Strategjia e gjobave/ Bumerang Policisë së Shtetit, 22 masa disiplinore për kupolën e Rrugores

0
164

 Anxhela Tato

policia rrugoreAbuzimi me gjobat, ulet në gradë për 3 muaj drejtori i Tiranës dhe pezullohen komandantët e trafikut

 Ndëshkimi për blutë, përjashtohen 13 policë për shkelje të rëndë, 8 punonjës pa pagë për 20 ditë

 Propaganda e suksesshme e gjobave i kthehet në bumerang policisë, e cila ka ndëshkuar 22 efektivë, mes tyre emra të komandantëve të trafikut. Pompoziteti i kësaj reforme, e cila do të kontrollonte në kohë reale çdo gjobë duke shmangur kështu abuzimet nga blutë dhe do të sillte një transparencë për drejtuesit e automjeteve, me sa duket dha frytet e saj të para. Vetë Policia e Shtetit në një njoftim për shtyp ka publikuar se janë marrë masa disiplinore për 22 efektivë, përfshirë këtu vetë drejtuesin e Policisë Rrugore të kryeqytetit, i cili është ulur në gradë. Përveç motivacionit të pezullimit të efektivëve nuk jepen informacione të detajuara për përgjegjësinë e secilit, rastet e evidentuara dhe vlefta financiare e abuzimeve. Madje nga ana e Policisë së Shtetit është tentuar të mbahen të fshehta edhe vetë emrat e të pezulluarve, me arsyetimin se efektivët kanë të drejtën e apelimit të masës disiplinore. Pavarësisht uljes në gradë për një afat 3-mujor, Dritan Bonaj do vijojë të jetë në krye të rrugores për kryeqytetit. Ndërsa nga burime konfidenciale bëhet me dije se emrat e tjerë i përkasin komandantëve të trafikut rrugor Isa Ahmetaj, Ramadan Kopani, Blerim Gjini, Eduart Veli, Taulant Gjoka dhe Ervin Dervishi. Por në asnjë moment nuk sqarohet se kujt i faturohet përgjegjësia për këtë rokadë dhe abuzim, e cila detyroi policinë të “kapërdijë” strategjinë e kontrollit rrugor. “Nga Drejtoria e Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është zhvilluar një inspektim në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në përfundim të të cilit është rekomanduar fillimi i ecurisë disiplinore për shkeljet e konstatuara. Bazuar në rregulloren e Disiplinës nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar hetimi administrativ, në përfundim të të cilit janë ndëshkuar me masë disiplinore 22 punonjës të niveleve të ndryshme të këtij komisariati. Për 13 punonjës është marrë masa disiplinore “Përjashtim nga policia” për shkelje të rënda disiplinore. Ndërkohë për 8 punonjës është marrë masa disiplinore “Pezullim pa pagesë 20 ditë” dhe për 1 punonjës është marrë masa disiplinore “Ulje në gradë 3 muaj”. Bazuar në Rregulloren e Disiplinës së Policisë së Shtetit, punonjësit e ndëshkuar me masë disiplinore kanë të drejtën e animimit”, – thuhet në njoftimin e bluve, duke mos pasuar asnjë shpjegim për dëmin që i është shkaktuar shtetit nga abuzimi si dhe arsyet pse dështoi reforma e gjobitjeve.

 

Reforma

Rokada e fillimit në Policinë e Shtetit hoqi të pakorruptuarit dhe la brenda radhëve të uniformës rrugore pikërisht ata që vijuan me gjoba. Furtuna e shkarkimeve dhe largimeve nga detyra, në pjesën më të madhe të rasteve shkresa pa një motivacion thjesht një urdhër largimi, po japin rezultatet e para. Pikërisht ndodhi që efektivët e ngelur në detyrë iu rikthyen “zakonit” të vjetër duke vënë gjoba pafund në vlera të ndryshme dhe në mungesë të një kontrolli. Ndonëse në momentet e fillimit të fushatës së gjobave pati pafund ankesa, të cilat ranë në vesh të shurdhër. Por ka mjaftuar një inspektim në drejtorinë rrugore për të zbuluar abuzimet dhe gjoba të pabaza. Ende nuk ka një sqarim konkret për vleftën e këtyre gjobave dhe arsye sesi nuk janë kontrolluar në sistem. Pasi një ndër risitë e propagandës së gjobave ishte edhe faqja online e kontrollit rrugor, e cila në pjesën më të madhe të rasteve rezultonte me defekt ose nuk hapej. Si dhe nuk mungonin rastet kur qytetarë ankoheshin se zbulonin gjoba, të cilat realisht nuk i dinin se kur i ishin vënë dhe për çfarë arsye. Por këto ankesa u cilësuan si të pabaza dhe pavërteta, pasi qytetarët kishin mundësinë që të viheshin në dijeni për gjoba dhe nuk mund të ndodhte që një efektiv të guxonte të shkelte ligjit. Por në krye të pak muajve policia ndëshkon efektiv, të cilët mesa duket nuk ndalojnë me strategjinë e gjobitje sipas dëshirës. Pritet që në ditët në vijim nga ana e bluve të ketë informacion më të detajuar për abuzimin me gjobitjen.

 

Operacioni/ Sekuestrohen 100 kg marijuanë, e fshehur në mobilje

 Skuadra e Antidrogës e Policisë së Tiranës ka zbuluar një skemë të trafikimit të drogës duke përdorur si maskim gjatë transportit, mobiliet. Antidroga, ka sekuestruar rreth 100 kg marijuanë, brenda një dollapi që transportohej si mobilie për t’u shitur. Dy persona e arrestuar si pjesë e furnitorëve të grupeve të drogës në Tiranë janë Hysen Hysa, 68 vjeç nga Mati, banues në Kombinat dhe Nard Deliu, 28 vjeç, lindur dhe banues në Nikël të Krujës. Droga fshihej në brendësi të mobilieve dhe transporti i tyre bëhej me një makinë “Volkswagen”. Droga dyshohet se vinte nga zonat e thella të Krujës. Aksioni i antidrogës është kryer në orët e pasdites në rrugën Siri Kodra. Burimet policore bëjnë me dije se operacioni do të vijojë në mbrëmje me kontrolle në banesa.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency