Shkrimtari militant i Partisë  

0
161

shefqet musarajVioleta Murati

 

Me këtë titull, dokumentari i vitit 1984, me regji të Llazar Siliqit, kushtuar 70-vjetorit të lindjes së Shefqet Musarajt, dëshmonte në ironi se si ky shkrimtar i shërbeu deri në fund të jetës sistemit komunist si autor romanesh, pamfletesh e me qindra artikuj në gazetën e kohës, “Bashkimi”. Djaloshi revolucionar tregohet se merr pjesë në lëvizjen antizogiste, shkruan vjersha polemizuese dhe është ndjekës i Migjenit. Shkroi për pushtimin fashist. Mori pjesë në shtypin ilegal të Partisë. Ai ishte vatra kryesore në letërsinë e realizmit socialist që po krijohej në gjirin e Luftës.

Kudo ku kishte nevojë Partia, gjeje shkrimtarin me dy armë: penën dhe pushkën. I kushton vargje divizionit të parë sulmues, ku ishte pjesë e tij. Pas luftës iu dha ndërtimit të jetës së re, ndërtimit të atdheut duke u rritur hap pas hapi si poet, gazetar dhe shkrimtar!

E gjithë vepra e tij letrare ka heroin e punës socialiste. Modeli i arritur: ekranizimi i romanit “Para agimit”, një vepër kundër kolaboracionistëve. Musaraj është 70 vjeç dhe ky kuadër filmik është shpërblimi i 55 vjetëve krijimtari në shërbim të Partisë dhe shtetit komunist. Kjo është jeta e shkrimtarit militant. Pasazhet e mësipërme janë të shkëputura fjalë për fjalë nga dokumentari, si dy pika ujë me homazhin e 100-vjetorit në sallën e Akademisë së Shkencave. Ky është një rast tipik, dëshmi e pastër, për të parë si u bë një shkrimtar shërbestar i ideologjisë komuniste, që nisi nga lufta e deri në ‘90-ën.

Musaraj siç ishte. Dëshirë e familjes për të përcjellë të tillë apo ishte pasqyrë e ironisë për kohën?! Diferencën e bën himnizimi i kontributit dhe mungesa e anës tjetër të së vërtetës që i takon historisë dhe jo nostalgjisë të organizuar nga familjarët.

Ndoshta familjarët bënë detyrën e tyre, mund të prisnin edhe debat, si një temë që merr diskutime të mëdha! Por askush nuk hapi gojë. Të gjithë e pranuan, disa nënqeshën e të tjerë mund të kenë shtrënguar edhe nofullat e hëngër dhëmbët ndërvete.

Vigjilje kishte dhe takimi i para dy ditëve në Akademinë e Shkencave, në ditëlindjen e 100 të Musarajt. Salla ishte plot me studiues të kohës e të sotmit, shkrimtarë dhe të dënuarit e saj… atmosfera i ngjante një tallavaje; të persekutuar nga diktatura për letërsi qëndronin në këmbë, që edhe dje nuk mund të thoshin asnjë fjalë; njerëz që gjithë jetën i shërbyen doktrinës së socrealizmit e vazhdojnë me të njëjtin patos mbi komunizmin. Paradoks më i madh nuk ka ku të shkojë. Një pasqyrë e dëshmisë se ende asgjë nuk është bërë me filtrin letrar çfarë duhet të qëndrojë e dalë jashtë historisë së letërsisë, si u shkruan këta libra dhe si u deformua historia – ndonëse u tha se kjo është “rilindje” për Musarajn, pasi ka dy dekada harruar.

Dukej sikur koha kishte ndalur në vigjiljen e 70-të të Musarajt, në atë të dokumentarit të mësipërm. Paneli i diskutantëve ishte me shërbestarët e gjuhës dhe kritikës së diktaturës: Nasho Jorgaxhi, Rexhep Qosja, Razi Ibrahimi e Jorgo Bulo. Përjashtim bënte “feudalja” e botimeve “Toena”, Irena Toçi, që si duket dhe ajo vetë u ndie nën presionin dhe zymtësinë e ligjërimeve të palëshuar nga indoktrinimi.

Ajo mundi të thoshte vetëm këtë fjali: “100-vjetori, arsye e mirë për mirënjohjen e shkrimtarit të madh Shefqet Musaraj!” Më pas studiuesi dhe kritiku, mbajtur edhe pas diktaturës dhe që ndihet në të njëjtën epokë gjithmonë, Nasho Jorgaqi, ka marrë fjalën në rehabilitimin e shkrimtarit të diktaturës duke thënë: “Jemi mbledhur pas një heshtjeje politike prej dy dekadash për Shefqet Musarajn”. Nasho ka kujtuar si e thirrnin Çeco, dhe kur shkruante në kohë lufte mbante pseudonimin Buburicka.

Me Jorgaqin nisi dhe sarkazma e “epopesë” komuniste të fjalimeve. Disa e quanin krijues të lindur, disa e zhvendosnin në të ritë e viteve ‘30 Musarajn e të tjerë më të vonë ia njohën lulëzimin si shkrimtar, vetëm në daljen e dy romaneve të indoktrinuar (historia e të cilëve tashmë njihet, vetëm se nuk është e distancuar nga shqyrtimi historik për nga deformimet që ka pasur). Pra, një shkrimtar i pafat për suksesin! “Ishte krijues i lindur që i bëri të gjitha: shkrimtarin, poetin, publicistin, gazetarin… që i kanë qëndruar me dinjitet kohës”, – tha Nasho Jorgaqi.

Djaloshi i ri që nuk e mbante dot fshati – u tha. U bë një përpjekje që Musarajan ta rendisnin në shkrimtarët e viteve ‘30, por kjo ishte shumë e vakët për mungesë të argumentit letrar sigurisht. Megjithatë, ia njohën meritën se do vinte nga Labëria në Tiranë dhe do të “këndonte” qysh në vitet ‘30 përkrah brezit të tij për “letërsinë e angazhuar”, me frymëzime revolucionare (si duket fjala për kampin e kundërt të atyre që luftuan të mos instalohej komunizmi, të cilët u dënuan si kolaboracionistë, e shumë u detyruan të arratiseshin). Por a ishte shkrimtar i viteve ‘30 Musaraj? Pati përpjekje ta futnin në këtë hierarki, duke kujtuar atmosferën e krijimtarisë “së mjerimit”, si ajo e Migjenit, Nonda Bulkës apo Petro Markos – se si vepra e Musarajt “Bujku i Hanko Hallës” ishte zgjatim polemizues i veprës së Ali Asllanit… “Pionier i hershëm i shtypit antifashist me ide të guximshme revolucionare dhe patos patriotik – vazhdon Jorgaqi! Fjalimi i tij ishte tipike e ndonjë plenumi të Partisë apo mbledhje të shkrimtarëve të diktaturës; aq anakronike tingëllonte. Veprën e Musarajt, “Epopeja e Ballit Kombëtar” e konsideron ky studiues si vepra më e madhe, më dinjitoze të Luftës. Sfond politik i pastër, e gjithë kjo frazë e Jorgaqit, kur dihet se ka një përplasje politike mbi dy histori: 70-vjetorin e krijimit të ushtrisë e lançuar nga e majta; dhe vazhdimësinë e mohimit po nga e majta të një plejade të viteve ‘30-‘40 që mbajtën historinë e Shqipërisë në kohën e Luftës së Dytë Botërore e që njihen si nacionalistë me në krye, Mid’hat Frashëri duke i quajtur “kolaboracionistë”! Historia zyrtare ende nuk e ka thënë fjalën e saj të paanshme, ndonëse arkivat kanë angazhuar studiues të pavarur për zbardhjen e të vërtetës dhe si është manipuluar nga regjimi, por edhe sot.

Jorgaqi, me vetëdije apo jo, vendosur mes të vërtetës dhe indoktrinimit, u shpreh se e gjithë vepra e Shefqet Musarajt jep çlirimin e ideve socialiste (nënkupto komuniste).

“Humor, intuitë, për të kapur ngjarje të kohës. Ka sy realist dhe mbante detyra e propagandistit për çlirimin e atdheut”, – u tha ndër të tjera duke e parë si poet i luftës, në fillime.

Komunistët zinin vendin kryesor në veprën e Musarajt. Jorgaqi thotë se komunistët luftuan për çlirimin e vendit! Si vokacion kulmor, kritiku i socrealizmit quajti romanin “Para agimit”, mu për shkak të arsyes së mësipërme historike, si vazhdim i historisë së “Epopesë…”, asgjë më tepër, se sot ky studiues, nuk bëri diktatura në deformimin e historisë përmes shkrimtarëve. Ja kjo është treguar si trashëgimi, që nuk u kanë mjaftuar 50 vite për t’u lexuar e indoktrinuar, duke thënë se është “e pazbuluar” dhe pret të lexohet e të çmohet. Madje, pritet një e ardhme për të nxjerrë në dritë veprën e tij më të mirë, që s’ka frymë tjetër veç nga ajo që u tha më lart.

Studiues i Kosovës, Rexhep Qose, do të fliste për projektin e madh, të njësimit të letërsisë shqiptare qysh në vitet ‘77-‘78, por siç shpjegoi fjala ishte për letërsinë socrealiste.

Për këtë arsye ai tha se është takuar me Musarajn në ato vite, në hotelin “Dajti”.

Me argumentin se po kërkonte të bënte një letërsi të njësuar, duke shkruar dhe për shkrimtarët e socrealizmit këndej kufirit (ky ishte si duket interesi i tij, jo për të tjerë!) Qoses i është “rekomanduar” edhe Musarajt. “Bëmë një bisedë dhe u emocionova shumë”, – tha studiuesi i Kosovës, ndërsa tregon se kishte nisur me autorët e parë si Petro Marko, Jakov Xoxe, Musarajn dhe Kadarenë. Në përcaktimin e termit të tij, Qose i shmanget përkufizimit si letërsi socrealiste, duke thënë se kishte vërejtur tri faza në këtë krijimtari: etapat para, gjatë dhe pas luftës – një lloj letërsie sociale. Studiuesi më i anatemuar për pikëpamjet e tij, Qose dha shembujt: poema satirike “Epopeja…” e Shuteriqit, botuar më ‘44 dhe romani “Para agimit” janë kulmet e shkrimtarit. Humori, shkrimet humoristike, – tha Qosja, – i patën bërë përshtypje, se i pëlqenin: humori, gëzimet, satirika, shkrimet e angazhuara…! Të gjithë në fjalën e tyre përforcuan faktin se ashtu si gjithë shkrimtarët që i shërbyen diktaturës, edhe Musaraj kishte jetë zyrtare politike, por edhe krijonte. E bëri më të lehtë aktori Timo Flloko në recitimin e poezive të viteve ‘30 të Musarajt, marrë si vargje dashurie, për të kuptuar se sa naive tingëllojnë sot vjershat, assesi s’mund të quhen poezi, si estetikë e trajtim.

Megjithatë, u recituan me patos dhe u duartrokitën, njësoj të frustruar. U recitua dhe një poezi, e shoqëruar me “disidencën” e Musarajt, censuruar nga fashistët.

Por gjithë atmosferën e diktaturës, sikur asnjë akrep të mos ketë lëvizur vendit, e solli Razi Ibrahimi. Partizan i festimit të 70-vjetorit të ushtrisë, Ibrahimi e ka quajtur nderimin për Musarajn “një gëzim të bukur”, që përkon me luftën kundër fashizmit.

Duke e vlerësuar Musarajn si partizan i orëve të para, veprimtar të shquar dhe intelektual të madh të komunizmit, Ibrahimi ka kujtuar se bashkë kanë punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ky “studiues” i mbijetuar nga komunizmi, si shumë të tjera në panel, tha se “vepra e Musarajt në këto vite është deformuar dhe do vijë dita të dalë në shesh e vërteta!” E kemi dashur Çeçon (kështu i thërrisnin miqtë), si intelektual i gjirit të popullit. Që fëmijë Shefqeti me ndjenja të larta atdhetare, njohës i masave punonjëse, pjesëmarrës kundër rendit feudo-borgjez, – rreshtoi Ibrahimi vlerat e Musarajt, në përpjekjen për të mbërritur mikrofonin. Vazhdoi pambarim: U shqua në veprimtarinë shoqërore dhe luftoi për të çelur shtigje të reja. E çoi meritën e Musarajt në vitet ‘30, dhe pse nuk u njoh, lufta e ngjiti deri në shkrimin e “Hanko Hallës”, shkruar kundër bejlerëve.

“Siç ka edhe sot bejlerë e feudalë… Shefqeti luftoi për t’iu kundërvënë bujkut dhe bejlerëve fodullë se ishte nga gjiri i popullit”, – tha Ibrahimi, pa u kuptuar se për cilën kohë po fliste ose dikush të paktën duhej t’ia thoshte se ka ardhur demokracia!

Në mbledhja e famshme e ‘49-ës, kur u shkul nga rrënjët letërsia e traditës, duke marrë formë të prerë politike e zyrtare letërsia e socrealizmit, Ibrahimi ka kujtuar se Musaraj “doli më pak i prekur nga idetë majtiste dhe bëri kujdes duke mënjanuar diskutimet e skajshme.

Ka meritën se nuk u bë shkak dënimesh”. Ardhur me meritën si poet i luftës, në fakt fjala e Musarajt ishte pasoja e rrënimit dhe e dënimit të letërsisë shqipe të deriatëhershme, mohues dhe të autorëve. Për të mos përmendur gjithë veprat e tij, të thënë dhe më sipër që shkonin në sharrë shkrimtarë që ishin rrethuar edhe si “kolaboracionistë”.

Po ky është një rast që i takon shkrimit të historisë së letërsisë shqipe. Ibrahimi tha disa të vërteta, në ironi, se deri në vitet ‘50-‘60 Musaraj nuk u shqua në krijimtari pasi ishte i angazhuar, por edhe i sëmurë, por sipas tij kishte dhe kërkesa të larta estetike!

Në fakt në këtë periudhë nga të dhënat Musaraj kurohet jashtë dhe rikthehet në vitet ‘70 duke e konsideruar veprën e tij një lloj “pranvere e vonuar”! Në këtë kohë rifillon krijimtaria intensive në përkushtim dhe shërbimin total ndaj ideologjisë komuniste.

Ndërsa “brilantet” Ibrahimi i ruajti për mbylljen e fjalës së tij duke e falënderuar shkrimtarin në këtë 100-vjetorin “për ndihmesën dhe kontributin në luftë dhe që aderoi e militoi në komunizëm duke u përballur me terrorin fashist dhe kolaboracionistët”! Salla e Akademisë së Shkencave ra në qetësi. Këtë e theu aktori i kinemasë së realizmit socialist, Reshat Arbana, i cili u ngrit e tha se nuk kishte ndërmend të recitonte poezi dashurie të Musarajt, se “nuk di t’i këndoj dashurisë”, por ishin vargje të luftës së ushtrisë nacionalçlirimtare kundër fashizmit. Pas recitimit të ashpër, me patetizëm të “Kasolles”, Arbana tha se pikërisht ky kontribut ishte lënë në harresë!

Kishte dhe episode të tilla: dikush tjetër kujtoi sa herë shkonte në Vlorë, shkrimtarin e Partisë, Musarajn, e gjente mbi tre gurët e shkruante poezitë!

Ishte profesor ky që tregonte edhe bujarinë dhe humanizmin e shkrimtarit në kohën e diktaturës si nuk harronte t’i çonte ndonjë miku shishe uzo, kartolinë apo një pako kafe!

Një gazetar i pranishëm, Roland Qafoku, do mbyllte radhën e fjalimeve duke ndryshuar krejt rrjedhën e lënë një vend për Musarajn si gazetar, si nga ky terren erdhën edhe Agolli, Kadare e pothuaj shumica dërrmuese e shkrimtarëve nga diktatura.

Musaraj ishte komunist dhe kjo nuk duhet diskutuar – tha Qafoku. Në fakt askush nuk e mohoi këtë, përkundrazi të gjitha fjalët dhe miqtë e ftuar këtë pohuan, ashtu si edhe dokumentari, Musarajn militant, komunist të orëve të para. Megjithatë, me gjuhën e gazetarit ishte artikulimi për koherencën e homazhit, pse bëri diferencën, se Musaraj i përkiste idealistëve të sëmurë nga teoria komuniste! Qafoku solli pasazhe nga leximet e tij prej revistave të kohës, si për shembull Musaraj në “Nëntorin” nr. 5, për herë të parë sillte dëshmi të luftës dhe ndonjë detaj prej saj për Enver Hoxhën, se është përleshur vetë më shkopinj në Tiranë! Po ashtu përmendet se jetëshkrimi i parë mbi Nolin e ka sjellë në ‘65-ën Musaraj. Të dyja këto fakte janë fragmente që ndoshta mbajnë debat sa historike dhe letrare për arsye që tashme dihen, të mospasjes asnjëherë të një historiografie zyrtare, prej 20 vitesh. Sa kohë vazhdon kjo situatë edhe për Musarajn vjen si kjo kohë e “rehabilitimit” të tij, jashtë çdo realiteti ballafaques me kontributin që dha shkrimtari militant i Partisë, në regjimin komunist.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency