Kumbaro: Reforma është pa kthim, por s’do heqim njeri nga puna!

0
121

Ministrja e Kulturës u përgjigjet me shkrim artistëve të Operas, nga dita e djeshme të ndarë me marrëveshje se nuk do të ketë kontrata tranzitore

protesta-e-artisteve Një ditë pas “mbylljes” me marrëveshje të “konfliktit” me artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit, duke e quajtur më shumë një keqkuptim mbi kontratën individuale tranzitore të propozuar, Ministria e Kulturës përgjigjet se reforma në institucionet e artit ka filluar dhe nuk do të ketë kthim mbrapsht. Në një njoftim për mediat thuhet se “Ministria e Kulturës ka marrë përsipër që në fillim të punës së saj të reformojë institucionet e artit në vend, për të nxitur krijimtarinë, për të rritur cilësinë artistike si një zhvillim i natyrshëm e profesional i karrierës për të gjithë artistët, për të garantuar e respektuar dinjitetin e artistit dhe duke synuar përfshirjen e të rinjve në këto institucione. Reforma ka filluar dhe është pa kthim sepse ajo është e shëndetshme për skenën artistike dhe për talentet e artit”.

Por në fjalinë e dytë sqarohet se kjo reformë do të bëhet në bashkëpunim me komunitetin, dhe se nuk ka për t’u shkurtuar asnjë vend pune “por duke vendosur promocionin e cilësisë artistike, sistemin e kontratave individuale, kategoritë e detajuara, sistemin e vlerësimit dhe disiplinën artistike”. Kjo merret edhe si përgjigje zyrtare ndaj rebelimit të artistëve të Teatrit të Operas dhe atij Kombëtar, nga frika se mund të dilnin të papunë. Më tej në deklaratën e saj, Ministria e kulturës vazhdon me sqarimet e ngjarjeve se “gjithashtu, për të qenë sa më të qartë dhe transparentë me komunitetin artistik dhe opinionin publik, theksojmë se MK nuk ka propozuar asnjëherë kontrata të thjeshta 6-mujore pune në TKOB”. Përkundrazi, thuhet në njoftim, termat e kontratës së propozuar dhe sidomos neni 10 i saj, qartësisht theksojnë propozimin për një kontratë 1 vit e gjashtë muaj minimale dhe maksimale 3 vjet e 6 muaj. “Periudha 6-mujore tranzitore kishte si qëllim realizimin e një procesi transparent për sistemin e vlerësimit profesional dhe kategorizimin e pagave të artistëve, i cili në kushtet aktuale mungon. Meqenëse kjo periudhë tranzitore nuk u kuptua dhe keqinterpretohet, në bisedën e fundit të ministres së Kulturës dhe artistëve përfaqësues në takimin e datës 29 prill 2014, u ra dakord që kjo periudhë 6 mujore tranzitore të mos përfshihet në kontratat që do të propozohen në vijim”. Kjo mund të konsiderohet letra që prisnin sot artistët, me shkrim nga Ministria për çështjet që kishin më se një javë në diskutim. Ajo çfarë u sqarua dje nga artistët për mediat, dhe kolegët e tyre, ka shkruar edhe në njoftimin e saj Ministria se stafi dhe drejtoria e TKOB në bashkëpunim me sindikatën e artistëve dhe artistët e këtij institucioni pas disa bisedash e negociatash për njohjen me reformën dhe gjendjen aktuale të marrëdhënies së punë të artistëve kanë vënë re: mungesë të plotë të kontratave të vlefshme të punës; mozbatim të ligjit mbi artin dhe kulturën, që e detyron institucionin të lidhë kontrata individuale; arbitraritet në kategorizimin profesional të artistëve; moszbatim të parashikimeve të kontratës kolektive që presupozon dhe ekzistencën e kontratës individuale si garanci për vendin e punës.

Ky raport u tha dhe nga artistët dje, që pritet të dalë së shpejti si bilanc i gjendjes. Për këto arsye, marrëveshja e arritur me Ministrinë është ngritja e grupit të përbashkët të punës me përfaqësues nga gjithë sektorët e institucionit dhe administratës së MK, për të pasur një skemë të punësimit, referuar modeleve evropiane.

Re. Ku.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency