Refuzimi/ Adnan Januzaj thotë “Jo”, zgjedh Belgjikën

0
140

 

Talenti kosovar ka refuzuar të veshë fanellën kuqezi, duke vendosur që të zgjedhë belgët për të shkuar me ta në Botërorin 2014

 Lajmi është konfirmuar nga vetë trajneri i belgëve, i cili e ka zyrtarizuar atë në “Twitter”

Adnan JanuzajTalenti i madh Adnan Januzaj ka vendosur të na thotë “Jo”. Ky ka qenë vendimi i lojtarit, i cili ka zgjedhur që të luajë për kombëtaren belge. Një kombëtare shumë e fortë, e cila do të shkojë këtë vit në Botërorin e Brazilit 2014. Një lajm i trishtueshëm për skuadrën e De Biazit, i cili bëri të pamundurën që të afronte lojtarin pranë gjirit të skuadrës. Pavarësisht shumë tentimeve e lajmërimeve edhe në rrjetet sociale apo dhe në shtyp nga tifozët, por edhe nga gjithë opinioni duket se të gjitha kanë shkuar në vesh të shurdhër. Kosovari, i cili aktivizohet te Mançester Junajtid, është cilësuar si një ndër talentet e mëdha të Evropës dhe do të ishte një fat i madh që të ishte në ekipin tonë. Por ashtu siç ka ndodhur edhe me Xhakën, Shaqirin dhe Sotir Ninin ndodhi edhe me Januzajn. Presioni i madh nga sponsorët, por edhe fakti që luan te Junajtid, ka bërë që Januzaj të shkojë drejt Belgjikës. Një ekip që mund t’i ofrojë më shumë prestigj në arenën ndërkombëtare. Januzaj, i lindur në Bruksel nga prindër kosovarë, deri më tani i kishte mbajtur të gjithë pretendentët pezull për sa i përket të ardhmes së tij, duke i lënë të hapura të gjitha opsionet. Mirëpo tashmë ka marrë një vendim të prerë për të përfaqësuar Belgjikën, vendin e tij të lindjes, dhe jo gjakun shqiptar. Trajneri i Belgjikës, Mark Vilmots, shkaktoi një sensacion të vërtetë me publikimin në faqen e tij zyrtare në “Twitter” të komentit: “Kam marrë konfirmimin zyrtar se Adnan Januzaj dëshiron të luajë për kombëtaren belge të futbollit për pjesën e mbetur të karrierës së tij. Ky është një lajm i mirë dhe unë jam i kënaqur që një futbollist kaq i talentuar është i disponueshëm për t’u grumbulluar me djajtë e kuq”. Lojtari pati shumë oferta nga disa shtete ku përfshiheshin Anglia, Serbia, Turqia, Shqipëria, por edhe Kosova së fundmi. Opsione këto që u dogjën për të shkuar për të luajtur me Hazardin me shokë. Disa nga lojtarët tanë senatorë të kombëtares si Bogdani apo edhe figura të tjera të rëndësishme, si Igli Tare, kanë qenë kundër faktit që Januzaj të luante për ne, pasi, sipas tyre, kombëtarja është një nder dhe jo një detyrë, duke lëshuar kambanat se lojtari nuk do të zgjidhte kuqezinjtë. Një lajm jopozitiv, por kjo nuk do të ndaloi kombëtaren tonë së shpresuari pasi ekipi tashmë ka krijuar një grup mjaft të mirë dhe pritet të jetë mjaft kompetitiv në eliminatoret e radhës.

 

 

UEFA ndjek punimet në “Ruzhdi Bizhuta”

 

UEFA në Shqipëri për të ndjekur punën në “Ruzhdi Bizhuta”, që do të jetë edhe shtëpia e re e kombëtares sonë. Një delegacion ekspertësh nga institucioni më i lartë i futbollit evropian ndodhet prej dy ditësh në vendin tone. Qëllimi i ardhjes së tyre është inspektimi i punimeve në stadiumin e Elbasanit dhe për t’u njohur nga afër me ecurinë e tyre. Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku theksohet se delegacioni është shoqëruar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishaj. Përfaqësuesit e UEFA-s kanë kontaktuar me zbatuesit e projektit duke u përqendruar në detajet që konsiderohen të rëndësishme që ky impiant të plotësojë të gjitha parametrat e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare sipas manualeve të UEFA-s. Një tjetër pikë ku UEFA nuk kërkon të lëshojë terren është edhe ajo e afatit të punimeve, pasi delegatët kanë theksuar se është shumë e rëndësishme që në fundin e muajit shtator. Impianti të jetë gati për të pritur ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian Francë 2016. Në përfundim të punimeve, stadiumi i Elbasanit do të jetë i vetmi në vend që do të presë ndeshjet zyrtare të kombëtares së futbollit. Sipas projektit, “Ruzhdi Bizhuta” do të jetë një kompleks me tre yje dhe me kapacitet maksimal prej 15 mijë vendesh. Risia më e madhe do të jetë fasada e këtij stadiumi, e cila do të ndërtohet e gjitha me xham.

 

 

Sançez, i përkryer për Juventusin

 

Paskuale Marino, i cili ka qenë trajner i Aleksis Sançezit te Udineze, ka thënë se 25-vjeçari do të përshtatej për mrekulli te Juventusi. Në javët e fundit është spekuluar se kiliani mund të kalojë te Juventusi gjatë verës, pasi Antonio Konte është në kërkim të një sulmuesi. “Mendoj se Aleksis do të përshtatej për mrekulli në lojën e Kontes. Ai mund ta mbulojë edhe rolin e sulmuesit të dytë ose si një anësor në një treshe sulmuese. Shkathtësitë e tij e bëjnë Aleksisin një faktor që mund të zgjidhë shumë kokëçarje të trajnerëve. Gjithmonë është e nevojshme baraspesha, por një treshe Tevez-Lorente-Aleksis është e realizueshme, sepse Aleksis dhe Tevez dinë së të angazhohen edhe në mbrojtje”, – ka theksuar Marino.

 

Reali, fitore shprese ndaj Bajernit

Reali i Madridit ka regjistruar fitore prej 1-0 kundër Bajernit të Mynihut në sfidën e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, që u zhvillua në “Santiago Bernabeu”. Një dominim total i ekipit mik në 20 minutat e para të sfidës, duke i mbajtur vendasit të ngujuar në gjysmëfushën e vet dhe duke mos i lënë të organizonin asnjë kundërsulm. Mirëpo, në kundërsulmin e parë, “Los Blancos” realizuan. Ronaldo dërgoi një super-pasim drejt Koentraos, i cili asistoi mirë te Karim Benzema dhe francezi mposhti me lehtësi Nojerin. Galaktikët patën raste përmes CR7 me kokë, Di Marias dhe më pas sërish portugezi dështoi ta zinte në befasi Nojerin. Di Maria shpërdoroi një tjetër shans, duke u munduar të shënonte me stil. Reali e filloi ndryshe gjysmën e dytë, duke mos i lejuar mysafirët që ta kontrollonin ndeshjen ashtu si në pjesën e parë. Ronaldo menjëherë doli në rast, por goditja e tij u mbrojt nga portieri gjerman. Riberi pati një rast të mirë nga ana tjetër e fushës, pas një pasimi të bukur të Robenit, por Kasijas ndërhyri në mënyrën e duhur. Në vazhdim, Pepe u detyrua ta linte fushën për shkak të lëndimit për Varanen, ndërsa Ronaldo e lëshoi vendin për Gareth Bejlin. Kaqkaq, nga ana e Bajernit, Martinez zëvendësoi Rafinjën, ndërsa Riberi me Gëtze dhe i fundit ishte futja e Mylerit në vend të Shvajnshtajgerit. Ançeloti bëri edhe zëvendësimin e fundit duke futur Irramendin në vend të Iskos. Shpejt do të vinte edhe rasti më i rrezikshëm i Bajernit. Pas një rrëmuje në mbrojtjen vendase, Gëtze pati një rast të mirë, por Kasijas reagoi për mrekulli për të mbajtur rrjetën të pa prekur. Në fund të sfidës, mysafirët kërkuan penalti pas rrëzimit të Mylerit në zonë, por Hauard Ueb nuk e mendoi të tillë. Epërsia prej 1-0 nuk është bindëse, por mospranimi i golit në shtëpi është një faktor favorizues për Real Madridin. Ndërsa “Allianz Arena” do të kthehet në përbindëshin e frikshëm të galaktikëve për t’i eliminuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency