Mbledhja/ Këshilli Bashkiak rrëzon buxhetin e Bashkisë së Tiranës  

0
152

Përplasje mes këshilltarëve të LSI-së dhe brenda grupit të këshilltarëve të majtë

 Me bllokimin e shpronësimeve, bllokohet varrezat publike dhe çdo investim në pronë private

 keshilli 014Është miratuar buxheti i Bashkisë së Tiranës apo Këshilli Bashkiak duhet të rivotojë një pjesë të tij. Ka qenë kjo dilema juridike që ka sjellë për disa orë rresht debate të ashpra në Këshilli Bashkiak. Që në nisje Këshilli mbajti 1 minutë heshtje për këshilltarin Ferdinand Poni, i cili humbi jetën pas një ataku në zemër. Menjëherë më pas kreu i Këshillit, Aldrin Dalipi, ka nisur mbledhjen duke filluar nga rendi i ditës. Kreu i grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste Gent Gazheli, ka kërkuar që rendit të ditës t’i shtohet dhe një pikë tjetër, që kishte të bënte me letrën e prefektit, i cili kërkonte që të rishikohej vendimi i Këshillit që kishte të bënte me shpronësimet e banorëve për ndërtimin e bulevardit. Për kreun e grupit të këshilltarëve të djathtë, Niazi Kosovrasti, futja në rendin e ditës të një pike të tillë ishte e jashtëligjshme pasi prefekti e ka konfirmuar buxhetin. “Në letrën drejtuar Këshillit prefekti thotë qartë, që miratohet buxheti i Bashkisë së Tiranës. Duke u nisur nga kjo pikë buxheti është miratuar dhe nuk ka vend për shtesë të tjera”, – u shpreh Kosovrasti gjatë fjalës së tij. Insistimi i këshilltarëve të djathtë ka qenë që vendimi për shpronësimet duhet të rishikohet dhe buxheti në tërësi duhet të rikonstruktohet, pavarësisht se kjo do të sjellë vonesë në miratimin e buxhetit dhe bllokimin e të gjitha investimeve në Tiranë. “Ta shohim aktin ne, do të thotë të bëjmë revokim të tij. Nuk kemi pse e ndajmë buxhetin në dy pjesë, pasi është vetëm një. Nuk mund të bëjmë rregullim në mënyrë të pjesshme”, – theksoi Kosovrasti.

 

Përplasjet

Duket se mazhoranca në Këshillin Bashkiak nuk ka qenë fort e sigurt lidhur me rrugën që duhej ndjekur pas letrës së prefektit për të riparë çështjen e shpronësimeve. Këshilltari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Viron Bezhani, u shpreh se “buxheti është miratuar njëherë, nuk ka nevojë për tjetër votë në Këshill. I të njëjtit mendim ka qenë dhe këshilltari i Partisë Socialiste Dhimitër Muslia, i cili i kërkoi Këshillit që të mblidhte komisionin juridik, pasi akti i prefektit ishte i jashtëligjshëm. Në të njëjtin mendim kanë qenë të gjithë deputetet e opozitës të cilët kërkuan që buxheti Bashkisë së Tiranës të mos bëhet një objekt bllokimi politik pasi qytetarët e Tiranës kanë nevojë për më shumë investime.

 

Mazhoranca bllokon

Qëllimi për të bllokuar buxhetin e Tiranës duket se është arritur me sukses nga deputetët e mazhorancës. Me 29 vota pro këshilltarët e majtë kanë votuar revokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Këshilltarët e djathtë Niazi Kosovrasti dhe Besnik Aliaj u shprehën se ky ishte një veprim i jashtëligjshëm, i cili kishte si qëllim vetëm bllokimin e buxhetit. Këshilltarët e djathtë nuk pranuan të merrnin pjesë në votim. “Buxheti i Bashkisë mbetet i bllokuar. Mazhoranca rrëzon buxhetin e miratuar më 26 shkurt. Rrëzohet kompensimi për bulevardin e ri. Qytetarët, peng i urrejtjes së Ramës për Tiranën”, – është shprehur nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo. Me bllokimin e shpronsimeve praktikisht i bie që nuk ka kompensim për varrezat publike dhe asnjë investim që prek pronën private për shkak se janë të parashikuara te zëri i shpronësimeve.

 

Bllokimi

“Ç’ju frikëson, ç’ problem ka kaq të madh këtu?! Unë po them se jemi gati ta rikorrigjojmë, në bashkëpunim me ju, por duhet të jemi edhe ne sepse juridikisht propozimi vjen nga ne dhe kur vjen këtu zotërinj nuk mund të vijë një buxhet i zhbalancuar, nuk është buxhet faktik që mund ë dalë me suficit apo deficit, është një projektbuxhet, është i propozuar dhe siç u propozua nga ne dhe u korrigjua në bashkëpunim me palët, mund të ndjekim përsëri të njëjtën rrugë kompromisi. Pse nuk doni të bëjmë një gjë të tillë, çfarë ndryshon sot (dje) që futet papritur, gati fshehtas dhe me forcë nga një javë më tutje, ku mund të gjejmë kompromisin e të gjithëve?! Mjafton t’u themi qytetarëve se jemi për atë buxhet dhe zgjidhjen mund ta gjejmë. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë këtu ka tjetër lloj arsyetimi. Për çfarë? Më ke propozuar diçka, më ke lënë kohën për të marrë në shqyrtim, keni diçka të shkruar, çfarë mund të themi, jemi duke u tallur? Këtu jemi në Këshill, e dini më mirë se unë dhe punohet me procedurë, me propozime, punohet duke respektuar ligjin dhe punohet edhe duke pasur nderin në radhë të parë dhe nderi thotë se para dy muajsh e kemi votuar këtë projektbuxhet, po riktheheni dhe po hani edhe nderin, edhe votën”, – iu drejtua nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo këshilltarëve të majtë.

 

Projektvendimet

Më herët Këshilli miratoi vendimet për kriteret e qirave për banesat sociale si dhe fondin për kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm. Sipas këtij vendimi, niveli i qirasë për garsonieret varion nga 3.920 lekë, që është vlera minimale, në 7.840 lekë, vlera maksimale. Për apartamentet 1+1 vlerat e qirave variojnë nga 6.790 lekë-13.580 lekë, për strukturat e apartamenteve 2+1, qiratë do të variojnë nga 7.840 lekë-15.680 lekë. Ndërsa për apartamentet më të mëdha, me strukturë 3+1, niveli i qirasë është 9.310 lekë deri në 18.620 lekë. Në total janë 385 apartamente, ndërsa numri total i familjeve të pastreha që kanë aplikuar është 1970.

 

Miratohet fondi/ Bashkia e Tiranës, 1 milion euro për kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka vendosur një fond prej 1 milion eurosh për kreditimit e biznesit të vogël dhe të mesëm. “Që në nisje të këtij mandati zhvillimi ekonomik dhe punësimi, nëpërmjet nxitjes direkte të shpirtit të sipërmarrjes si dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është një ndër objektivat parësore të Bashkisë”, – u shpreh nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, gjatë një konference për shtyp. Në këtë iniciativë, Bashkia e Tiranës do të jetë partnere me Norfund (Fondi Norvegjez i Investimeve për Vendet në Zhvillim) si dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin. Instrumenti që do të përdoret është i pari i këtij lloji në Shqipëri. Është përdorur me sukses në Maqedoni dhe Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit. Kjo është iniciativa e dytë që ndërmerr Bashkia e Tiranës, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në qytetin e Tiranës, pas fondit të garancisë prej 1 milion dollarësh i cili po aplikohet me sukses. Me garancinë e këtij fondi, të rinj nga mosha 30-35 vjeç kanë marrë kredi, kanë hapur dhe po zhvillojnë bizneset e tyre me sukses në qytetin e Tiranës. Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare dhe përbëjnë pjesën më të madhe të shitjeve dhe punësimit. Ata përbëjnë mbi 70% të gjithë punësimit, më shumë se 70% të GDP-së vjetore dhe përbëjnë gati 99% të të gjitha bizneseve të regjistruara në Shqipëri.

 

Nëpërmjet këtij projekti synohet të arrihet:

 

–     Financimi i bizneseve të reja (start up)

–     Financimi i bizneseve ekzistuese me qëllim rritjen dhe zhvillimin e tyre

–     Rritja e punësimit

–     Nxitja e inovacionit

–     Krijimi i vendeve të reja të punës

–     Nxitje të rolit të gruas në sipërmarrjen ekonomike

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency