Dështon rezoluta/   PD: Rama-Meta nuk kanë vullnet për integrimin. PS: Pranuam çdo propozim, s’doni statusin

0
111

Gëzim Saliu

 

Bumçi: Fillimisht u fsheh teksti i deklaratës e më pas u zhbënë variantet e miratuara. Balla: Berisha urdhëroi që PD të mos votonte rezolutën e përbashkët, deputetët e PD-së dhanë “OK”

 

 

 

kukan me bumcin e ballenDështon miratimi i deklaratës së përbashkët të PE-së. Edhe pse europarlamentarët në takimin e 13 marsit në Strasburg i lanë mundësi palës shqiptare të negocionte rezolutën në Tiranë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin mes tyre. Dy negociatorët Taulant Balla nga PS dhe Aldo Bumçi nga PD përmes deklaratave publike shkëmbyen dje mes tyre akuza për arsyet e dështimit të dokumentit që duhej miratohej pas takimeve të përbashkët Parlament Evropian-Shqipëri. Sipas demokratëve, mazhoranca nuk kishte vullnetin e duhur për të bashkëpunuar për integrimin evropian të vendit. Ndërkohë, PS theksoi se kishte pranuar të gjitha propozimet e PD-së për rezolutën, por arsye kryesore për mosmiratimin është, sipas saj, fakti se demokratët nuk e duan marrjen e statusit kandidat.

 

Reagimet

Për deputetin e PD-së, Aldo Bumçi, faktor kryesor që ndikoi në mosmiratimin e deklaratës së përbashkët ishte arroganca e mazhorancës dhe mungesa e vullnetit nga ana e saj për integrimin. “Çdo premtim kjo mazhorancë arrogante e zhbën në mënyrën me teatrale të mundshme. Akti i fundit është loja kukafshehthi në Komitetin e Përbashkët Parlamentar të Stabilizim-Asocimit. Fillimisht ia fshehën opozitës tekstin e projekt-deklaratës së përbashkët në mënyrë të paprecedentë deri më sot. Z. Eduard Kukan konfirmoi se deklarata ishte dërguar një javë para takimit në Kuvendin e Shqipërisë dhe pohoi se problemi qëndron në Kuvendin e Shqipërisë”, – deklaroi Bumçi. Më tej, ai sqaroi se pavarësisht nga ky fakt, opozita paraqiti propozimet e saj, të cilat nuk u miratuan nga mazhoranca në Strasburg. Prej datës 13 mars deri me 10 prill, shumica nuk iu përgjigj propozimeve tona, duke treguar një mungesë të plotë interesi për një deklaratë të përbashkët. Mazhoranca më në fund nisi negocimin, të enjten e shkuar, pas 23 ditësh heshtjeje të plotë e të pajustifikueshme. Me gjithë këtë vullnet të qartë të opozitës, për të arritur në një deklarate të përbashkët ku do të përfshiheshin çështje thelbësore qe lidhen me kushtetutshmërinë, pavarësinë e institucioneve, respektimin e parimit të ndarjes se pushteteve, dyshja Rama-Meta nuk pati vullnet politik për një produkt të përbashkët. Me metodën e saj tashme të njohur, pasi ra fillimisht dakord, u kthye mbrapa dhe zhbëri variantet e miratuara duke e rikthyer negocimin në fazën fillestare”, – u shpreh deputeti demokrat. Ndërkaq, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, njëherësh bashkëkryetar i Komitetit të Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE, Taulant Balla, pohoi se mosarritja e deklaratë së përbashkët mazhorancë-opozitë dhe BE nuk ka të bëjë me argumente të logjikshme, por me urdhrin, sipas tij, të ish-kryeministrit Berisha. “Ta themi troç, porosia e zotërisë ka qenë e qartë, të mos ketë marrëveshje, sepse kjo mund të ndikojë negativisht tek vendimmarrja për statusin. Sipas tij, nuk ka deklaratë, nuk merret statusi”, – tha Balla. Në këtë kontekst, deputeti socialist deklaroi se deputetët e PD-së ishin dakord me tekstin e deklaratës: “Madje shprehën edhe habi për gatishmërinë tonë për të pranuar të gjitha propozimet e PD-së. Nuk dua t’i ha në besë deputetët e PD-së, po besoj se zoti Fatmir Mediu si kryetar i një prej partive opozitare mund ta konfirmojë këtë”.

 

 

Vendimi për statusin në qershor

 Vendet e Bashkimit Evropian vendosën në dhjetor të vitit të kaluar që të shtynin me 6 muaj vendimin për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Megjithëse u njohën përparimet e vendit, shtetet kryesore si Gjermania, Britania, Franca apo Holanda, kërkuan më shumë prova dhe rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së vendosi që Komisioni Evropian të paraqesë një tjetër raport për Shqipërinë para qershorit, pavarësisht se ai rekomandoi se dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Deri më tani vendet skeptike kanë shprehur disa vlerësime për ecurinë e reformave, por nuk kanë nguruar të theksojnë se vendimi i qershorit do të varet tërësisht nga rezultatet në fushat e përcaktuara si prioritete nga Brukseli.

 

 

Kreu i delegacionit për Ballkanin/ Kukan: Mungesa e rezolutës së përbashkët dëmton Shqipërinë

Në mbledhjen e fundit të eruodeputetëve në Strasburg, para se të zhvillohen zgjedhjet e reja, kryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, shprehu keqardhje për mosmiratimin e dokumentit të përbashkët nga pala shqiptare. Sipas eurodeputetit, ky dështim mund të dëmtojë Shqipërinë, pasi Komisioni do t’i raportojë Këshillit në Qershor se palët nuk firmosën deklaratë të përbashkët. “Fakti që nuk ka marrëveshje do ta dëmtojë shumë Shqipërinë, sepse në Këshillin e qershorit do të diskutohet sërish për statusin kandidat. Në Këshillin e fundit u vlerësuan tendencat pozitive që vinin nga vendi, kultura politike e dialogu ekzistonin aty, por Këshilli donte të nënkuptonte që këto qëndrime kishin jetëgjatësi, e nëse do të arrihej deri në rezultate. Kjo ishte mundësia e artë për të treguar se nuk vijonte tendenca afatshkurtër. Për fat të keq, Komisioni do të shkruajë se nuk pati marrëveshje, nuk u arrit kompromis politik, pra nuk e di se ç’rezultat do të sjellë kjo në Këshill. Unë mendoj se, politikisht, ju humbët një shans shumë të mirë për të treguar se situata në Shqipëri ka ndryshuar për mirë”, – theksoi Eduard Kukan në një prononcim për “Top Channel”. Më tej, duke bërë të ditur ecurinë e negociatave mes palëve gjatë këtyre kohëve, eurodeputeti theksoi se gjatë takimit të fundit nëKomitetin e Stabilizim-Asocimit mes Parlamentit Evropian dhe Shqipërisë nuk u ra dakord për një deklaratë të përbashkët. “Qëndrova për rreth 4 orë me delegacionin dhe më pas më duhej të largohesha, por ata u pajtuan dhe unë vlerësoj pozitivisht faktin që nuk donin ta mbyllnin pa marrëveshje, pasi thanë se do të vazhdonin bisedimet politike, dhe në të vërtetë kështu duhej të ndodhte. Ata vazhduan punën në Shqipëri disa herë dhe, teksa po vjen fundi i mandatit tonë në Parlament, ata e kuptojnë se kjo është koha e përshtatshme që duhet ta konsolidojnë këtë marrëveshje. Pra, këtë javë bisedimet filluan tepër intensive, por përfundimisht nuk u arrit marrëveshje, gjë për të cilën më vjen shumë keq”, – theksoi Kukan. Edhe pse nuk pranoi të vinte gishtin se cila palë ishte më shumë përgjegjëse për këtë dështim, europarlamentari nënvizoi se mënyra evropiane është për negociata dhe për arritjen e kompromiseve. “Këtë mundohemi t’u shpjegojmë partnerëve tanë në Shqipëri, që ju lutemi flisni me njëri-tjetrin, grinduni, bëjeni sa më dramatike, por ju duhet të arrini në marrëveshje, sepse kjo është mënyra evropiane për zgjidhjen e problemeve”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency