Vrasja/ Edison Kajtazi akuzon Goxhajn si autorin e krimit

0
290

Anxhela Tato

Borxhi 10 mijë euro, viktima u fut ndërmjetës për të “ulur gjakrat” mes autorëve dhe shokut të tij

 

Goxhaj dhe Kajtazi fajësojnë njëri-tjetrin për ekzekutimin, policia në kërkim të armës së krimit

 ariel zangaAriel Zanga u fut ndërmjetës për të qetësuar situatën e konfliktit mes autorëve të krimit dhe shokut të tij, i cili i kishte 10 mijë euro borxh Edison Kajtazit dhe Agron Goxhajt. Ndonëse ende është e paqartë se cili nga dy të arrestuarit është autori i krimit të ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e “Ali Demit”. Të dy djemtë e arrestuar fajësojnë njëri-tjetrin për krimin, ndërsa policia ende nuk ka mundur dot të gjejë armën e krimit, e cila është zhdukur natën e vrasjes. Ndërsa dëshmitë kontradiktore të dy djemve e bëjnë edhe më të koklavitur këtë krim, pasi ende nuk është specifikuar se cili ka qëlluar dhe arsyen pse debati ka degraduar në vrasje. Dyshimet e para fajësonin Goxhajn, i cili ka marrë një plagë gjatë përleshjes së armatosur me viktimën. Ndërkohë që ditën e arrestimit, Goxhaj para oficerëve të Policisë Gjyqësore ka fajësuar shokun e tij, Edison Kajtazi, si përgjegjës për vrasjen. Nga ana tjetër, vetëm pak orë pas arrestimit Edison Kajtazi ka mohuar që të ketë qëlluar ai viktimën, duke ia ngarkuar vrasjen Goxhajt. Para oficerëve, Edison Kajtazi mësohet se ka pranuar ekzistencën e 10 mijë eurove, të cilat ia kishte borxh shoku i viktimës, por i nuk ka dhënë shumë hollësi për krimin. Nga ana e bluve ka dyshime që miku i Zangës ka qenë në borxh me Kajtazin, i cili është grup me Goxhajn. Të dy të arrestuarit janë konfliktuar me shokun e Zangës, duke i kërkuar lekët. Për të “ulur gjakrat” ka ndërhyrë viktima, i cili ishte mik me dy djemtë e prangosur. Natën e krimit djemtë janë ulur në kafe për të biseduar, por situata është tensionuar dhe në momentin që kanë dalë në rrugë, djemtë janë konfrontuar fizikisht. Në hyrje të tunelit viktima dhe autori kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit, por mungesa e armëve të krimit e ka vështirësuar specifikimin e identitetit të autorit. Ndonëse banorët e zonës në dëshmitë e tyre kanë dhënë emrin e Agron Goxhajt, i cili peshën e fajit ia kalon Kajtazit. Por ky i fundit nuk pranon përfshirjen në krim, duke bërë që të ngec dokumentimi i plotë i ngjarjes. Krahas zhdukjes së armës dhe dëshmive kontradiktore, skena krimit ka qenë e shkatërruar, çka ka bërë që policia të mos gjejë dot provat për fajësimin e njërit nga djemve si autori kryesor i vrasjes.

 

Familjarët

Të tensionuar dhe të tronditur, të afërmit e viktimës nuk janë ende të aftë që të flasin për vrasjen e Ariel Zangës. E vetmja fjalë që mund të thonë, është se i afërmi i tyre është vrarë kot. Ndonëse në zi, familjarët kanë festuar ditën e djeshme ditëlindjen e njërës prej vajzave të viktimës, duke çuar kështu deri në fund porosinë e Ariel Zangës. Ata tregojnë se Arieli kishte planifikuar që të festonte ditëlindjen e vajzës dhe fjala e tij është shndërruar në një amanet që duhet mbajtur. Bashkëshortja e viktimës kërkon që të lihet e qetë dhe të mos bezdiset, pasi është ende e tronditur nga çka ka ndodhur. Ndërsa kërkon që të shkruhet i saktë emri i bashkëshortit të saj, i cili quhet Ariel Zanga, ndonëse në njoftimin e vdekjes emri ishte vendosur Aurel Zenka.

 

Arrestimi

Në orët e paradites së djeshme është prangosur në Durrës Edison Kajtazi, i kërkuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ariel Zangës. Kajtazi është i arrestuari i shtatë për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Zonja Çurre”, pranë fushës “Ali Demi” në Tiranë. Ndërkohë, i pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore, Edison Kajtazi ka akuzuar si autor të vrasjes shokun e tij, Agron Goxhaj, duke mohuar që të ketë qëlluar ndaj viktimës. Ndërsa i pyetur në lidhje me borxhin, i arrestuari ka pranuar se një shoku i viktimës ka qenë në borxh ndaj tyre, por në asnjë moment nuk ka rrëfyer shumën.

 

 Krimi kibernetik/ Drejtori i policisë, Ardian Çipa: Memorandum mirëkuptimi me shoqëritë e internetit

 

Drejtori i policisë së kryeqytetit kërkon bashkëpunimin e studentëve të Teknologjisë në luftën kundër veprës penale të krimit kibernetik. Në një takim zhvilluar dje me studentët, Çipa gjatë fjalës së tij, kërkoi nga studentët bashkëpunim për të denoncuar në kohë këtë dukuri apo ide konstruktive, në rastet e ndërhyrjes së sistemeve kompjuterike. Më tej drejtori i Policisë së Tiranës theksoi se vitet e fundit, Shqipëria ka njohur një zhvillim të madh në drejtim të ngritjes se infrastrukturës dixhitale, rritjes së numrit të përdoruesve të Internetit, e cila ka arritur në nivele pothuajse të njëjta me vendet e Bashkimit Evropian, teknologjinë e përdorur shtrirjen e sinjalit të Internetit në të gjithë territorin, i cili është gjithmonë edhe më modern. Në këtë kontekst, fuqizimi i këtij sektori shumë të rëndësishëm ka bërë që Policia e Shtetit të forcojë kapacitetet për t’u përballur me një nga sfidat më të vështira, siç është parandalimi, zbulimi dhe hetimi i krimeve kompjuterike ose siç mund ta quajmë krimin e shekullit. “Sot Policia e Shtetit, ka në dispozicion një strukturë të specializuar me kapacitetet dhe pajisjet më bashkëkohore me njohuri të zhvilluara për hetimin e krimeve kompjuterike dhe ekzaminimin kompjuterik. Ne kemi ndarë këtë strukture në dy drejtime në përputhje me legjislacionin e brendshëm, atë të hetimit dhe ekzaminimit. Struktura e hetimit të krimeve kompjuterike ndahet në dy nivele, qendror dhe vendor. Jemi duke u përpjekur për të realizuar një bashkëpunim me shoqëritë e Internetit në Shqipëri, nëpërmjet një Memorandumi Mirëkuptimi me qëllim rritjen e besimit me sektorin privat dhe forcimin e sundimit të ligjit në këtë fushë. Së fundmi gjatë takimit u theksua, se kërkojmë nga qytetarët të jenë më vigjilent, të kujdesshëm, si dhe të denoncojnë çdo dyshim që kanë në lidhje me cenimin e privatësisë gjatë përdorimit të teknologjive”, – u shpreh Çipa.

 

 

Interpol/ Vodhi bankën në 2005-ën, ekstradohet nga Zvicra Musli Mehmetaj

Ekstradohet nga Zvicra, i kërkuar për vjedhje me armë të një banke që operon në vendin tonë. Bëhet fjalë për shtetasin Musli Mehmetaj, i cili akuzohet për vjedhjen e ndodhur në vitin 2005. Lidhur me këtë fakt është bërë i mundur dje ekstradimi nga Zvicra, drejt vendit tonë, të 39-vjeçarit nga në Peja e Kosovës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje”. Mehmetaj, në bashkëpunim me katër persona të tjerë, ka vjedhur me armë filialin e një banke. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bernën, Zvicër, u bë i mundur ekstradimi i tij drejt vendit tonë.

 

 

Tiranë/ Hidhet granatë lodër në një dyqan, ishte e qëllimshme

 Një granatë lodër ka alarmuar policinë dje në mesditë. Sipas të dhënave, pronari i një dyqani veshjesh në Tiranë ka telefonuar policinë për mjetin shpërthyes. Ngjarja ndodhi dje në zonën e “Komunës së Parisit”. Burime nga policia kanë bërë të ditur se janë njoftuar nga një telefonatë për këtë ngjarje dhe menjëherë kanë mbërritur aty patrullat e komisariatit numër 2. Pas mbërritjes së uniformave blu dhe bërjes së hetimit, forcat policore kanë arritur në përfundimin se ishte një granatë lodër. Hetimet janë duke u bërë nëse ajo ishte lënë qëllimisht aty për alarm apo është harruar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency