Skema e re e qeverisë/ Flasin ekspertët: Pse ulen pensionet, kush paguhet sot 200 mijë lekë, do marrë vetëm 70 mijë lekë

0
48

Gëzim Saliu

 

Sherefedin Shehu: Reforma e qeverisë është në dëm të qytetarëve, do krijojë gropë fiskale

 2 pensionistReforma e qeverisë me pensionet do të sjellë pasoja negative për qytetarët si edhe për ekonominë në tërësi. Kështu e analizon skemën e re të bërë publike nga ekzekutivi, eksperti i fushës ekonomike-financiare, deputeti demokrat Sherefedin Shehu, duke theksuar se shqiptarët do të duhet presin një ulje të mëtejshme të pensioneve. Sipas ligjvënësit të opozitës, mazhoranca po shet si reformë një mekanizëm që së bashku me reformën fiskale të fundvitit do të ndikojë në përkeqësimin e ekonomisë dhe krijimin e gropës fiskale në vend.

 

 

Analiza

Për të mbështetur argumentin e tij, deputeti i PD-së sjell një shembull konkret për dikë që aktualisht paguhet me 200 apo 250 mijë lekë, ku me 30 vite pune ai do të marrë, sipas Shehut, një pension sa ndihma ekonomike që përfitojnë ata që nuk kanë derdhur kontribute. “Thuhet që hiqet tavani i sipërm, por në fakt do të ulet sepse është ulur ndjeshëm përqindja që aplikohet mbi pagën mesatare për efekt të llogaritjes së pensionit, nga 70% në 40%. Duhet të kesh kontribuar 40 vjet. Domethënë nëse dikush kontribuon 30 vjet, ai merr 30% të pagës, po të marrim pagën minimale i bie që pensioni i atyre që marrin 200-250 mijë lekë do të jetë 60-70 mijë lekë”, – deklaroi për “ABC News” deputeti demokrat. Po ashtu, ai bën të ditur se nuk qëndron as parimi sipas të cilit kush kontribuon më shumë do marrë më shumë pension. “Thonë “nëse kontribuon shumë do të marrësh shumë”, por nuk konsiderojnë nivelin e pagave në Shqipëri. Po të kemi parasysh nivelin e pagës mesatare, nuk do të ketë një pension më të lartë mesatarisht se sa 200 mijë lekë”, – u shpreh Shehu. Ndërkohë, duke kthyer vëmendjen tek reforma fiskale e fundvitit të kaluar si edhe shifrat e këtyre muajve, deputeti i PD-së theksoi se situate ekonomike po përkeqësohet. Sipas tij, treguesit kryesorë që flasin për ekonominë reale janë më të ulët në raport me qeverisjen e demokratëve dhe parashikimet e qeverisë. “Efekti i rritjes së taksave duhet të ishte 6 miliardë lekë, efekti i rimbursimeve vetëm të vitit të kaluar 2.5 miliardë lekë, ku buxhetit i mungojnë 8.5 miliardë lekë. Kemi konsumuar 25% të periudhës dhe kemi mbledhur vetëm 21% të të ardhurave tatimore të nivelit vjetor. Pra qeverisë i mungojnë 4% të të ardhurave”, – theksoi ai, duke shtuar se me këtë ritëm jo vetëm që nuk do të realizohet buxheti i miratuar, por do të krijohet edhe një gropë e re fiskale. Në prezantimin e reformës së pensioneve dy ditë më parë, Kryeministri Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, bën të ditur se ajo parashikon dy opsione, ku duket se do të merret në konsideratë i pari. Sipas këtij variant, nuk do të ketë më pensione të pjesshme apo pensione të plota, kurse periudha minimale e sigurimit për të përfituar pension do vazhdojë të mbetet 15 vjet. Por ndryshimi është se nuk do të ketë më periudhë maksimale sigurimi e në këtë formë pensioni social do të jetë pension social plus 1% të çdo viti pune. Nëse janë 20 vite të siguruara, do të jetë nga 1% për çdo vit, pra 20% e bazës së vlerësueshme, e nëse janë 40 vite të siguruara, do të jetë 40% e bazës së vlerësueshme. Ndërkohë opsioni i dytë i reformës parashikon që masa e pensionit të varet nga historia e kontributit të sigurimeve shoqërore, ku në bazë të kontributit do të përcaktohet dhe niveli i përfitimit.

 

 Raporti për terrorizmin 2013/ DASH: Korrupsioni pengon përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit

 Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron se problem kryesor në Shqipëri mbetet korrupsioni, gjë që ndikon në moszbatimin e ligjit. Në raportin vjetor për terrorizmin, DASH bënte të ditur se ndryshimit të qeveri, nuk kanë ndikuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë kundër terrorizmit. Nga ana tjetër, DASH theksoi se institucionet e qeverisë shqiptare kanë qenë në dijeni prej vitit 2012 që një grup i vogël shqiptarësh kanë udhëtuar për të luftuar në Siri. “Qeveria shqiptare i ka dhënë përparësi përpjekjeve të saj kundër narkotikëve dhe i drejton burimet e kufizuara të zbatimit të ligjit dhe sigurisë së kufijve kundër këtij objektivi, më shumë se sa kundër terrorizmit, të cilin e ka parë si kërcënim më pak urgjent. Legjislacioni shqiptar i konsideron kundërvajtje penale aktet terroriste; rekrutimin dhe trajnimin e personave për të kryer akte terroriste; nxitjen e akteve terroriste; dhe ngritjen, drejtimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë terroriste”, – thuhej në raport. Më tej bëhej e ditur se megjithëse Shqipëria ka vullnetin politik për të bashkëpunuar me vendet në rajon për nismat antiterrorizëm, asaj i mungoi kapaciteti për të vënë në zbatim kontrolle të efektshme. “Korrupsioni, bashkë me një sistem gjyqësor që funksionon keq, vazhdoi të pengonte përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit. Shqipëria nuk ka kapacitetin të grumbullojë të dhëna biometrike përveç atyre që gjenden në kartat e identitetit biometrike që paraqiten në pikat e kalimit të kufirit”, – theksohej në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

 

Uashington/ Bushati: Në Evropë ka zona me potencial të lartë destabilizues, jemi në krah të SHBA-së

Në kuadër të vizitës që po zhvillon në Uashington, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mbajti një fjalë në konferencën e Këshillit të Atlantikut, një nga organizmat me kontribut të veçantë ndërkombëtar në farkëtimin e dimensionit transatlantik të politikës së jashtme dhe të sigurisë të SHBA-së dhe aleatëve të NATO-s. Në këtë aktivitet, ku morën pjesë Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, si dhe ministra të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes nga vendet e anëtarësuara në NATO gjatë dekadës së fundit, dominuan shqetësimet në lidhje me situatën e paqëndrueshme në Ukrainë, si dhe sfidat që kjo situatë paraqet për të ardhmen e komunitetit euroatlantik. Në fjalën e tij, ministri Bushati theksoi se “në kontinentin evropian vijojnë të ekzistojnë zona me potencial të lartë destabilizues, të cilat kur shoqërohen me agjenda zgjerimi rivale, krijojnë kushtet ku e drejta ndërkombëtare dhe parimet themelore demokratike mund të shkelen pa u ndëshkuar”. Gjithashtu, ai u shpreh se as Evropa dhe as NATO nuk duhet të injorojnë sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, për sa kohë i gjithë rajoni nuk është ende plotësisht i ankoruar në rrjedhat euroatlantike. Po ashtu ministri i Punëve të Jashtme zhvilloi dje takime me kongresmenët Robert Aderholt dhe Eliot Engel, ku theksoi se “marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të një rëndësisë parësore dhe strategjike për vendin tonë”. Kongresmenët amerikanë vlerësuan progresin e Shqipërisë, reformat për forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ata veçuan rolin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si faktor paqeje në rajon. Përfaqësuesit amerikanë rikonfirmuan vijimin e mbështetjes për Shqipërinë, në të gjitha proceset demokratizuese dhe integruese.