Janar-mars 2014/  eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë shënuan rënie për herë të parë në shumë vjet  

0
146

Ervin Kaduku

 

– Deficiti tregtar i marsit është 21 mld lekë, duke shënuar rritje 11,2% krahasuar me marsin 2013 dhe 11,4% me muajin shkurt 2014

bulqize Eksportojmë kryesisht këpucë dhe veshmbathje me material porositësi, ndërkohë që importet po rriten me shpejtësi. Sipas shifrave të djeshme të INSTAT-it, importet shqiptare u rritën me 10.1% me bazë vjetore për tremujorin e parë të vitit, duke arritur në vlerën 22 miliardë lekë e duke kthyer tërësisht mbrapsht tendencën e konstatuar gjatë gjithë vitit të kaluar, kur ato shënuan rënie, duke reflektuar kështu frenimin e investimeve e konsumit.

Pothuajse të gjitha grup-mallrat kryesore shënuan rritje. Importet e mineraleve lëndëve djegëse u zgjeruan me 17%, në 22 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e blerjeve të energjisë, për të kompensuar prodhimin e ulët në vend, si rrjedhojë e thatësirës.

Importet e makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit u shtuan me rreth 4% në 20.7 miliardë lekë, një sinjal pozitiv, megjithëse i dobët, se po rikthehen investimet ën ekonomi. Kurse importet e tekstileve e këpucëve u zgjeruan me 26%, që në fakt janë një reflektim direkt i rritjes së ndjeshme prej 30% të eksporteve të këtij grup-malli gjatë tre muajve të parë të këtij viti, duke qenë se përbëhen nga pjesë të cilat qepen në Shqipëri.

Importet e materialeve të ndërtimit e metaleve u rritën me rreth 13% në 14.8 miliardë lekë, një tjetër sinjal pozitiv që reflekton kthimin e investimeve në rrugë, apo apartamente banimi.

 

Eksporti

Eksportet u rritën me 11% për periudhën janar-mars 2014, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i. Tekstilet dhe këpucët janë grup-malli që kanë ndikuar në 83% të rritjes, ndërkohë që grup-malli minerale, lëndë djegëse e energji, që në tre vitet fundit ka qenë udhëheqësi kryesor i zgjerimit të ndjeshëm të eksporteve shqiptare shënoi rënie për herë të parë.

Në raport me vitin e kaluar, kur eksportet u zgjeruan me 16%, në 2014, po ngadalësohet një ngadalësim i ritmeve të rritjes, pikërisht për shkak të performancës së dobët të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë.

Sipas statistikave, eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 20.6 miliardë lekë për tremujorin e parë, duke u tkurrur me 3.5% (760 milionë lekë), teksa deri në fund të 2013-s ky tregues ishte me rritje dyshifrore. Bankers Petroleum raporton rritje të eksporteve të muajt e parë të 2014-s, ndërkohë që janë reduktuar eksportet e energjisë, si rrjedhojë e thatësirës, ndërsa dhe mineralet nuk po shfaqin rezultatet pozitive, për shkak të rënies së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Vetëm gjatë muajit mars, ky grup-mall u tkurr me 13%.

Ekonomia shqiptare duket se ka mbetur vetëm në nivelin e fasoneve. Industria e tekstileve e këpucëve është ajo që ka marrë stafetën e eksporteve këtë vit, duke u zgjeruar ndjeshëm me 30% (5.1 miliardë lekë) me bazë vjetore për tre muajt e parë të vitit, për të arritur në 21.6 miliardë lekë, duke dalë sërish në grupin e parë më të eksportuar në vend, me 36% të totalit. Sipërmarrjet vendase po i gëzohen së fundmi shtimit të porosive nga partnerët italianë, që po i largohen Kinës e Lindjes së Mesme. Ndërkohë, eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 7.36 miliardë lekë, duke ndalur ritmet e rënies, së konstatuara në pjesën e dytë të vitit të kaluar.

Grup-mallrat e tjerë, ndonëse me një peshë të vogël në totalin eksporteve kanë shfaqur ecuri pozitive, ku veçohen ushqimet, pijet dhe duhani, shitjet e të cilave jashtë vendit u rritën me 27%, apo 691 milionë lekë dhe ato të “prodhime druri dhe letre), që u zgjeruan me 60%, apo rreth 880 milionë lekë.

 

Marsi

Në muajin mars 2014 eksporti i mallrave arriti vlerën 21 mld lekë, duke u rritur me 10,3% në krahasim me muajin Mars 2013 dhe 4,9% në krahasim me muajin shkurt 2014. Rritje më të madhe vjetore ka patur në eksportet e grupeve: “Prodhime druri dhe letre” me 74,5%, “Produkte kimike dhe plastike” me 48,9% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 41,3%. Ulje më të madhe vjetore pati eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 15%.

Në muajin mars 2014 importi i mallrave arriti vlerën 42 mld lekë, duke u rritur me 10,7% në krahasim me muajin mars 2013 dhe 8% në krahasim me muajin Shkurt 2014. Rritje më të madhe vjetore ka pasur në importet e grupeve: “Tekstile dhe këpucë” me 26,2%, “Prodhime druri dhe letre” me 21% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 18,2%. Ulje më të madhe vjetore pati importi i grupit: “Produkte kimike dhe plastike” me 2,7%.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 21 mld lekë, duke shënuar një rritje me 11,2% krahasuar me muajin mars 2013 dhe 11,4% në krahasim me muajin shkurt 2014.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 68,1% të të gjithë tregtisë.

Katër partnerët kryesorë me të cilët Shqipëria kryen tregti, import dhe eksport, janë Italia (36,8% e totalit), Greqia (8,4%), Kina (5,6%) dhe Turqia (5%).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency