Përgatiti: Sonila Mesareja
Hetimi: Gruaja ka përdorur një ilaç të marrë në farmaci që të shkaktonte abort. Tabulatet telefonike zbardhin ngjarjen, kapet ndërsa po ia mbathte për në Shqipëri
Një nënë e re shqiptare, vetëm 21 vjeçe, ka provokuar lindje të parakohshme dhe ka mbytur foshnjën e saj në muajin e shtatë të shtatzanisë. Fillimisht ajo njoftoi për abort spontan, por mjekët kanë nisur të dyshojnë nga dëshmia e parë dhënë nga gruaja. Ata e kanë gjetur foshnjën e sapolindur në një vaskë me ujë, ndërsa kanë konstatuar plagë në trupin e saj. Menjëherë kanë njoftuar policinë dhe ka nisur hetimi për zbardhjen e këtij rasti. Nga dëshmitë dhe transkiptet e tabulateve telefonike është zbuluar se gruaja ka marrë një ilaç në farmaci, duke provokuar kontraksione, çka ka sjellë edhe lindjen prematurë të fëmijës në muajin e 7-të. Pra, rezultoi se aborti është provokuar nga 21-vjeçarja shqiptare, e cila e kishte shtatzaninë e dytë atë të këtyre muajve. Gruaja është marrë disa herë në pyetje gjatë këtyre ditëve dhe duket presioni i policisë dhe frika se do zbulohej e vërteta bënë që ajo të tentonte të arratisej drejt vendit të saj të origjinës, Shqipërisë. Policia nuk e bën të ditur identitetin e 21-vjeçares, por vetëm origjinën e saj, ndërsa shton se ajo tashmë ndodhet në burgun e Monzës, në seksionin e grave, në pritje të marrjes në pyetje nga grupi hetimor. Vetëm pas disa ditësh, hetuesit do mësojnë shkaqet që e çuan nënën e re të provokojë lindje të parakohshme dhe të mbysë me vetëdije foshnjën e saj të seksit femër.
Arrestimi
Ishte duke u arratisur për në Shqipëri por u arrestua në kohë nga autoritetet e policisë së Busto Arsizio-s në Varese. Një nënë e re shqiptare, lehonë, rezulton të ketë provokuar një lindje të parakohshme dhe më pas ta ketë mbytur fëmijën e saj. Gjithçka u zbardh nga autopsia, ndërsa nëna e re 21-vjeçare mendoi se kishte mundur t’ua hidhte karabinierëve me dëshminë e saj. Akuza që rëndon ndaj saj është ajo e vrasjes së fëmijës, duke e lindur para kohe, pas konsumimit të ilaçit dhe më pas e ka mbytur në ujë foshnjen e saj të seksit femër.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur në orët e natës së datës 25 prill, ndërsa pritet që në ditët në vijim, e reja të merret në pyetje nga hetuesit në burgun e Monzës. Pas një njoftimi në numrin 118, mjekët kanë shkuar me urgjencë në familjen e një çifti shqiptar, të cilët kanë deklaruar se po ndodhte një abort spontan. Dukej sikur foshnja kishte dalë me lindje natyrale në ujë. Por, versionet nuk korrespondonin. Aty, trupi i pajetë i fëmijës së sapolindur ishte mbuluar nga uji. Nga dëshmia e gruas, e cila e kishte shtatzaninë e dytë, mjekët nuk kanë dalë të bindur dhe për këtë arsye kanë njoftuar menjëherë karabinierët dhe drejtuesin e tyre Marco Tubiolo. Ndër të tjera, emigrantja shqiptare kishte deklaruar se mendoi se ishte një javët e para të shtatzanisë dhe se prej pak ditësh kishte kuptuar që ishte shtatëzanë. Ajo ka deklaruar se ka ndjerë një dhimbje të fortë barku dhe më pas ka ndodhur lindja e parakohshme e fëmijës.
Zbulimi
Gjatë hetimeve janë dëgjuar shumë dëshmitarë dhe janë përgjuar mjaft biseda telefonike, nga ku është hedhur dyshimi se gruaja ka konsumuar një ilaç të marrë në farmaci, i cili i ka shkaktuar kontraksione të shumta derisa ka ndodhur dalja e fetusit, edhe pse në një stad të avancuar të shtatzanisë. Dhe, duke qenë se gruaja është marrë disa herë në pyetje për këtë fakt, ajo ka menduar t’i shpëtojë situatës duke u kthyer në vendin e saj të origjinës në Shqipëri, duke u arratisur. Por, karabinierët kanë ndërhyrë në kohë, duke i vënë prangat.
Reagimi
Mediat italiane kanë trajtuar gjerë jo vetëm ngjarjen, pra provokimin e lindjes së parakohshme të fëmijës dhe mbytjen e saj, por edhe mënyrën e përdorur nga 21-vjeçarja. Madje, ata trajtojnë shitjen e ilaçeve në farmaci për shkaktimin e një aborti, si të sugjeruar nga mjekë të ndryshëm dhe i pakontrolluar prej tyre, ndërkohë që nëpër spitale ofrohet edhe aborti anonim. Mediat apelojnë për më tepër kontroll në sugjerimin apo shitjen e këtyre mjekimeve, të cilat mund të përdoren pa kriter edhe nga femra në këtë stad të shtatzanisë.
Durrës/ Kapen me drogë e armë, arrestohen 3 persona
Tre persona janë vënë në pranga dje në qytetin e Durrësit, pasi u kapën me armë e drogë. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se antidroga e qytetit bregdetar ka arrestuar në flagrancë, pasi u ka gjetur armë dhe drogë me vete tre të rinj nga Durrësi, konkretisht Orges Mona, 28 vjeç; Madrit Mona, 19 vjeç; Roland Tafa, 34 vjeç. Efektivët e sektorit kundër narkotikëve, në kuadër të operacionit “Ëeekend-3”, sekuestruan 170 doza heroinë, 5 gramë marijuanë, një pistoletë tip Berreta e kalibrit 7.65 mm, një krehër me 7 fishek luftarak, një maskë të zezë, një bajonetë 35 cm dhe një peshore elektronike. Nga hetimet paraprake dyshohet se droga ishte për shtije në qytetin e Durrësit, ndërsa të arrestuarit dyshohen si një kontigjent që merret me shitjen e lëndëve narkotike në qytetin bregdetar. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për të zbuluar furnizuesit e të rinjve, pasi posedonin një sasi të konsiderueshme droge të llojit heroinë.