Iku fisniku i vuajtjeve, pa mëri

0
239

Amik Kasoruho

 

V. Murati

Gazeta “standard”, në suplementin letrar “Logos&Art” i kushton këtë numër special, me përmbledhje nga krijimtaria dhe publicistika

Amik_Kasoruho Me shumë kurajë duhet për të harruar sesa për të kujtuar. E mua më mungon kjo kurajë ose nuk e dëshiroj, për sa kohë ora shënon gjithmonë një ditë më pak në jetën time. Tashmë jam ulur në trungun e jetës sime dhe kërkoj diku, mes plasave të dheu, ndonjë filiz të ri, të lëngshëm, të gjelbër, jete. Kam nevojë të përkëdhel. Rrudhat e lëkurës së dorës sime kanë nevojë të ndiejnë atë njomështirë, për sa kohë nuk janë ndërruar ende rojat… Këto janë fjalë mbijetese të lëna si epitaf nga përkthyesi, shkrimtari dhe publicisti Amik Kasoruho, i arrestuar e burgosur qysh në moshën 17-vjeçare, i larguar nga Shqipëri, i rikthyer duke rrëfyer pa pushuar gjithë jetën e tij, atë të kohës në diktaturë.

Romani, publicistika, kujtimet, kritika e gjithë krijimtaria e tij u vë në kërkim të dëshmive të kohës sa qe gjallë, e kaloi. Kasoruho një shërbestar fisnik i shqipes, këtë pasuri të shkrimit na e la trashëgimi. Dje, ai është ndarë nga jeta me memorien e gjatë si njeriu që rrëfeu e tregoi çfarë diti në ndershmëri, e vuajti me dhimbje jetën e tij në diktaturë. Një nga dëshmitë më fisnike, pa kërcitur në viktimizim, por si njeriu vjen të ardhmen duke hedhur dritë mbi të kaluarën e zbardhur këtë në një jetë të përditshme, intensive.

Amik Kasoruho, u lind në 20 nëntor të vitit 1932 në Tiranë, në një familje me tradita patriotike. Është i biri i dy prindërve intelektualë. Babai i tij, Qemal Kasoruho, ishte një intelektual dhe ekonomist, kurse nëna e tij, Nadide Kasoruho, me origjinë nga familja e dëgjuar e Jusufatëve të Libohovës, ishte njëra nga gratë e pakta të shkolluara jashtë vendit.

Në vitin 1949 e arrestuan kur ishte vetëm 17 vjeç, bashkë me një grup të rinjsh adoleshentë, mes të cilëve edhe një vajzë, dhe e dënuan me 10 (dhjetë) vjet burg me akuzën “Se ka dashur të përmbysë me dhunë pushtetin popullor”.

Qysh në atë moshë, Amiku zotëronte frëngjishten dhe italishten. Në shkurt të vitit 1951, babai i tij, Qemal Kasoruho, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq, së bashku me 22 intelektualë dhe njerëz të shkolluar për të ashtuquajturën “bombë në ambasadën sovjetike”.

“Universiteti” i Amik Kasoruhos ishin vitet e burgut, sidomos ato të Burrelit. Njohja me ajkën e intelektualëve shqiptarë të burgosur, me përfaqësuesit eruditë të klerit, me thesarin e tyre kulturor e me dinjitetin burrëror ishin diploma e paçmuar e asaj kohe. Në burg mësoi latinishten, anglishten, rusishten dhe pati rast të studionte edhe gjuhën tonë të lashtë arbëreshe.

Gjatë gjithë jetës krijoi arkivin e tij të punës, përkthime nga letërsia italiane, frënge, spanjolle dhe amerikane, transkriptime veprash të poetëve arbëreshë, por asnjë prej tyre nuk gjeti dritën e botimit gjatë viteve të gjata të diktaturës.

Në vitet 1951-1956, nëna e tij u internua në Lushnjë.

Pasi doli nga burgu jetoi në Kavajë në periudhën 1956-1962. Më tej, i dëbuan në Gosë (Kavajë) – 1962-1990.

Ka punuar në vitet 1956-1960 si punëtor krahu në Elbasan, Lushnjë, Kavajë.

Në vitet 1960-1980 punoi si gjeometër në fermën Gosë.

Në vitet 1980-1981, punëtor ndërtimi Gosë.

Në vitin 1981-1990, si teknik ndërtimi NSHN Durrës – Kantieri Kavajë – i paemëruar dhe me pagë punëtori,

Nga viti 1990, Amik Kasoruho së bashku me familjen e tij, jetoi në Monopoli, pranë Barit, Itali, duke zhvilluar punën si publicist, përkthyes, studiues dhe poet, punë me të cilat e mbushi jetën e vet.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency