Erdogani dhe fatkeqësia e minierës

0
114

minieraFatkeqësia më e rëndë e minierës në Turqi prej dekadash e rrit presionin politik ndaj Erdoganit. Qeverinë e akuzojnë se është bashkëfajtore në vdekjen e 200 minatorëve në Soma të Turqisë Perëndimore.

 Që gjatë kërkimit të të mbijetuarve dhe të vrarëve në fatkeqësinë e minierës në Soma u aktivizuan kritikët e Kryeministrit. Parti opozitare dhe sindikatat thirrën në shumë qytete në të gjithë Turqinë manifestime kundër qeverisë. Nxënës dhe studentë në shumë pjesë të vendit u hodhën në grevë. Fjala “masakër” ndaj minatorëve në Soma filloi të qarkullonte – këtë fjalë e bëri pjesë të diskutimit sindikata e majtë DISK. Qeveria e Erdoganit shpalli një zi treditore dhe dërgoi në Soma ministrin e Energjisë, Taner Yildiz, për të koordinuar masat e shpëtimit. Por ministri nuk pati mundësi të bënte gjë tjetër, veçse të shpallte vazhdimisht numrin në rritje të viktimave. “Shpresat tona po shuhen”, – pranoi ai në mëngjes. Vetë Erdogani sinjalizoi praninë e tij gjatë ditës në Soma.

 

Kërkesa për hetim refuzohet

Kritika kryesore ndaj qeverisë është se i la pas dore kontrollet e sipërmarrjeve të minierave në kuadër të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore vitet e kaluara. Veç kësaj, numri i kontrollorëve shtetërore në miniera nuk mjafton. Kësaj i shtohet që partia e Erdoganit, AKP e kishte refuzuar vetëm dy javë më parë një kërkesë të opozitës për hetimin e mangësive të sigurisë në minierën e Somas. Që prej shtatorit 2012, sipas të dhënave të kundërshtarëve të qeverisë e kanë humbur jetën në zjarre nën tokë 22 vetë.

Dhe tani, qeveria e Erdoganit duhet të dëgjojë kritikën se ka vënë në lojë jetën dhe shëndetin e punonjësve, duke ndjekur një politikë të njëanshme pro punëdhënësve. Ministri i Energjisë, Yildiz e pati inspektuar personalisht vitin e kaluar minierën e fatkeqësisë dhe pati lëvduar investimet atje në sisteme të shtrenjta sigurie në dobi të punëtorëve – por ato nuk mjaftuan. “Në fakt, puna është e tillë”, – shkroi të mërkurën (14.5.2014) kolumnisti i njohur Murat Yetkin në botimin në internet të gazetës “Radikal”:” Qeveria refuzoi t’i marrë seriozisht të gjitha paralajmërimet për minierën e Somas dhe punonjësit paguajnë tani çmimin”.

 

Disa manifestime të kujtojnë protestat në Sheshin Gezi

Numri i përgjithshëm i viktimave në fund pritet të arrijë 350-400 vetë, tha deputeti Hasan Ören nga partia opozitare CHP, që përfaqëson në parlament rajonin rreth Somas. Me këto shifra, kjo është katastrofa më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në miniera në historinë e Turqisë. Në vitin 1992, në Zonguldak në bregdetin e Detit të Zi e humbën jetën 262 vetë.

Në mediet sociale u dëgjua thirrja për dorëheqjen e ministrit përkatës të qeverisë së Erdoganit. Disa prej manifestimeve spontane të kujtonin protestat antiqeveritare në Sheshin Gezi, vitin e kaluar. Në lagjen e biznesit Levent studentë dhe demonstrues protestuan me flamuj të zinj para përfaqësisë së pronarit të minierës Soma-Holding. “Vrasës” shkruan ata me ngjyrë të kuqe në mure.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency