“Fluturon” borxhi publik, tani 900 miliardë lekë të reja, priten rritje taksash…

0
156

Ervin Kaduku

 – Brenda tre muajve të parë të këtij viti janë shtuar 91 milionë euro borxhe nga institucionet e shtetit shqiptar

 – Strategjia e “thjeshtëzuar” e qeverisë “Rama” parashikon rritje të borxhit për të shkyer borxhe të mëparshme, duke lënë pas dore në mënyrë të dukshme investimet, “majën e diamantit” të Ekzekutivit të mëparshëm

qeveria borxhi “Bëri namin” kur ishte në opozitë për heqjen e tavanit të borxhit publik nga qeveria “Berisha”, masë kjo e imponuar nga kriza globale. Por, tashmë në qeverisje të vendit, mazhoranca Rama-Meta po kacavirret fuqishëm pas këtij borxhi, duke arritur në nivele të papara. Ministria e Financave publikoi dje shifrat zyrtare lidhur me borxhin publik të Shqipërisë për periudhën janar-mars 2014. Sipas tyre, Shqipëria tashmë ndodhet e zhytur në 897 miliardë e 800 milionë lekë të reja borxhe, çka janë më shumë se 6.4 miliardë euro. Kjo shifër është sa 63.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Borxhi i brendshëm është sa 37.5 për qind e PBB-së dhe ai i jashtëm sa 25.8 për qind e tij.

Për të kryer pagesat e këtij detyrimi gjigand, shteti shqiptar ka paguar në tre muajt e parë të vitit në vazhdim 10.5 miliardë lekë të reja, ose afro 75.3 milionë euro, në formë interesi të borxhit, çka përbën një barrë të rëndë për ekonominë.

 

Pasojat

Po si do të përballohet kjo barrë, pa kaluar në “skenarin grek”?

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, kur ka raportuar në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit në lidhje me kushtet e vendosura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, la të kuptohej qartë se kjo marrëveshje do të çojë në rritjen e taksave për të gjithë qytetarët. Kreu i Financave deklaroi se borxhi publik ka arritur në nivelin 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ka dalë jashtë kontrollit, prandaj, borxhi i marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar është një ‘urë shpëtimi’ që do të ndihmojë ekonominë të dalë nga kjo situatë. Qeveria do të marrë një hua prej 330.9 milionë eurosh nga FMN.

Por, edhe në programet e saj qeveria “Rama” është adresuar kryesisht në rritjen e borxhit. Gjatë vitit 2014 qeveria do të orientohet në marrjen e borxhit afatgjatë, një strategji e nisur kjo që gjatë vitit të kaluar. Sipas raporteve të Ministrisë së Financave, Kalendari bazë i huamarrjes së brendshme për vitin 2014 bazohet në emetime të reja prej 45,8 miliardë lekësh, të cilat synohet të realizohen me obligacione afatgjata; dhe maturimet ekzistuese, të cilat janë rreth 374 miliardë lekë të ndara përkatësisht në bono thesari 304 miliardë lekë dhe obligacione 70 miliardë lekë që vijojnë me ripërsëritjen e tyre.

Bazuar në këtë strategji financimi me instrumente afatgjata, në fund të vitit 2014 stoku i borxhit të brendshëm parashikohet të jetë rreth 546.7 miliardë lekë dhe raporti ndërmjet instrumenteve afatshkurtra dhe afatgjata do të jetë 44.8% me 52.2% në favor të instrumenteve afatgjata. Duke vijuar me të njëjtën strategji financimi edhe në vitet 2015 – 2016, parashikohet që raportet ndërmjet instrumenteve të borxhit të thellohen duke arritur 41.5% me 58.5% në favor të instrumenteve afatgjata në fund të vitit 2016.

 

Rreziku i borxhit

Nga analiza e portofolit të borxhit, financat konstatojnë se ky portofol ka një risk të lartë. Kjo për arsye se huamarrja e brendshme afatshkurtër vazhdon të përbëjë një pjesë të konsiderueshme të portofolit, e cila kërkon rifinancim në një kohë relativisht të shkurtër dhe nga ana tjetër huamarrja në monedhë të huaj, e cila është rritur, karakterizohet nga risku i kursit të këmbimit. Ripagesat e borxhit të jashtëm rriten në nivele të konsiderueshme në vitin 2014 e më pas vazhdon një trend rritës 1,4%- 1,6% ndaj PBB-së duke kërkuar të përdoret një pjesë e madhe e balancës buxhetore për këtë qëllim.

Në këtë mënyrë, vlerësimet e riskut tregojnë rëndësinë e reduktimit të borxhit, përndryshe efektet negative financiare do të jenë të mëdha duke shkaktuar pagesa të larta të shërbimit të borxhit. Në vitin 2015 është maturimi i eurobondit dhe ripagesat arrijnë në nivelin 4,5% të PBB-së. Strategjia e menaxhimit të borxhit ka vlerësuar përsëritjen e këtij instrumenti dhe daljen në tregun ndërkombëtar për të siguruar financimin e nevojshëm dhe duke shfrytëzuar oportunitetin e këtij tregu.

Përveç zhvillimeve pozitive të tregut të brendshëm në segmentin e titujve qeveritarë duhet mbajtur parasysh fakti i kujdesit të bankave ndaj ekspozimit në titujt afatgjatë dhe politika e tyre nga bankat mëma, shoqëruar me vlerësimet e riskut. Ndërkohë fondet e investimeve janë ende të pazhvilluara dhe qëndrueshmëria e tyre është e lidhur me zhvillimet në të gjithë ekonominë qofshin strukturore apo institucionale.

Nga kjo pikëpamje, financat theksojnë se financimi i deficitit me instrumente afatgjata përbën një sfidë që do të vijojë përgjatë vitit 2014 dhe për këtë arsye përveç strategjisë bazë është përgatitur edhe një strategji rezervë, e cila merr parasysh përdorimin e instrumenteve afatshkurtra, si edhe efektet dhe ndikimin e tyre në portofolin e borxhit dhe menaxhimin e tij.

 

Rreziqe të tjera

Pozicioni aktual i financave publike përbën një pengesë për arritjen e një rritje ekonomike në potencial e të qëndrueshme në kohë. Nga njëra anë niveli i lartë i borxhit publik zbeh besueshmërinë e agjentëve ekonomikë për një stabilitet të qëndrueshëm ekonomik, ndërsa nga ana tjetër nevoja imediate për t’u angazhuar në një konsolidim fiskal ushtron presione mbi rritjen afatshkurtër të ekonomisë, e cila tashmë është tejet e dobët. – Niveli i lartë i kredive me probleme, i akumuluar në portofolat e sistemit bankar, i agravuar në një masë të konsiderueshme edhe prej stokut të akumuluar të detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj sektorit privat, vijon të jetë një prej pengesave më të mëdha sa i takon ngërçit në ndërmjetësimin financiar të kapitaleve në mënyrë eficiente dhe efektive midis agjentëve të ndryshëm të ekonomisë. Si rrjedhojë, kreditimi për ekonominë, tashmë i kontraktuar, mban ekonominë ndjeshëm nën potencialin e saj. – Nevoja për konsolidimin e financave publike dhe njëkohësisht shlyerja sa më e shpejtë e detyrimeve të prapambetura të akumuluara të qeverisë ndaj sektorit privat do të jetë një prej prioriteteve të qeverisë shqiptare gjatë tri viteve në vijim.

 

Dështimi i paketës fiskale

Edhe pse kur u prezantua në fund të vitit të kaluar, u theksua se do të kishim rritje të të ardhurave, ndryshimet e paketës fiskale nuk rezultuan të tilla për disa nga zërat kryesorë.

Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, rezulton se në tre taksat kryesore ku dhe u fokusuan këto ndryshime, nuk janë realizuar të ardhurat e planifikuara në periudhën janar-mars 2014. Kështu të ardhurat nga tatim mbi fitimin, janë realizuar në masën 6.3 miliardë lekë, nga 7 miliardë lekë që ishte planifikimi për 3 mujorin e parë të këtij viti.

Të ardhurat nga taksa e akcizës janë realizuar në masën 6.1 miliardë lekë mga 8.1 miliardë lekë që ishte planifikimi, ndërsa të ardhurat nga Tatimi mbi të ardhurat personale janë në vlerën 6.4 miliardë lekë nga 6.8 miliardë lekë që ishte planifikimi. Mosrealizim në të ardhurat sipas këtyre statistikave, janë edhe ato nga biznesi i vogël, ku nga 350 milionë lekë, janë realizuar 310 milionë.

Mosrealizimin e këtyre të ardhurave e ka komentuar edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, sipas të cilit, gjatë tre muajve rritja e taksave rëndoi mbi qytetarët.

 

Manipulimi me shifrat

Sipas Financave, të ardhurat nga TVSH në tre muaj janë rritur 20%. Një sukses jo i vogël… Por, po t’u hysh shifrave në brendësi, zbulon një manipulim me to. Një shënim në tabelat e statistikave të publikuara nga Ministria e Financave te rubrika “TVSH bruto dhe neto” tregon se çfarë ka ndodhur se si është krijuar kjo “mrekulli”. Në fakt, ajo menjëherë bëhet një “jomrekulli”. Buxheti i shtetit mbetet në të njëjtën gjendje të mjerë që ka qenë edhe vitin e kaluar.

Të dhënat e kësaj rubrike thonë tri gjëra:

 

1. TVSH e rimbursuar këtë vit është 15 herë më e vogël se sa në të njëjtën periudhë të një viti më parë

 

2. Administrata tatimore ka rimbursuar gjithsej 473 milionë lekë këtë vit, nga 7.4 miliardë lekë që qenë rimbursuar në të njëjtën periudhë të një viti më pare

 

3. Tabela ka një shënim shumë shpjegues në fund: “Të gjitha pretendimet për rimbursim TVSH-je të bëra deri më 31 dhjetor 2013 dhe të gjitha tepricat kreditore të TVSH-së të krijuara para asaj date, edhe nëse pretendimi për rimbursim është bërë pas kësaj date, konsiderohen “detyrime të prapambetura” dhe klasifikohen në një zë tjetër të buxhetit, te zëri “detyrime të prapambetura fiskale” të buxhetuara në masën 20 miliardë lekë për të gjithë vitin 2014.”

Pra, Ministria e Financave ka raportuar vetë të ardhurat NETO nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Nëse mblidhen 10 lekë TVSH dhe rimbursohen 2 lekë për TVSH të paguar më tepër, raportohet se janë mbledhur 8 lekë. Por qeverisë nuk i pëlqeu kjo formulë vitin e kaluar, kur hartoi buxhetin.

Kjo krijon një rritje të bollshme dhe të rreme. Një rritje që ka një borxh të fshehtë, duke krijuar “zinxhirin e borxheve” të cilën, qeveria aktuale premtoi se do ta luftojë.

 

Sekuestrohen kafe dhe pleh kimik kontrabandë

 –   Pezullohen nga detyra katër doganierë të degës së Morinës

Strukturat e Departamentit Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në datat 14 deri më 21.4.2014, në zbatim të një plani të detajuar antitrafik, zbuluan në Degën Doganore të Morinës, 1.350 kg “kafe robusta” dhe 8.5 tonë pleh kimik kontrabandë. Mallrat transportoheshin nga dy automjete të tipit furgon që vinin nga Kosova me destinacion tregun e brendshëm shqiptar.

Si rezultat i planit të ndërmarrë, malli dhe mjeti raportues i “kafes robusta” kontrabandë u sekuestruan dhe subjektet u penalizuan.

Nga hetimet e kryera është konstatuar që doganierë të Degës Doganore Morinë kanë kryer veprime në kundërshtim me Kodin Doganor dhe dispozitat zbatuese të tij, me qëllim favorizimin e subjekteve për mbulimin e shkeljes doganore. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë menjëherë masën e pezullimit për katër doganierët përgjegjës të Degës Doganore Morinë, të cilët do të procedohen administrativisht si dhe ka referuar çështjen për ndjekje penale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency