Turqia u tregon vendin vëllezërve të Kosovës  

0
116

Ekipi i drejtuar nga Fatih Terim ka mundur kombëtaren kosovare me rezultatin 1-6, duke i dhënë një leksion të mirë ekipit të sapoformuar

kosova_turqia1-620x315 Një ndeshje miqësore midis vëllezërish. Kështu e kishte komentuar Fatih Terim sfidën midis kombëtares turke dhe asaj kosovare. Kombëtarja më e re në botë u përball dje në një sfidë miqësore përballë skuadrës turke. Diferenca shumë të mëdha për sa u përket të dyja ekipeve. Jo vetëm në aspektin e përvojës, ku kuqebardhët janë më para, por edhe në përbërjen e skuadrës. Ndeshja ishte më shumë një festë, por edhe një mënyrë për t’i treguar trajnerit Bunjaku që i duhet akoma punë që të ndërtojë një ekip të fortë dhe të konsoliduar. Kosovarët e humbën 6-1 sfidën me Turqinë, duke u shfaqur e vogël përballë kundërshtarëve të mëdhenj. Një ekip i ri që i duhet akoma shumë punë edhe për sa i përket tifozerisë që akoma nuk duket se është konsoliduar. Sfida nis me mjaft emocione dhe me një parullë në nder të minatorëve që humbën jetën në Turqi. Ndeshja do të ndizej shumë shpejt ku direkt pa mbaruar minuta e parë do të vinte edhe goli nga miqtë. Do të ishte Ozek ai që do të mposhtte portierin kosovar duke çuar skuadrën e tij në avantazh. Pas golit pritej një lëvizje nga skuadra kosovare, por ajo dukej shumë e paqartë në lojën e saj dhe pa ide. Në më shumë se një rast u nevojit ndërhyrja e Mushicës për të shmangur golin e dytë që ishte i paevitueshëm në të 33-ën kur Kisa realizoi me një goditje fantastike nga distanca, që parapriu më pas golin historik të Bunjakut. Stadiumi “Adem Jashari” në kor filloi të kërkonte fitoren, por me kalimin e minutave skuadra e Bunjakut u shua dalëngadalë përpara Turqisë, që vetëm katër minuta nga starti i pjesës së dytë realizoi dhe të tretin me lojtarin e Beshktiashit, Sahan. Në të minutën e 54-të bëri festë dhe Pektemek që shënoi dhe të katërtin pas një pasigurie të Mushicës, që u bë pjesë e naivitetit të mbrojtjes së formacionit të Bunjakut. Kosova u përpoq të gjente dhe ajo rrjetën dhe ia doli në të 60-ën, vetëm se Nushi goditi atë të jashtmen. Në të 70-ën, vendasit morën dhe një shuplakë miqësore nga Bektemek që realizoi dhe të pestin. Gjithsesi golat nuk kishin mbaruar ende për Turqinë që shënoi nga pika e bardhë me Potuk. Një gol i gjashtë që duket se i dha goditjen finales ekipit të ri. Një sfidë që më shumë se sa një festë ishte një mësim se për të ecur në të ardhmen dhe për të qenë kompetitiv. Pavarësisht se Turqia ka një ekip shumë të fortë kjo humbje duket se ka shkundur bardheblutë që do të shfaqen më të rrezikshëm në miqësoret e së ardhmes dhe do të prodhojnë më shumë lojë.

 

 Myler: Kam marrëdhënie shumë të mirë me Van Galin

Tomas Myler ka pranuar se ai ka një raport të veçantë me Luis van Galin. Për sulmuesin e Bajernit ka disa kohë që është spekuluar se është një ndër objektivat primarë të holandezit për ringritjen e Mançester Junajtidit. Një zë që duket se do të bëhet më i fortë tashmë me ardhjen e Van Galit te “djajtë”. “Nuk është sekret që unë dhe Luis van Gal kemi një lidhje që shkon përtej raportit normal mes një trajneri dhe një futbollisti”, – tha Myler për “Bild”, kur u pyet për trajnerin e ri të Junajtidit. Mirëpo 24-vjeçari nxitoi të nënvizonte se ai është i lumtur në Bavari dhe nuk po mendon për t’u transferuar. “Kam një kontratë deri në vitin 2017 me Bajernin e Mynihut dhe unë me të vërtetë që kënaqem duke luajtur për këtë skuadër. Mendoj se nuk ka gjë më të mirë se kjo”. Gjermani luajti një rol vendimtar në “Allianz Arena” për fitimin e dy titujve kampion dhe Kupës në sezonin që sapo përfundoi, duke shënuar 13 gola në 31 prezenca në Bundesliga.

 

Lam: Në Brazil për triumf

Kapiteni i “pancerave” Filip Lam, thotë se lojtarët e kombëtares nuk duhet të mbajnë inate dhe ego, nëse duan ta fitojnë Kampionatin Botëror. “Duhet ta kërkojmë titullin. Duhet të marrim parasysh vetëm një gjë, talentin dhe egon e secilit individ duhet t’i shërbejë skuadrës. Nuk dua që të përfundojmë në gjysmëfinale ose të shkojmë në Brazil për të marrë diell. Unë kam objektiv të qartë që është suksesi më i madh i mundshëm është trofeu i Kupës së Botës. Duhet të angazhohemi sidomos në mbrojtje, sepse kemi pësuar shumë gola dhe kemi lejuar shumë raste”, – ka deklaruar bavarezi për të përditshmen “Bild”.

 

Figo :Ronaldos i duhet Botërori për t’u bërë legjendë

Luis Figo mendon se Kristiano Ronaldo duhet ta fitojë Kampionatin Botëror për të hyrën në listën e futbollistëve të mëdhenj. Mbi këtë fakt ish-lojtari madrilen u shpreh: “Nëse dëshiron të të mbajnë mend si të tillë në Kampionatet Botërore, duhet ta fitosh. Që të mbahesh mend si një nga më të mëdhenjtë, mendoj se është me rëndësi që të luash mirë në Kampionatin Botëror. Nëse e bën këtë në një vend të vogël si Portugalia, kjo ndihmon. A është ai lojtari më i mirë portugez? Sipas mendimit tim, askush nuk është mbi Eusebion, por ndoshta Ronaldo do të thyejë disa rekorde dhe pa dyshim që do të mbahet mend. Portugalia varet shumë nga Kristiano Ronaldo, prandaj gjithçka do të varet nëse ai është në formë ose jo, si edhe nga performanca e tij në Kampionatin Botëror. Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë aktualisht. Mendoj se dëshiron ta fitojë Topin e Artë. Ai ka pasur një sezon fantastik dhe për Portugalinë është numër 1”, – ka deklaruar Figo.

 

Morientes: Alonso, mungesë e madhe e Realit në Champions

Fernando Morientes beson se Ksavi Alonso do të jetë një mungesë e madhe në finalen e Ligës së Kampioneve. Mesfushori spanjoll mori karton të kuq në ndeshjen kthyese gjysmëfinale kundër Bajernit të Mynihut, kështu që nuk do të luajë të shtunën kundër Atletiko Madridit. “Ai i ofron skuadrës së tij një baraspeshë të mirë dhe ka qenë forca e tyre shtytëse. Është një lojtar aq i rëndësishëm, prandaj Madridit do t’i mungojë shumë”, – ka deklaruar Morientes për “Fifa.com”. Ish-futbollisti spanjoll ka thënë më tej se Kristiano Ronaldo dhe Diego Kosta do ta kenë fjalën në finale. Megjithatë, dy futbollistët kryesorë të skuadrave rivale ende nuk janë të sigurt për ndeshjen e 24 majit.

 

Huanfran: Zemra ime i përket Atletiko Madridit

Huanfran e ka falënderuar Realin e Madridit që e ka zhvilluar si lojtar, porse është i lumtur që tani mbron ngjyrat e Atletiko Madridit. Mbrojtësi spanjoll vjen nga akademia e galaktikëve dhe ka bërë gjashtë paraqitje në La Liga me “mbretërit”, para se të shkonte te Osasuna, më pas të huazohej te Espanjoli dhe në fund të nënshkruante për bardhekuqtë. “I jam mirënjohës Madridit për vitet që kam kaluar atje, për mënyrën si më kanë trajtuar dhe stërvitur, por tashmë jam lojtar i Atletikos dhe jam i vetëdijshëm se po i mbaj ngjyrat më të mira. Kuptohet se ndeshjet ndaj Realit të Madridit janë ndryshe, janë më speciale, por ajo çfarë po mendoj për momentin një fitore për Atletikon. E kaluara është pas meje”, – ka theksuar mbrojtësi madrilen.

 

Juventusi, afër nënshkrimit të Nanit dhe Evrasë

Në Torino është kohë pune intensive. Pak ditë pasi festuan titullin e 30-të kampion në Itali, krerët e Juventusit nuk kanë ndërmend që të pushojnë. Sot, në ambientet e klubit, do të mbahet një tjetër mbledhje, ku nuk do të flitet më për të ardhmen e Antonio Kontes, por për atë të ekipit. Marota dhe vetë tekniku, në prani të disa drejtuesve të tjerë, do të përcaktojnë objektivët e merkatos. Edhe pse deri më tani bardhezinjtë janë mjaft pranë disa lojtarëve, “Zonja e Vjetër” është e sigurt për mbërritjen e Luis Nanit. Portugezi i Junajtidit thuhet se do të zgjedhë Juventusin, që i ofron një kontratë 4-vjeçare me 4 milionë euro për sezon, ndërkohë që drejt mbylljes pritet të jetë edhe transferimi i Evrasë, i cili do të përfitojë 2.5 milionë euro në vit.

 

Ramos: Favorit, Atletiko

Serxho Ramos mendon se favoritë për të triumfuar në finalen e Lisbonës janë kampionët e Spanjës, Ateltiko Madrid. Kur jemi vetëm tri ditë larg finales së madhe të Ligës së Kampioneve, mbrojtësi i “Los Blancos” ka habitur të gjithë duke e ndier veten inferior para kushërinjve bardhekuq. “E vlerësoni ju shtypi se cila është skuadra që ka më tepër shanse, por Atletiko është favorit në këndvështrimin tim. Kjo nuk do të thotë se ata do të fitojnë. Do të jetë një ndeshje shumë e balancuar dhe e luftuar. Jemi kaq shumë pranë shndërrimit në skuadrën më të fortë të Evropës pas kaq shumë vitesh dhe kjo është me të vërtetë emocionuese si për ne futbollistët, ashtu edhe për tifozët. Kemi përvojën për ta përballuar presionin e fitores së La Decima-s”, – u shpreh qendërmbrojtësi andaluzian, duke treguar me gisht nga kapiteni Iker Kasijas.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency