë të jenë numra realë.

 

Prokurori i Malit të Zi tha se dy vendet tona janë vende të mëdha transiti. Kur Lazarati do të kthehet në një fshat normal?

Di t’ju them se në 7 muaj janë goditur 870 raste. Unë nuk merrem me simbolika. Nuk merrem as me ato që i shikojnë gjërat nga larg dhe thotë që ç’është ky Lazarat. Ne do të transformojmë Policinë e Shtetit. Ne do ta çrrënjosim drogën si një simbol negativ për Shqipërinë, edhe pse lufta kundër drogës nuk ka përfunduar asgjëkund dhe do të vazhdojë edhe në Shqipëri.

 

Ministri Bushati ka çuar në Prokurori negociatorët e paktit të detit. Pse tani, si kundërsulm ndaj opozitës?

Ne ende nuk kemi para drejtësisë përgjegjës të peshës së rëndë. Shpresoj që Prokuroria të vihet në lëvizje, vazhdoj të shpresoj që do të çojë përpara një sërë çështjesh, që janë publike dhe disa të tjera që nuk janë publike. Çështje që kanë shkuar deri në kërcënim të stabilitetit të vendit dhe sigurisë kombëtare, i ka Prokuroria në tryezë, që implikojnë ministra dhe zyrtarë shumë të lartë të lidhur me majën e piramidës. Për t’u bërë anëtar i BE-së neve na duhen 10 vjet në një proces normal dhe ne duhet ta transformojmë nga rrënjët drejtësinë. Ne do të bëjmë një reformë, nuk kemi mandat të mbyllim sytë përballë gjykatësish që shkelin ditën për diell qytetarët dhe mbi të gjitha ata që i morën frymën këtij vendi.

 

Do të marrim statusin në qershor?

Kur unë thosha në dhjetor që Shqipëria u penalizua nga ekstremistë në vendet anëtare, shumëkush dhe me gjithëfarë mënyrash e përqeshën këtë që thashë unë, ndërsa sot jemi përpara provës, jo vetëm Shqipëria u penalizua, por që nga ana tjetër, vetë BE po penalizohet për shkak të rritjes së këtyre forcave ekstremiste dhe unë kam qenë shumë i hapur me të gjithë ata që kam takuar. Ua kam thënë në sy që rruga e zgjedhur nga disa prej forcave të moderuar për të luftuar me këta idiotë që duan të shkatërrojnë BE, që janë shprehje e tendencave racisite, anti-myslimane, që janë me forcë të prirur që ta refuzojnë dhe përbuzin Shqipërinë dhe gjithë rajonin…

 

Sapo quajtët idiotë 1/3-ën e BE-së?

Nuk më intereson aspak kjo. Nuk kam fjalë tjetër për ta. Unë kam pikëpamjen time dhe kjo është e të gjithë atyre që janë proevropianë. Luftohen ballë për ballë, sy për sy, por duke vënë Evropën në qendër të debatit. Unë kam thënë që 99% e deputetëve në të gjithë parlamentet e BE-së nuk e dinë fare se ç’është statusi i kandidatit dhe nuk dinë dallimin midis statusit dhe negociatave.

Nëse statusi refuzohet sërish, shihni përgjegjësi tek qeveria?

Përgjegjësitë i përcakton Komisioni Evropian, pastaj si zhvillohen të tjerat është për tu parë. Unë kam ndjesi pozitive, ne do shkojmë deri në fund për një proces bindjeje ndaj vendeve anëtare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency