Dyshime se ka vrasje të tretë/ Hetuesit italianë: Kushëriri i Dritan Demirajt, i zhdukur prej dhjetorit 2013  

0
153

 Policia: 29-vjeçari ka ardhur në Shqipëri në fund të dhjetorit, kohë kur është denoncuar zhdukja e kushëririt. Hetuesit do të kërkojnë ndihmë nga pala shqiptare

 

dritan demiraj 2Itali

 Dritan Demiraj po befason çdo ditë akuzën italiane me dëshmitë e tij. Pas pranimit të vrasjes së të dashurit të ish-it të tij, Lidia Nusdorfi, tashmë ai ka rrëfyer se ka tentuar të vrasë edhe një kushëririn e tij, pas dyshimeve se ka shkuar me të fejuarën e tij në kohën kur ata ishin akoma bashkë. Nuk ia ka falur kushëririt lidhjen me të fejuarën e tij, në kohën që kjo ka bërë pushimet e verës në Shqipëri në vitin 2013, çka ka sjellë tronditje jo vetëm në lidhjen e tyre, por edhe në familjen e tij, e cila i ka bërë thirrje të gjejë një zgjidhje, pasi e fejuara e tij i ka turpëruar, u ka ulur kokën. Të gjitha këto hollësi i ka dhënë vetë Dritani para hetuesve, ndërkohë që janë shtuar dyshimet se ai mund ta ketë vrarë kushëririn e tij në kohën që ka ardhur në Shqipëri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Për këtë arsye, hetuesit do të përgatisin një letërporosi për drejtësinë shqiptare, ku të kërkohet informacion nëse ky person është gjallë apo jo. Sipas hetuesve italianë, prej dhjetorit të vitit të kaluar, kushëriri i Dritan Demirajt rezulton i zhdukur, ndërkohë që udhëtimi i tij në Shqipëri përkon me kohën kur është denoncuar nga familjarët zhdukja e djalit të tyre.

 

Dëshmia

Tronditëse e kanë konsideruar vijimësinë e dëshmisë së Dritan Demiraj mediat italiane, të cilat u referohen burimeve policore. Gjatë marrjes në pyetje, Demiraj është shprehur për hetuesit se ka tentuar të vrasë kushëririn e tij verën e kaluar, pas dyshimeve se ky i fundit ka pasur një lidhje me të fejuarën e tij, Lidian, gjatë kohës që pushimeve verore në Shqipëri. Është konsideruar një skandal për familjen Demiraj, e cila e kishte detyruar Lidian të kthehej mbrapsht për në Itali. Në atë kohë, Dritani është arrestuar nga policia shqiptare për këtë episod, pra tentativën e vrasjes së kushëririt, por pastaj është lëshuar dhe pavarësisht se i ishte marrë pasaporta nga policia, ai ka kaluar nga Greqia për të hyrë më pas në Rimini. Kishte vendosur ta falte Lidian dhe t’i jepte një shans, por kjo e fundit ishte e trembur, aq sa mori gjërat e saj dhe u largua nga shtëpia, duke ia lënë atij dy fëmijët, një prej të cilëve e kishte nga një lidhje e mëparshme. Nga dëshmia e Dritanit mësohet se ai në fund të dhjetorit, pasi kishte marrë mbi tridhjetë herë në ditë në telefon, është rikthyer sërish në Shqipëri, por pa rrëfyer motivet e këtij udhëtimi.

 

Dyshimi

Djaloshi kishte krijuar një miqësi të ngushtë me Lidian përgjatë pushimeve që po kalonte me familjarët e tij në Shqipëri, por kjo lidhje nuk ka kaluar pa u vënë re. Shpërthen skandali dhe Lidian e përzënë nga shtëpia, duke e kthyer në Itali. Prindërit i kanë telefonuar Dritanit dhe i kanë thënë: “Prej turpit nuk dalim më nga shtëpia dhe nëse e bëjmë, duhet të dalim me kokën ulur. Mendo ti!” Bëhet fjalë për në fund të gushtit të vitit të kaluar. Dritan Demiraj ka marrë avionin dhe ka udhëtuar për në Tiranë për t’u sqaruar me kushëririn, e kërcënon, por ndalohet dhe shoqërohet për disa ditë nga policia, derisa një mik i vjetër polic, i cili e dinte çfarë kishte ndodhur, ndërhyn për të. Në pamundësi për të kapërcyer tradhtinë dhe fundin e lidhjes, Dritani nis të përgatisë hakmarrjen e tmerrshme. Lidia bëhet e gjallë për Krishtlindjet dhe më pas largohet sërish. Një jetë së bashku ishte e pamundur për ta. Ai e persekuton, i telefonon 30 herë në ditë, por ajo pushon së kthyeri përgjigje. Trembet se e kishte humbur përgjithmonë. Atëherë, ai vendos të lajë hesapet.

 

Zhdukja e kushëririt

Zhdukja e kushëririt lidhet me udhëtimin e fundvitit të kaluar. Në fund të dhjetorit, Dritan Demiraj ka udhëtuar drejt Shqipërisë dhe pikërisht në ato ditë zhduket nga qarkullimi edhe kushëriri i tij. Ndryshon vend për të shmangur telashet apo e vranë? Dyshimi, pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në Itali, është i ligjshëm për hetuesit. Në Shqipëri ka një denoncim për zhdukjen e të riut dhe nëpërmjet një kërkese ndërkombëtare, do të mblidhen më shumë informacione edhe nga Shqipëria.

 

Tiranë/ Dosja “Gjika”, dëshmojnë ish-anëtarët e Këshillit Bashkiak, Pashai e Troci

 Doja “Gjika” ka vijuar dje në Gjykatë, ashtu si çdo të hënë, me dy nga dëshmitarët e shumtë të thirrur nga akuza. Në procesin gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, togat e zeza dëgjuan ish-anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës, Theodhoraq Pashai dhe Ilir Troci, ky i fundit tashmë me detyrën e specialistit të Urbanistikës, të cilët thanë versionin e tyre në lidhje me dy lejet e ndërtimit për të cilat akuzohet Gjika dhe të pandehurit e tjerë janë në gjykim. Gjatë fazës hetimore, Troci ka deklaruar se nuk është diskutuar në mbledhje kërkesa për leje, ndërsa para Gjykatës e ndryshoi deklarimin, duke pretenduar se kërkesa ishte bërë. Pavarësisht nga dy qëndrimet e ndryshme, Gjykata administroi në fashikullin gjyqësor deklarimin e Trocit dhënë në Prokurori, ndërsa dëshmitari Pashai deklaroi para togave të zeza se nuk mbante mend nëse janë diskutuar apo jo kërkesat në Këshill Bashkiak. Por, dëshmitari Pashai deklaroi se në mbledhjen për të cilën Prokuroria heton, në Këshill janë dorëzuar dhe shqyrtuar kërkesat për leje ndërtimi nga shoqëritë “Deco Sistem sh.p.k” dhe “EN BJO sh.p.k.” Pas dëshmisë së tyre, Gjykata ndërpreu seancën për të vazhduar javën tjetër, ndërsa në sallë nuk ishte i pranishëm për të katërtën javë rresht kryetari Gjika, i cili përfaqësohej nga avokati mbrojtës Ardian Leka.

 

Korçë/ Gjyqtari Pojanaku apelon masën, kërkon lirimin nga burgu

 Gjyqtari Dhimitër Pojanaku, i arrestuar dy javë më parë nën akuzën e korrupsionit pasiv, ka apeluar dje masën e sigurisë “Arrest me burg” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë. Apelimi i mbrojtjes është bërë nën argumentin se përgjimet e prokurorisë janë të pavlefshme si dhe nuk janë respektuar kriteret e veçanta të personit në vlerësimin e masës së sigurisë. Ndërkohë që familjarët ngrenë si shqetësim rrezikun që i kanoset gjyqtarit në paraburgimin e Drenovës, ku ndodhen persona me rrezikshmëri për të cilët ai ka dhënë vendime ndëshkuese. Gjyqtari Pojanaku, tashmë i pezulluar nga funksioni, ka deklaruar se nuk ka lidhje me ryshfetin dhe paratë në fjalë kanë lidhje me qiranë mujore të një ambienti në pronësi të tij

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency