Publikohet guida/ Të gjithë hapat që duhet të ndjekin maturantët për të qenë fitues në universitet  

0
68

Driçim Çaka

 

Rregullat për kandidatët, shpallja e notave të provimeve dhe aplikimi me formularin A2

matura-2505 Ministria e Arsimit ka publikuar “Guidën e maturantit”. Në këtë guidë çdo maturanti i shpjegohen procedurat dhe hapat e nevojshëm për të konkurruar për në universitet. I gjithë procesi i konkurrimit do të fillojë me provimet e detyruara dhe me zgjedhje dhe do të mbyllet me sesionin e dytë të maturës shtetërore.

 

Provimet

Maturanti kandidati nuk quhet kalues, nëse ka marrë më pak se 20% të pikëve të testit. Provimet e Maturës i jep maturanti i vitit shkollor 2013, 2014 që ka përfunduar me sukses vitin e fundit shkollor dhe ka plotësuar formularin A1. Gjithashtu, provimet e Maturës i jep kandidati që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme që ka marrë Dëftesë Pjekurie ose Diplomën e Maturës Shtetërore dhe ka plotësuar formularin A1Z. Maturantët e vitit shkollor 2013- 2014 do t`i nënshtrohen provimit të detyruar të gjuhës së huaj, e cila do të jetë gjuha e huaj e parë që maturanti ka zhvilluar në shkollë. Testi për këtë provim do të jetë i nivelit A2. Rezultati i provimit D3 (gjuha e huaj), nuk merret parasysh në formulën përllogaritjet e pikëve për shpalljen e fituesve sipas parimit Meritë – Preferencë. Çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, pajiset me diplomë. Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 201, por nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie / Diplomë:

– Nuk japin gjuhën e huaj si provim të detyruar

– Pasi kanë fituar provimet e Maturës, marrin Diplomë dhe Certifikatë të Maturës Shtetërore.

Diploma për të gjithë maturantët/kandidatët lëshohet vetëm një herë. Kandidati, i cili është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme, si dhe shtetasit shqiptarë ose të huaj që vijnë nga jashtë shtetit (të diplomuar) dhe japin provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nuk marrin Diplomë, por pajisen me vërtetim për rezultatet e provimeve të Maturës.

 

Provimet e detyruara dhe me zgjedhje

Provimet e detyruara dhe me zgjedhje fillojnë në orën 10:00. Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta secila.

–Provimet me zgjedhje zgjasin 4 orë.

–Maturantët/kandidatët që do të japin provim të Maturës Shtetërore njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provimin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë atë në orën 12:00.

–Testi për secilin për provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë.

–Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë.

–Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim të cilat vlerësohen me 30 pikë.

–Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë.

–Maturantët/kandidatët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e provimit në sezonin e dytë.

 

Detyrat dhe të drejtat e maturantit/kandidat

Maturanti/kandidati paraqitet në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Maturanti/kandidati plotëson testin me stilolaps me ngjyrë (të zezë ose blu). Maturantëve/ Kandidatëve me aftësi të kufizuara, të përkohshme ose të përhershme, u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë, përgjegjësi për administrimit të provimit (PAP) autorizojnë një person jo të profilit për plotësimin e testit, sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga Maturanti/kandidat. Maturanteve/kandidatëve të paraburgosur, u sigurohen kushte për zhvillimin normal të provimeve në mjedise të posaçme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të autorizuar të policisë pa uniforme dhe pa armë. Maturantët/kandidatët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon administratori i provimit.

 

Përjashtimi

Maturanti/kandidati përjashtohet nga provimi kur: Ndryshon vendin që i është caktuar. Merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë. Bën komente për përmbajtje ose zgjidhjen e testit. Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit. Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.

 

Maturantit/Kandidatit nuk i njihet rezultati:

-Nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si ato të përcaktuara në nenin 28/2 të Rregullores së Maturës Shtetërore, ose përdor me shumë sesa një ngjyrë në plotësimin e testit.

-Nëse ka hequr ose ka dëmtuar kodin e sekretimit të testit (bar-kodin)

-Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.

-Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED-i.

-Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

Maturantët/kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar, nuk mund të dalin nga qendra

 

Shpallja e rezultateve të provimeve

Shpallja e rezultateve behet jo më vonë se 15 ditë, pas çdo provimi të Maturës. Rezultatet publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit www.arsimi.gov.al dhe në faqen zyrtare te Agjencisë Kombëtare të Provimeve www.akp.gov.al e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brënda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë. Kur maturanti/kandidati vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ka të drejtë të informojë Administratorin e Provimit, Përgjegjësin e Administrativit të Provimit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit pas përfundimit të së gjithave provimeve, me një kërkesë drejtuar Komitetit Shtetëror të Maturës Shtetërore. Afatet e kërkesës përcaktohen me Udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë.

 

Aplikimi me Formularin A2

Për të fituar të drejtën e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik të Shqipërisë, çdo maturant/kandidat që kërkon të vazhdoje studimet e larta, duhet të plotësojë formularin A2, online, sipas një kalendari dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Çdo maturant/kandidat ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi.

 

Përllogaritja e pikëve

Për llogaritjen e pikëve do të procedohet si më poshtë: M, D1, D2, Z1 dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme të lartë, vlerësimet në lëndët e detyruara “ Letërsi dhe Gjuhë Shqipe” dhe Matematikë” dhe në ato me zgjedhje. K, F1 dhe F2, përkatësisht koeficenti i shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP).

Llogaritja e shumës -S- të pikëve të maturantëve/kandidatëve,të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, behet me formulën: S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*5.

 

Libri i transparencës

Ky libër paraqet ID e maturantit, notë nëse pikët mesatare të shkollës së mesme,notat e provimeve të maturës dhe pikët e grumbulluara për çdo program studimi të përzgjedhur në formularin A2. Libri i transparencës do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Libri i transparencës i vjen ne ndihmë çdo maturanti/kandidati për të verifikuar rezultatet e tij në Maturë,si dhe pikët e grumbulluara për programet e studimit të përzgjedhura në formularin A2. Për çdo parregullsi te vërejtur ai duhet të plotësoje formularin përkatës për korrektimin e tyre. Ky formular plotësohet nga maturanti/kandidati dhe dorëzohet në shkollë në afatet e përcaktuara.

 

Shpallja e fituesve

Shpallja e fituesve dhe regjistrimet në IALP bëhen me Udhezim të Ministrit të Arsimit dhe Sportit. Përzgjedhja e fituesve bëhet sipas parimit Meritë – Preferencë. Maturanti / kandidati shpallet fitues në preference më të lartë të grupit të preferencave, ku ai ka tejkaluar pikët e fituesit te fundit. Listat e fituesve do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

 

Sesioni i dyte i Maturës Shtetërore

Maturanti / kandidati, i cili nuk rezulton kalues në sesionin e parë të Maturës Shtetërore, në sesionin e dytë jep vetëm provimin (et) mbetës (e) të detyruara dhe me zgjedhje, në të cilat nuk është kualifikuar kalues. Datat e zhvillimit të provimeve të këtij sesioni shpallen me Udhëzim të posaçëm të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.

 

Lëndët dhe datat e provimeve të maturës shtetërore

Gjuhë e huaj                                    16 maj

Gjuhë shqipe dhe letërsi    30 maj

Matematikë                           9 qershor

Provime me zgjedhje          18 qershor