“Skandali i Ushtrisë”/   Basha: Rama e Kodheli i tremben transparencës, tjetër kërkesë në Kuvend për raportimin e ministres  

0
109

Florenc Drizari

 

“Qeveria pranoi se ka informacion, Kodheli të përgjigjet në Komisionin e Sigurisë”

 

 

basha diberKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi një ditë më parë lidhur me atë që opozita e quan një “përfshirje të mundshme të Forcave të Armatosura në trafiqet e drogës”, duke u kërkuar sërish shpjegime krerëve të qeverisë, Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së theksoi se duke inkurajuar Prokurorinë dhe organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, Kryeministri, ministrja e Mbrojtjes nuk mund t’i ikin transparencës para Kuvendit, që është një detyrim kushtetues dhe ligjor. Për këtë çështje kreu i opozitës deklaroi se PD ka depozituar një kërkesë të dytë për raportimin e ministres Kodheli para Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ndërkohë që pak ditë më parë, kryetari i këtij Komisioni, Spartak Braho, e quajti kërkesën e parë të PD-së si jo të plotë dhe pa fakte e prova, duke e rrëzuar atë me votat e deputetëve të shumicës.

 

Lulzim Basha

 “Partia Demokratike, sot (dje), ka depozituar sërish kërkesën për ministren e Mbrojtjes të paraqitet në Komisionin e Sigurisë dhe të japë shpjegime për informacionet që ka dhe masat që ka marrë. Ky është hapi i parë dhe natyrisht do ta ndjekim këtë proces derisa transparenca e plotë të jetë bërë dhe përgjegjësitë e plota të jenë marrë”, – deklaroi Basha. Lidhur me përfshirjen apo jo të FA-së në trafiqet e drogës, kreu i PD-së theksoi se opozita, Partia Demokratike sapo ka marrë informacione për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së Forcave të Armatosura për trafikun e drogës u është drejtuar organeve përgjegjëse: ministres së Mbrojtjes, Kryeministrit. “Partia Demokratike, – vijoi Basha, – nuk ka hezituar asnjë çast për të bërë detyrën e saj si opozitë dhe është qeveria ajo që ka refuzuar të përgjigjet nëse ka informacion”. Ai tha se pyetjet e ngritura nga opozita morën përgjigjet në seancën e së enjtes në Kuvend. “Deputeti i mazhorancës e bëri fare të qartë se qeveria ka informacion dhe tashmë opozita kërkon, ngulmon, është e vendosur dhe nuk tërhiqet nga kërkesa. Pikësëpari, pse për 8 ditë Kryeministri dhe ministrja e Mbrojtjes kanë fshehur faktin se kanë informacion. I kanë ikur pyetjes nëse kanë informacione. Së dyti, çfarë kanë bërë kur kanë marrë këtë informacion. Çfarë masash kanë marrë? Këtu jemi në sytë e qytetarëve dhe të opinionit publik. Partia Demokratike nuk ka asgjë për të fshehur. Ata që, me sa duket, kanë diçka për të fshehur, duhet ta dinë fare mirë se në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, transparencës për këtë çështje nuk mund t’i ikin kurrë”, – deklaroi Basha. Pyetjes nëse të dhënat që disponon Partia Demokratike do t’i vihen në dispozicion Prokurorisë pas kërkesës që bëri Adriatik Llalla dy ditë më parë, i cili kërkoi bashkëpunimin e deputetëve që kanë ngritur akuzat, Basha iu përgjigj se PDdhe opozita mbështesin tërësisht drejtësinë, Prokurorinë, në hetimin e kësaj çështjeje. “Ky është proces që ecën paralel dhe në mënyrë të pavarur nga transparenca parlamentare që opozita kërkon tashmë prej më shumë se një jave. Ndaj, nga kjo pikëpamje duke inkurajuar plotësisht Prokurorinë dhe organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, duhet të theksoj se Kryeministri, ministrja e Mbrojtjes nuk mund t’i ikin transparencës para Kuvendit, që është një detyrim kushtetues dhe ligjor, nuk mund t’i ikin transparencës para publikut”, – tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

 

 

Akuzat e opozitës për trafik droge, Peleshi: Një shashkë

 Zëvendëskryeministri Niko Peleshi deklaroi një ditë më parë lidhur mbi debatin për përfshirjen e mundshme të Forcave të Armatosura në trafik droge, duke i cilësuar si të panevojshme qëndrimet e pakicës parlamentare. Peleshi thekson se akuza të tilla nuk i kanë hije një ushtrie, e cila është anëtare e NATO-s. “Sa i ka hije politikës shqiptare, opozitës në rastin konkret, që të përfshijë Forcat e Armatosura në shashka të tilla të cilat vijnë në Parlament me mungesën më të lartë të seriozitetit, sepse siç e keni ndjekur dhe vetë, nuk është se u fol për akuza të provuara, fakte e të tjera, por u fol vetëm mbi informacione dhe alibi. Mendoj që qeveria dhe ministrja e Mbrojtjes ka mbajtur qëndrim më korrekt të mundshëm, edhe vetë kryeministri, duke inkurajuar çdo deputet që mund të ketë një informacion të tillë t’i drejtohet organeve të akuzës”, – u shpreh Peleshi.

 

 

Braçe: Opozita të tregojë provat

 Deputetë të mazhorancës theksojnë se opozita nuk ka asnjë provë që të vërtetojë përfshirjen e ushtrisë në trafiqet e drogës. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, theksoi se në dokumente të Shërbimeve Sekrete ushtria nuk përmendet në asnjë rresht. “Drejtori i SHISH-it, pse nuk del dhe të thotë qartësisht atë që ka thënë në dokument, që nuk përmendet kurrkund ushtria shqiptare. Të dalë e të marrë përgjegjësi sepse po përgojohet, duke keqinterpretuar një copë letër të tij pa fakte dhe pa prova. Ta bëjë për të mbrojtur interesat kombëtare të këtij vendi”, – deklaroi Braçe. Deputeti socialist tha se është i gatshëm të përballet me ish-ministrin e Mbrojtjes Imami për këtë çështje. Sipas tij, Imami po luan film me avion, pasi i duhet të përgjigjet për 5 dosje që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës.

 

 

 

 

 

Basha për reformën territoriale/  Refuzimi i konsensusit sjell destabilitet politik, krerët e mazhorancës të reflektojnë

Prishja e konsensusit për reformën administrative dhe territoriale pritet të shoqërohet me destabilitet politik, sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një reagim për mediat, Basha tha se uronte që krerët e mazhorancës të reflektojnë për prishjen e konsensusit, duke i hequr opozitës të drejtën e barabartë të votës në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në fjalë. “Nuk e kuptojmë nxitimin e mazhorancës drejt veprimeve të njëanshme për rivizatimin e kufijve, kur reforma duhet shumë më e thellë dhe përfundimi i reformës duhet t’u shërbejë qytetarëve, jo partive politike dhe as hartave elektorale. Ndaj, edhe një herë i bëj thirrje Kryeministrit Rama, Kryetarit të Kuvendit Meta, si dy bashkëkryetarë të mazhorancës të bëjnë të mundur konsensusin. Asnjë paragjykim nuk ka vend, opozita do ta përdorë konsensusin në mirëbesim për të arritur një produkt në shërbim të qytetarëve. Nga ana tjetër, refuzimi i konsensusit do të ketë pasoja dramatike, do të zhvlerësojë çdo hap të njëanshëm dhe do të fusë vendin në një spirale destabiliteti politik sepse refuzimi i konsensusit për këtë reformë është në fakt refuzim i bashkëjetesës demokratike”, – deklaroi Basha. Sipas kreut të opozitës, nuk është kërkuar asnjëherë asgjë më shumë se ç’ka qenë tradita 23-vjeçare e bashkëpunimit politik për reforma të tilla në Shqipëri, “nuk kërkojmë asgjë më shumë seç kërkon Kushtetuta për respektimin e opinionit të qytetarëve në vendimmarrje të tilla”, – theksoi Basha. Ndërkaq, dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për ndryshimin e përbërjes së komisionit parlamentar për reformën territoriale, duke ia kaluar PS-LSI-së shumicën e anëtarëve. Në zbardhjen e kësaj shkrese, thuhet se kjo bëhet për t’i hapur rrugë punës së komisionit. Më herët krerët e mazhorancës kanë theksuar se reforma administrativo-territoriale do të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar, që i bie para fillimit të pushimeve të verës për Kuvendin e Shqipërisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency