UEFA përgatit dënimet për PSG-në dhe Mançester Sitin

0
150

Instancat e futbollit duket se do të lëshojnë dënime për të dyja ekipet që kanë bërë revolucion në merkatot e futbollistëve

Shpenzimi i skuadrave ka qenë më i madh se fitimi i tyre, çka ka tërhequr vëmendjen e UEFA-s për të mos lejuar më këtë ngjarje

uefa Merkatoja e futbollit e skuadrave evropiane ka arritur të shkojë në shifra të çmendura, të cilat duket se tashmë do të pësojnë një ndalesë. Kjo, pasi UEFA ka vendosur që të marrë një vendim për të parandaluar këto shifra që investohen. Hija e “Fair Play”-t financiar zgjatet gjithnjë e më tepër mbi klubet e mëdha të Evropës dhe shumë shpejt makthi i shumë shoqërive dorëlëshuara mund të bëhet realitet. Dhoma e Hetimit të Organit të Kontrollit Financiar të Klubeve në UEFA u mblodh disa kohë më parë për të hetuar çështjet që kanë të bëjnë me “Fair Play”-n financiar. PSG dhe Mançester Siti, dy klubet që prej kohësh rrezikojnë më shumë me shpenzimet e tyre të çmendura, ishin të parat që u vunë në shënjestër. U njoftua se në fillim të sezonit 2014-2015, klubet evropiane që nuk kanë respektuar ekuilibrat në bilancin e tyre mes arkëtimeve dhe shpenzimeve, do të përballen me ndëshkime të cilat variojnë që nga paralajmërimet e thjeshta e deri te skualifikimi, duke u ndaluar pjesëmarrjen në kompeticione si Champions apo Europa League. Natyrshëm që duke e parë në këtë aspekt, “citizens” dhe parisienët janë ata që rrezikojnë më shumë. Sheiku Mansur në Mançester, që nga 2008-ta, ka investuar shumë më tepër se 500 milionë euro dhe pavarësisht se bilanci i fundit evidenton përmirësime, skuadra që udhëhiqet nga Pelegrini mund të përballet me një ndëshkim mesatar, si për shembull bllokimi ose anulimi i shpërblimeve që vijnë nga kompeticionet UEFA, bllokada në merkato apo dhe kufizimi i numrit të lojtarëve që klubi mund të regjistrojë për pjesëmarrjen në turnetë kontinentalë. Më e rëndë është situata e francezëve që pavarësisht sponsorizimeve të mëdha, rrezikojnë të kenë një humbje prej më shumë se 200 milionë eurosh në buxhet, çka është katër herë më tepër se shuma totale që mund të regjistrohet nga humbjet.

 

Ku konsiston dënimi?

Paris Sent Zhërmeni dhe Mançester Siti do të jenë të detyruar të paguajnë gjoba prej 60 milionë eurosh, shumë që secila prej shoqërive do ta paguajë në 3 këste në 3 vjet. Të dyja klubet veç kësaj do të jenë të detyruar të kufizojnë grupin e tyre të futbollistëve të disponueshëm për Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, ndëshkime që pritet të zyrtarizohen, pasi kanë shkelur rregullat e “Fair Play”-t financiar të vendosura nga UEFA. Konfirmimi i këtyre dënimeve pritet të vijë brenda fundit të kësaj jave, siç i deklaroi agjencisë “Reuters” një burim brenda procesit që po zhvillohet. Ndërkohë, e përditshmja franceze “L’Eqipue” bëri të ditur se PSG ka gati propozimin për një pakt, i cili parashikon që klubi kryeqytetas të reduktojë në 21 numrin e futbollistëve që do të mund të aktivizojë në Champions League në vend të 25. Parashikohen kufizime dhe për një tavan mbi shumën vjetore që klubi do të mund të paguajë për pagat e futbollistëve, 240 milionë euro. Kjo shumë nuk do të mund të tejkalohet, pasi në të kundërt do të ketë penalitete të tjera.

 

Ançeloti: Barcelona do ta mundë Atletikon

 Tekniku italian është shprehur se katalanasit nuk do të tolerojnë në ndeshjen e fundit ndaj bardhekuqve të Atletikos, pasi ata luajnë gjithmonë për fitore

Rivalitet i madh në La Liga dhe shumë presion. Top-treshja Atletiko, Real dhe Barça janë në një luftë të hapur për të fituar titullin. Humbja e skuadrës së Simeones nga Granada dhe barazimi i Realit duket se ka hapur shanset edhe për Barcelonën. Ndeshja që po pritet me shumë kërshëri, është sfida e fundit midis Barcelonës dhe Atletikos. Një sfidë e cila mban shumë presion dhe që do të përjetohet me shumë emocione. Kjo, pasi Barcelona, për të fituar do të bënte gjithçka për triumf. Por nëse katalanasit nuk do të kishin asnjë shans, atëherë si do të ishte fati i kësaj ndeshjeje? Të gjithë perceptojnë në mënyra të ndryshme dhe mendojnë skenarë të ndryshëm. Të shumtë janë ata që mendojnë se Barcelona për “inat” të rivalit historik Real Madrid, mund t’ia falë ndeshjen Atletikos, duke i dhuruar kështu edhe titullin. Ndërsa të tjerë mendojnë se eliminimi që i bëri skuadra e Simeones nga Liga e Kampioneve mund ta bëjë fitoren e katalanasve në “Camp Nou” një mënyrë hakmarrjeje. Një humbje që mund t’u jepte fund shanseve të bardhekuqve për të fituar titullin pas shumë vitesh. Mirëpo tjetër gjë mendon tekniku galaktik Karlo Ançeloti. Italiani u shpreh se ai është i bindur që Barcelona do të kërkojë ta mposhtë Atletiko Madridin në ditën e fundit të sezonit, që do të jetë edhe sfida vendimtare për titullin. Një presion shumë i madh, ku ekipi i Diego Simeones duhet të nxjerrë së paku katër pikë nga dy ndeshjet e fundit për të fituar titullin. Por me Atletikon që e zhvillon ndeshjen e fundit përballë Barcelonës, Reali shpreson të përfitojë nga një disfatë e rivalit lokal dhe të fitojë ndeshjet e veta për të ngritur titullin. “Jam i sigurt se Barcelona do të kërkojë të fitojë. Barcelona do të japë gjithçka kundër Atletikos. Ata gjithmonë kanë pëlqyer të luajnë kështu dhe do të vazhdojnë. Ishte një fund i mahnitshëm i sezonit, pasi Levante kishte një ndeshje shumë të mirë kundër Atletikos, edhe pse ata nuk luajnë për asgjë, siç bëri Valencia, që ishte në të njëjtën situatë, kundër nesh. Kjo është e mirë për Ligën. Ne do të luftojmë deri në minutën e fundit. Këto tri ndeshje janë në duart tona dhe ne duhet t’i fitojmë. Ndeshja e së mërkurës kundër Valadolidit do të jetë vendimtare, pasi disfata do të thotë se nuk do ta fitojmë ligën. Të fitojmë është opsioni i vetëm që kemi. Në avantazh është Ateltiko, pasi ata kanë nevojë për katër pikë të bëhen kampionë. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, – ka thënë Ançeloti.

 

B. Mynshengladbah interesohet për Gashin

Forma e shkëlqyer që po shfaq Shkëlzen Gashi në këtë sezon me Grasshopersin në Superligën Zvicerane ka bërë që për të interesohen një sërë klubesh me emër në Evropë. Borusia Mynshegladbah ka shprehur interesin për sulmuesin shqiptar, duke parë edhe formën e tij. Gashi në këtë sezon ka shkëlqyer me fanellën e Grasshopersit pasi ka shënuar 17 gola dhe kryeson listën e golashënuesve në kampionatin zviceran. Drejtuesit helvetë e vlerësojnë futbollistin rreth 800 mijë euro, por nëse Gashi do të vazhdojë me këto ritme, me shumë mundësi çmimi i kartonit të tij do të rritet akoma më shumë. Fundjavën që sapo lamë, pas 25-vjeçari shënoi 4 gola në ndeshjen që skuadra e tij fitoi me rezultatin 5-0 përballë Young Boys, duke i dhënë mundësi Grasshopersit të pretendojë ende për titullin kampion në Zvicër.

 

Shqipëria U-21 mundet nga Italia

Shqipëria e 21-vjeçarëve është mundur 1-0 në miqësoren me Italinë. Kuqezinjtë u ndëshkuan vetëm në fund në këtë sfidë, që u vendos nga një gol i shënuar nga ana e Masimiliano Buselatos. Të rinjtë e drejtuar nga Skënder Gega kanë luajtur mirë në pjesën më të madhe të takimit të zhvilluar në “Cabbassi” të Karpit, madje duke pasur dhe disa mundësi të mira për shënim. Trajneri Gega kreu në total pesë zëvendësime, duke dashur të zgjedhë sa më shumë elementë të vlefshëm për eliminatoret e Evropianit të ardhshëm të moshave. Madje, pjesa më e madhe e futbollistëve të aktivizuar ishin lojtarë që janë nën 21 vjeç dhe që do të jenë kontigjent në të ardhmen për trajnerin Gega. Takimi u ndoq gjithashtu nga afër edhe nga drejtori i ekipeve kombëtare Redi Jupi, që e cilësoi si pozitive këtë përballje.

 

Tohir: Ndeshja Milan-Inter, e shpifur

Mediat italiane zbulojnë se Erik Tohir ka ndjekur nga Xhakarta shfaqjen e shëmtuar të Interit që herë-herë e detyronte të ndryshonte kanal për të parë spektaklin e “Play Off”-it të NBA. Ashtu si shumë tifozë të tjerë në Indonezi, mësohet se presidenti 43-vjeçar i ka ndjekur deri në orën 5, me orën lokale, zikaltrit. Më pas manjati aziatik ka preferuar të bëjë disa deklarata të vakëta. “Kemi luajtur keq. Kundër Lacios do të na duhet të bëjmë një tjetër ndeshje, sepse arritja e Ligës së Evropës është një objektiv madhor për ne. Është një objektiv që ende varet nga duart tona”, – u shpreh Tohir.

 

Enrike së shpejti në dyert e Barcelonës

Në një nga zyrat e selisë së Barcelonës është zhvilluar një bisedë kokë më kokë mes Andoni Zubizaretës dhe Luis Enrikes, trajnerit që – përjashto ndonjë surprizë të mundshme – do të marrë në drejtim skuadrën katalanase për sezonin e ardhshëm. Luis Enrike tani për tani është në krye të pankinës së Selta Vigos, ka ende dy sezone të tjera me ta në kontratë, por një klauzolë prej 3 milionë eurosh mjafton dhe tepron për t’u çliruar dhe për t’i thënë ‘Po’ skuadrës së ëndrrave të tij. Pikërisht në ditët e kaluara janë përhapur lajme në lidhje me kandidaturën serioze të Enrikes për postin e Barçës, por ky i fundit përfitoi nga mundësia për t’i mohuar zërat, ndoshta edhe si çështje respekti ndaj klubit aktual të tij. Luis Enrique, 44 vjeç, ka luajtur me Barcelonën nga 1996-2004, si dhe ka drejtuar skuadrën B të katalanasve nga 2008-2011, periudhë kjo që përkon me epokën e Guardiolës te “blaugrana”-t, përpara se të merrte drejtimin e Romës në Serinë A për vetëm 1 sezon.

 

Çelsi dhe Siti, në ndjekje të Pogbasë

Çelsi dhe Mançester Siti janë të vendosur për ta rikthyer Paul Pogbanë në Angli gjatë kësaj vere. Juventusi ka dështuar të bindë Pogbanë të fillojë bisedat për kontratë të re, ndërsa ofertat kanë filluar të arrijnë në adresë të klubit italian për francezin. “Tuttomercatoweb” raporton se Siti tashmë ka dërguar një ofertë në vlerën 40 milionë euro, plus Edin Xekon dhe Aleksandar Kolarovin në formë shkëmbimi për ish-të riun e Mançester Junajtidit. Ndërkohë, pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, është i gatshëm të ofrojë 60 milionë euro për francezin me kërkesë të Murinjos.

 

Luiz, afër Barcelonës

Mbrojtësi i Çelsit, David Luiz, raportohet se ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Barcelonën. Agjencia braziliane e lajmeve “Agencia” raporton se Luiz dhe Barça kanë arritur marrëveshje për një kontratë masive pesëvjeçare, e cila do të skadojë në vitin 2019. Marrëveshja mendohet të jetë 5.5 milionë euro në vit dhe do t’i sjellë Luizit një total prej 27.5 milionë euro gjatë periudhës sa zgjat marrëveshja. Megjithatë, Barça tani duhet të arrijë marrëveshje për shumën e transferimit me Çelsin, skuadër me të cilën Luiz ka ende edhe dy vite kontratë. Katalanasit shpresojnë të kryejnë transferimin për një shumë prej rreth 25 milionë eurosh.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency