Pse po kujdesem për Shvarcin, mikun tim të rrallë?!

0
150

Letra ekskluzive/ Miqësia e rrallë e Amik Kasoruhos me Robert Shvarcin, si u plotësua amaneti i përkthyesit për “Vargjet e pluhurosura”, letra e plotë, ekskluzive që Kasoruho na drejton “standard” mbi projektin e poezive dhe nxitjen

robert shvarc Çka thoni për projektin për botimin e poezive të Shvarcit është e saktë. Projekti u paraqit prej meje, por më vonë u tërhoq, sepse, siç thoni se ju ka thënë edhe zonja Shvarc, puna ishte me një vëllim të atillë që nuk lejonte të paraqitej libri brenda afateve të kërkuara nga Ministria e Kulturës.

Pavarësisht se projekti për financimin e librit është kërkuar të tërhiqet, kjo nuk do të thotë se libri nuk do të përgatitet. Për këtë po punon i biri, Edvin Shvarci dhe unë. Është çështje kohe.

Me pyetni pse tani ky botim. Për dy arsye fare të thjeshta: para shembjes së diktaturës as që mund të mendohej të botohej një vëllim me poezi lirike që nuk përshkoheshin aspak nga rryma që kërkonte realizmi socialist. Vjershat e Shvarcit janë shprehje lirike të një jete që e ndiente trysninë e një shoqërie ndrydhëse. Arsyeja e dytë, se poezitë nuk kanë qenë kurrsesi të sistemuara.

Projekti i vëllimit të poezive përfshin një përzgjedhje të poezive të shkruara, duke filluar që nga vitet e rinisë së hershme, domethënë andej nga viti 1955 dhe deri pak kohe para se të vdiste në vitin 2003.

Sa qe gjallë nuk ka mundur t’i botonte, pikërisht pse arsyet e mësipërme. Ka botuar vetëm 4 apo 5 vjersha.

Vëllimi që mendohet të botohet është i pari me poezi i Robert Shvarcit, që lexuesit e njohin vetëm si përkthyes. Poezia e tij ka për të qenë një risi e beftë. Ajo është e ngrohtë e plot ndjenjë.

Unë kam ruajtur një pjesë të vogël të krijimeve poetike të Shvarcit. Një pjesë të tyre, ia pata kthyer nga fundi i viteve ‘90 dhe ai i ka ruajtur ashtu siç ia pata kthyer unë, me shënimin “Amikut, nga veprat e mia postume”.

Ju keni pasur rast të shkruani edhe më përpara për miqësinë tonë. Ishte një miqësi do të thosha e pazakonte, fisnike, e pastër dhe që i duroi tallazeve të jetës. Një miqësi që – e them pa frikë se lajthis – i kishte të rralla shoqet.

Poezitë e tij, ashtu sikurse edhe përkthimet e tij mjeshtërore, Shvarci i ka punuar gjithmonë në mbrëmje apo natën. Ditën duhej të punonte për të fituar kotheren e bukës.

Ma do fort zemra që botimi i poezive të panjohura të Robert Shvarcit të mundësohej nga Ministria e Kulturës.

Ky është një synim i kahershëm imi, gjë që e kam shkruar edhe më përpara në ndonjë gazetë.

Por, siç ju thashë, meqë materiali mendoja se nuk do të mund të përgatitej në kohën e duhur, unë i kërkova zonjës Miranda Haxhia, e cila punon në Ministrinë e Kulturës, ta tërhiqte projektin. Por ajo nuk e ka bërë diçka të tillë dhe ka këmbëngulur në mendimin se krijimtaria me vlerë e një njeriu si Robert Shvarci nuk i përkiste vetëm njerëzve të tij të afërt, por kulturës dhe letërsisë shqiptare. Me duhet ta pranoj se ka të drejtë. Projekti pra nuk është tërhequr dhe mbetet i depozituar në ministri.

Puna për seleksionimin dhe përgatitjen për botim të poezive të Robert Shvarcit po vijon dhe do të çohet deri në fund. Materiali i përpunuar prej meje do t’i dorëzohet familjes Shvarc, e cila ka të gjitha të drejtat të vendosë në lidhje me përzgjedhjen dhe me kushtet e botimit. Uroj të mund ta bëj brenda muajit mars. Më 25 prill bie përvjetori i tetë i vdekjes së mikut tim të rrallë.

Ju përshëndes miqësisht

Amik Kasoruho

 

Letër nga studiuesi i letërsisë shqipe në Universitetin “La Sapienza” të Romës, e arbëreshit, prof. Elio Miraço, ish-nxënësit dhe më vonë bashkëpunëtor i Ernest Koliqit, i cili ia dërgoi autorit ditën kur mbushi 80 vjeç

 

Epilog

Tetëdhjetë vjet…

I dashur Amik, e di që nesër është ditëlindja jote dhe pret telefonatën time. Gjynah që ke lindur tetë ditë para Shpalljes së Pavarësisë, po të kishin qenë vetëm tri ditë, do të isha pranë teje, sepse vij në Tiranë në datën 25 të muajit. Kushedi, meqë për këtë njëqindvjetor do të mungoj, në të ardhmen, uroj ta festoj me ty.

Sidoqoftë, lajmi i një vlerësimi të ri nga Presidenti është një tjetër pohim i kësaj rruge të gjatë të nisur bashkë me demokracinë, që gjithsesi me vonesë, t’i ka njohur meritat. Midis të tjerash, për ty është një shkas krenarie dhe do të ishte krenari për çdo bir që babai rivlerësohet dhe që emri i tij do të mbetet i përjetësuar në pllakën e shkruar tek ish-Ambasada Ruse.

I dashur Amik, ndershmërinë intelektuale dhe prestigjin kulturor i ke fituar me veprën tënde për të mirën e kombit shqiptar dhe kjo do të të bëjë të pavdekshëm. Ti, banori i urtë i Monopolit në bregun përkundrejt, zemrën e kishe kthyer ndaj tokës mëmë që s’e kishe harruar kurrë. Vetëm librat e mirë kanë forcën e madhe për t’i bërë të përjetshëm njerëzit.

Nesër në orën katër2, dije që do të jem duke gëzuar pranë teje dhe nëse do ta derdh ndonjë lot, do të jetë lot gëzimi. Gjithsesi, jam i bindur se shumë nga miqtë do të jenë pranë teje, por unë do të bëj çmos që të jem në rresht të parë, pranë bijve të tu.

Urime dhe të përqafoj fort

Elio Miraço

Profesor në Universitetin “La Sapienza”, Romë

(Është fjala për ceremoninë e dekorimit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” të A. K”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency