Komisioni për Sigurinë Kombëtare/ Raporti i kreut të SHISH-it tek Siguria, Noka: Dolën të palarat e ministrit të Brendshëm  

0
111

Florenc Drizari

 

Braho: Prononcimi i Nokës shkel sekretin shtetëror. Sot vendoset për kontrollin parlamentar

 

nokaPas katër orë debatesh në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, gjatë së cilës raportoi kreu i SHISH-it, Visho Ajazi, deputetët e Kuvendit zbardhën për mediat disa nga çështjet e diskutuara. Deputetët e opozitës theksuan se raportimi i kreut të SHISH-it rrëzoi deklaratat e mëparshme të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, se shërbimi i inteligjencës nuk kishte dhënë informacione lidhur me shpërthimet me tritol të ndodhura muajt e fundit në vend. Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, njëkohësisht edhe nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, deklaroi se kreu i SHISH-it, Visho Ajazi, raportoi për rreth katërorë lidhur me kërkesën që ka bërë Komisioni për t’u informuar për çështjet e parashtruara në kalendar si dhe për raportin vjetor në të cilin u paraqit performanca e shërbimit për vitin e kaluar. “I gjithë Komisioni ishte i kënaqur me performancën e shërbimit”, – deklaroi Noka. I pyetur nga media se deputetët e mazhorancës folën pas mbledhjes për disa shqetësime të ngritura në raportimin e kreut të SHISH-it me dyer të mbyllura, Noka konfirmoi se probleme të tilla ishin diskutuar, por mohoi të ishin bërë pjesë e debateve çështje që kanë të bëjnë me trafikun e drogës.

 

Flamur Noka

 

Ky raportim në mënyrë të detajuar dhe me shifra nxori të palarat dhe gënjeshtrat e ministrit të Brendshëm. Sot ministri i Brendshëm doli gënjeshtar lidhur me akuzat ndaj shërbimit që gjasme nuk e paska informuar shërbimi. Informacionet për tritolin dhe gjithçka i ka dhënë të bollshme, janë 317 informacione për një periudhë katërmujore dhe rreth tridhjetë e ca për periudhën më përpara, të detajuara për grupe kriminale që merren me trafikun e tritolit, për grupe kriminale që merren me trafikun e minave etj. Trafiku i drogës? Ajo nuk ishte çështje e raportimit”, – deklaroi Noka.

 

Luan Rama

 

Më herët deputeti i LSI-së në Komisionin e Sigurisë, Luan Rama, u tregua më i rezervuar, duke thënë se çështjet që u diskutuan në Komision nuk mund të bëheshin publike për mediat. “Diskutimi për këto çështje për shkak të specifikës së shërbimit është sekret, çështje e shërbimit dhe komisionit U informua komisioni për punën vjetore të shërbimit për 2013-ën dhe për përmbushjen e misionit kushtetues”, – deklaroi Luan Rama.

 

Piro Lutaj

 

Ndërkohë, një prononcim të shkurtër për mediat bëri edhe deputeti i PS-së, Piro Lutaj, duke e quajtur raportimin e drejtorit të Shërbimit një shlyerje të detyrimin që kishte ndaj Komisionit. “U pajis me certifikatë sigurie, erdhi dhe vazhdoi raportimin në lidhje me veprimtarinë e shërbimit gjatë vitit 2013. Gjatë raportimit të tij në Komision dolën edhe problemet që ne vazhdojnë t’i qëndrojmë se në Shërbim jo gjithçka shkon”, – deklaroi Lutaj. Lidhur me diskutimin e kërkesës për kontroll parlamentar, nismë për të cilën Lutaj është një prej nismëtarëve nga mazhoranca, tha se kjo çështje nuk ishte objekt në mbledhjen e djeshme.

 

 

Braho: Prononcimi i Nokës shkel ligjin për sekretin shtetëror

 

Në mbyllje të raportimit të kreut të SHISH-it Visho Lika tek Komisioni i Sigurisë, reagoi edhe kreu i këtij Komisioni, Spartak Braho. Sipas tij, raportimi ishte i domosdoshëm. “Raportim i planifikuar nga Komisioni i Sigurisë, preku aktivitetin dhe problematikën që lidhet me sigurinë”, – tha deputeti Braho.

Më tej Braho u shpreh në lidhje me prononcimin e deputetit të PD-së, Flamur Noka, ku ndër të tjera shtoi se ky prononcim ishte spekulativ dhe shpifës. Sipas Brahos, prononcimi i Nokës jo vetëm që është jo etik dhe serioz, por mbi të gjitha shkel ligjin për sekretin shtetëror.

Po ashtu ai pohoi se deputeti i PD-së do të mbajë përgjegjësi në organet ligjzbatuese. Në përfundim Braho u shpreh se të mërkurën do të vendoset për kontrollin parlamentar të SHISH-it, ndërkohë që kontrolli do të bëhet nga një grup deputetësh që do të caktojë Komisioni.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency