Opinion/ Përkujtesë në Ditën Ndërkombëtare të Librit

0
145

Milazim KRASNIQI

Libri këtu vështrohet si vlerë e vetë natyrës dhe e misionit të njeriut, si pasqyrë ku sublimohet njohja e tij për veten e për botën, në të cilën ai ka mandatin e veçantë të kuptimdhënies. Libri është ndërgjegjësim për ta sistemuar përvojën, për ta freskuar kujtesën, për ta sfiduar të panjohurën, për ta korrigjuar veten.

 

milazimThënia se libri është miku më i mirë i njeriut, nuk flet domosdoshmërisht për përmbajtjen e librit, po për një ndërgjegjësim të njeriut për paditurinë e vet. Karl Poperi thotë se “ne të gjithë jemi të barabartë për sa i përket paditurisë sonë të pafundme”. Libri na ndihmon që të ndërgjegjësohemi për këtë fakt, prandaj është miku ynë i mirë.

Këtu nuk e kam fjalën për librin si produkt tipografik, sepse historia e transformimeve tipografike, që nga rrasat e argjilës në të cilën u shkruan librat sumere, babilonase, hitite, e fenikase, nga papiruset ku u shkruan libra egjiptase, hebreje, greke e romake, nga pergamena ku u shkruan libra bizantine, evropiane e arabe, nga letra ku u shkruan libra kineze, arabe, evropiane e gjithëfare, është jashtë vlerës që ka mbetur konstante në natyrën ndërgjegjësuese të librit. Libri këtu vështrohet si vlerë e vetë natyrës dhe emisionit të njeriut, si pasqyrë ku sublimohet njohja e tij për veten e për botën, në të cilën ai ka mandatin e veçantë të kuptimdhënies. Libri është ndërgjegjësim për ta sistemuar përvojën, për ta freskuar kujtesën, për ta sfiduar të panjohurën, për ta korrigjuar veten. Librat sumere e babilonase, të zbuluara pas shtatë mijë vjetëve, vërtetojnë natyrën unike të njeriut që nga fillesa, të njeriut të paditurisë së pafundme, por i cili kur ndjehet i pafuqishëm, i drejtohet instancës hyjnore, përmes shkrimit, përmes librit. Paçka se këta lloj librash, janë klithma e njeriut në përpjekjet e kota të tij për të gjetur ngushëllimin dhe shpëtimin.

Pse ata popuj të lashtë dhe gjuhët e tyre që i dhanë një kuptim botës me anën e shkrimit, librit, nuk mbijetuan? Ndërsa, mbijetuan e u zhvilluan me dinamikë marramendëse popuj të pailuminuar e gjuhë të pashkruara. Po të shohim në rrethimin tonë, fjala vjen, duket si e pabesueshme që mbijetoi shqipja, ndërsa vdiq latinishtja. Në fakt, kjo edhe përvojë kjo dëshmon se ekziston një mekanizëm suprem që i lëviz fatet e popujve, të shoqërive, të gjuhëve, të kulturave e të qytetërimeve.

Këtë të vërtetë na e kujtojnë librat e shenjtë. Ata janë udhëzime si arrihet përkryerja e njeriut, si gjendet ngushëllimi dhe si arrihet shpëtimi. E bukura e gjithë kësaj është se edhe mësimet më të larta e më të dobishme, Zoti i ka emërtuar si libra. Kështu, libri rezulton të jetë forma ideale e komunikimit të njeriut me natyrën e vet por edhe me Krijuesin e vet.

Por, jo të gjithë librat janë mbrujnë në vete atë formë ideale të komunikimit. Në ditët tona të lirisë ekstreme të shprehjes dhe të hiperproduksionit që e karakterizon industrinë e librit, kur nuk është e mundshme që të lexohen të gjithë librat që botohen, është e nevojshme të aftësohemi të përzgjedhim libra të mirë e të dobishëm, që do të na ndihmonin të orientohemi më mirë në jetën tonë. Pra, kërkohet aftësim i njeriut që të dijë të zgjedhë ndërmjet librit që është armik i barbarisë dhe librit që mund të jetë mik i barbarëve.

Pikërisht këtu shfaqet roli i rëndësishëm i shtëpive botuese, të cilat seleksionojnë, sistemojnë dhe prodhojnë librin. Pluraliteti i zgjedhjes së tyre është legjitim në kontekstin e tregut të lirë dhe lirisë së shprehjes, por ai prodhon konfuzion. Fjala që thotë se gjithçka që fluturon nuk hahet, vlen edhe për këtë fushë, pra gjithçka që ofrohet për botim, nuk do të thotë që ka edhe vlerë.

Por, varet se kush e definon vlerën. Nëse e definojnë ata që vetë janë të mbrujtur me vlera morale, intelektuale e njerëzore, gjasat janë më të mëdha që oferta të jetë më e dobishme. Përzgjedhja e tyre e librave që ofrohen në treg ndjek rregullin qët’i shërbehet të vërtetës, duke e ndihmuar njeriun të aftësohet e të merr vendime të drejta në jetën e tij, ose së paku duke e kufizuar paditurinë e tij.

Meqë librat janë vlerë e vetë natyrës dhe e misionit të njeriut, sikundër u tha më herët, përzgjedhja e duhure tyre e rritë shansin për atë natyrë njerëzore që të jetë më e lartë, më fisnike. Shtëpia botuese “Logos A”, e cila po shënon sot njëzetvjetorin e saj, është brenda kësaj strategjie fisnikëruese të lexuesit të vet. Përzgjedhja e librave që botohen në bibliotekat e saj, ka për qëllim ofrimin e dijes së dobishme dhe të artit fisnikërues. Këtë e bën herë me më më pak e herë me më shumë sukses, por duke qenë gjithnjë brenda këtij misioni. Misioni i qartë, puna profesionale dhe shërbimi korrekt, ia kanë garantuar suksesin tash e njëzet vjet.

(Fjalë rasti e mbajtur më 20 janar 2011, në shënimin e 20-vjetorit të shtëpisë botuese “Logos A” në Shkup)

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency