Ngjarja e Divjakës/ Basha: Rama të dorëhiqet, droga me mbështetje dhe leje qeveritare përbën fundin  

0
111

Gëzim Saliu

 Kreu i PD-së: Protesta të pandalshme popullore për të ndalur kthimin e vendit në kartel droge

basha ne deklarate per protestaDuke ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që të marrin pjesë në protestën e së enjtes kundër qeverisë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha dje se Shqipëria nuk mund të qeveriset nga një ekzekutiv i bërë njësh me trafikun e drogës. Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kryeopozitari theksoi se kërkesa kryesore e PD-së pas rastit të ndodhur në plazhin e Divjakës me avionin e drogës është dorëheqja e Kryeministrit Rama. “Populli shqiptar nuk pranon të qeveriset as nga një qeveri kukull e krimit të organizuar, as nga një qeveri e bërë njësh me narkotrafikun. Populli shqiptar nuk pranon t’ia dorëzojë sovranitetin dhe qeverisjen e tij botës së errët të trafikut kombëtar e ndërkombëtar të drogës. Populli shqiptar nuk mund të pranojë në asnjë mënyrë shndërrimin e vendit në një kartel të drogës. Qytetarët shqiptarë janë gati të ngrihen dhe të luftojnë pa kursyer asgjë për lirinë dhe sovranitetin. Të ngrihemi në protestë, më të vendosur se kurrë, për luftuar e ndaluar kursin kriminal, antipopullor dhe antievropian të oligarkisë së drogës. Të ngrihemi në këmbë, më të bashkuar se kurrë, për ta çuar në shtëpi qeverinë e narkotrafikut dhe mashtrimit në kurriz të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre”, – pohoi kreu i PD-së.

 

Reagimi

Sipas kreut të demokratëve, faktet e ngjarjes së Divjakës u kombinuan në atë mënyrë që nuk lanë asnjë shteg për të vazhduar, sipas tij, mazhoranca lojën e mohimit dhe talljes për trafikun e drogës. “Avioni i drogës u ra në prehër. Droga u mbeti në derë. Edi Rama duhej të kishte folur me dorëheqjen e tij. Dorëheqja do të ishte i vetmi akt që do ta nxirrte qeverinë jashtë skandalit, që do të tregonte se narkotrafiku nga toka, deti dhe ajri ka marrë këto përmasa të jashtëzakonshme ngaqë qeveria është e paaftë, por jo se ka dorë vetë në të. Dorëheqja e qeverisë do të ishte ngushëllimi dhe mesazhi i domosdoshëm i shpresës në këtë ditë të zezë për publikun shqiptar, i cili është përligjshëm i skandalizuar dhe i alarmuar me këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Për fat të keq Kryeministri nuk foli me dorëheqje”, – tha Basha. Më tej, ai tha se Partia Demokratike, opozita akuzon Kryeministrin dhe kupolën e tij për implikim të drejtpërdrejtë në fshehjen e skandalit të narkotrafikut nga Shqipëria. “Si opozita e vendit, ne jemi përballur në beteja të vazhdueshme politike me këtë qeveri. Jemi përballur me mashtrimet e saj të mëdha, me arrogancën dhe arbitraritetin e saj karakteristik, me shkeljen prej saj të konsensusit dhe kushtetutës, me reprezaljen e saj në administratë, me moszbatimin prej saj të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, me orekset e saj për pushtete që nuk i takojnë, me politikat e saj të gabuara ekonomike që vetëm e kanë thelluar varfërinë dhe papunësinë në vend, por kjo e drogës dhe narkotrafikut me mbështetje dhe leje qeveritare nuk është një betejë midis opozitës dhe qeverisë, si ato që renditëm me lart. Ky është fundi”, – deklaroi kreu i PD-së. Nga ana tjetër, Basha bëri të ditur se drejtësia po heton për këtë çështje dhe se PD dhe opozita në tërësi i ka ofruar gjithë mbështetjen. “Ajo do ta thotë fjalën e vet në lidhje me përgjegjësitë penale të gjithsecilit. Por përgjegjësia politike e Edi Ramës dhe qeverisë së tij për këtë që ka ndodhur është sot evidente, në dritë të diellit, për çdo shqiptar. Partia Demokratike dhe mbarë opozita kërkojnë sot dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Rama. As më shumë, as më pak. Dorëheqja e kësaj qeverie është imperativi i ditës për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica, për të ndaluar revanshin ogurzi të narkotrafikut dhe krimit, për të zhbllokuar jetën demokratike dhe procesin e integrimit të vendit në Evropë”, – theksoi kreu i demokratëve dhe opozitës, Lulzim Basha.

 

Trafiku i drogës/ Reagimi i BE-së: Të forcohet puna e Policisë së Shtetit

Ngjarja e ndodhur në Divjakë ku u bllokua një avion dhe 460 kilogramë lëndë narkotike, është gjykuar edhe nga i dërguari me punë pranë delegacionit të Bashkimit Evropian Civil, Clive Rumbol. Nga Shkodra ai deklaroi dje se shtetet e Bashkimit Evropian do ta japin vendimin e tyre bazuar në një progres të plotë që ka bërë Shqipëria. “Është e rëndësishme të forcohet e puna e Policisë së Shtetit dhe ajo kundër lëndëve narkotike pasi kjo është ajo çka kërkon Bashkimi Evropian. Ne mbështesim çdo aksion në këtë drejtim dhe presim rezultatet”, – tha ai. I pyetur në do ndikojë në marrjen e statusit kjo çështje, ai është përgjigjur: “Vendet e Bashkimit Evropian do të japin konkluzionin e tyre bazuar në një progres të plotë që ka bërë Shqipëria në pikat e parashtruara dhe natyrisht që çdo punë e bërë në këtë kuadër do të vlerësohet nga këto shtete”.

 

Deputetja e PD-së, Topalli/ Votat s’i kanë marrë për trafik droge, opozita të marrë përgjegjësi për luftën ndaj mafias

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi dje se opozita është e alarmuar për sigurinë në vend dhe pas ngjarjes së Divjakës Kryeministri duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Sipas saj, qeveria po e mbron trafikun e drogës dhe është detyrë e opozitës që në një situatë të tillë të marrë drejtimin e protestave. “Kryeministri duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas rrëzimit të avionit në Divjakë. Ne shohim nëpër botë që drejtuesit japin dorëheqje kur ndodhin aksidente me të cilët ata nuk kanë lidhje. Këtu ndodh e kundërta. Gjatë kësaj periudhe ne kemi pasur vrasje, tritol, drogë. Votat nuk i ka marrë për të bërë trafik ndërkombëtar. Nëse para dy ditëve mund të kishte skeptikë që dyshonin në kërkesat e opozitës. Ajo që ka ndodhur dje jo vetëm që konfirmon vërtetësinë e kërkesave të ngritura nga opozita, kjo qeveri më shumë se është fajtore për vetë trafikun po e mbron këtë trafik duke lëvizur përmes porteve, aeroporteve dhe rrugëve”, – u shpreh Topalli në rubrikën “Opinion” në “News 24”. Më tej Topalli theksoi se trafiku i drogës krijon mundësi për qarkullimin e një shumë të madhe parash. “Për sa kohë, që ne kemi të drejtën e fjalës, dhe unë së bashku me deputetet e PD-së, duhet të thërrasim me emra konkretë; mafia. Mafia nuk është vetëm për ata persona që merren me drogë, por quhen të gjithë ata që shkelin ligjin. Opozita duhet të jetë në lartësinë e vetë, jo vetëm për të udhëhqeur protestat por edhe për të marrë përgjegjësi për çështjen e mafias”, – tha deputetja e PD-së, Jozefina Topalli.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency