Kafeshantozat e Korçës, çmendën djemtë dhe lanë burrat pa një qindarkë

0
187

Nga Vepror Hasani 

 

korc3a7a-e-vjetc3abrMë në fund Prefektura e Korçës kishte dalë me një vendim të prerë: kafeshantozat duhet të braktisnin kafenetë dhe të largoheshin nga qyteti i Korçës. Lajmi u bë i njohur edhe nga gazetat e kohës. “Zëri i Korçës”, 12 dhjetor 1925, shkruante: “Këshilla administrative e Prefekturës t’onë vendosi të ndalohen dhe të mbyllen tërë kafeshandanet (kështu quheshin ndryshe nga njerëzit), që ndodhen në Korçë dhe në qark, mbasi këto dëmtojnë popullin

 

 

KORÇË- Më në fund Prefektura e Korçës kishte dalë me një vendim të prerë: kafeshantozat duhet të braktisnin kafenetë dhe të largoheshin nga qyteti i Korçës. Lajmi u bë i njohur edhe nga gazetat e kohës. “Zëri i Korçës”, 12 dhjetor 1925, shkruante: “Këshilla administrative e Prefekturës t’onë vendosi të ndalohen dhe të mbyllen tërë kafeshandanet (kështu quheshin ndryshe nga njerëzit), që ndodhen në Korçë dhe në qark, mbasi këto dëmtojnë popullin moralisht, lëndërisht, (materialisht) dhe në pikëpamje të shëndetit”. Fill pas këtij vendimi, ruajtësit e rendit shkuan kafene më kafene dhe u bënë të ditur pronarëve të kafeshantozave se që nga ai çast ata nuk do të mbanin më shantoza në lokalet e tyre, ndërsa shantozave u thanë se ato duhej të largoheshin nga Korça, por në rast se dëshironin të qëndronin në këtë qytet, atëherë nuk do të punonin më si shantoza. Urdhëri ishte i prerë dhe ishte vendosur përfundimisht që gjëra të tilla të mos ndodhnin më kurrë. Çfarë ishin shantozat, këtë do ta shpjegojmë më poshtë.

 

IKJA E SHANTOZAVE

Edhe pse ishte mesi i dhjetorit dhe i ftohti ishte i hidhur, djemtë nuk e përmbajtën dot veten, dolën për të parë ikjen e shantozave. Në një farë mënyre dëshironin t’u thoshin, lamtumirë. Të dy palët do t’i merrte malli, por zor se do ta shihnin më njëri-tjetrin. Urdhëri i Prefekturës ishte i tillë, që ato të mos ktheheshin më në këtë qytet si shantoza. Djemve u mbetej të kujtonin vetëm netët që kishin kaluar së bashku me to. Atë mëngjes të hidhur, shantozat dolën nga lokalet bashkë me instrumentistët dhe po u drejtoheshin makinave të tyre për të lënë Korçën njëherë e mirë. Të paktën kështu dukej në pamje të parë. Thuhet se te sytë e ndonjë djali pati edhe ndonjë pikë loti. Shantozat në ikje, u buzëqeshnin gjysmë fshehurazi e gjysëm hapur dhe me një trishtim të dukshëm, sikur donin t’u thoshin “do të na marrë malli”, hipnin nëpër automobila. Në përcjelljen e tyre nuk mungonin as burrat e martuar. Ata përpiqeshin ta shisnin veten sikur ishin ndodhur aty rastësisht, por në të vërtetë kishin ardhur të shihnin shantozat për herë të fundit. Madje, heshturazi, ua bënin hallall edhe gjithë të hollat që kishin shpenzuar nëpër netët e gjata deri në të gdhirë. Në këtë përcjellje të shantozave nuk mungonte as poeti anonim, ai që më 18 dhjetor 1926, la te “Zëri i Korçës”, një vjershë të shkruar enkas për shantozat, të cilën do ta sjellim të plotë. Pas pak automobilat ishin nisur për udhë. Askush nuk e dinte për ku po shkonin ato. Më në fund shantozat kishin ikur. Ikën të gjithë e vendi mbeti bosh. Kishte mbetur i vetëm dhe i menduar vetëm poeti anonim.  Sapo kishte krijuar vargjet e para për shantozat: “Na u hapën kafe-shandane/, kryet na u bënë duman/, me gërnetë dhe qemane/,  çupat lozin dan-dan-dan…”.

 

GRATË E MARTUARA 

Lajmi i ikjes së shantozave përfshiu gjithë qytetin e Korçës. Nuk mbeti njeri pa e marrë vesh, por ato që morën frymë të lehtësuara, ishin gratë e martuara. Që nga dita e ardhjes së shantozave, ato kishin qenë gjithnjë të shqetësuara. Burrat e tyre kishin filluar t’u ktheheshin me vonesë në shtëpi. Nuk tregonin që shkonin te kafeshantozat, por ato e dinin mirë se ku kishin qenë burrat e tyre. Nuk e ishte e nevojshme që ata ta pohonin, gjithçka ishte e qartë. Ata edhe kur ktheheshin dukeshin si të shastisur. Ktheheshin vetëm me gjysmën e trurit se gjysmën tjetër e kishin lënë atje. Të nesërmen shkonin përsëri që të gjenin atë që kishin lënë, por në të vërtetë u ikte truri fare, se nuk thonë kot që mendja është një grusht mizash. Për të gjitha këto, gratë po ndiheshin të dëshpëruara dhe jo rrallë herë mes çifteve të martuara pëlciste sherri, ndaj kur morën vesh që shantozat kishin ikur, u ndjenë të lehtësuara. Gjithë hakmarrja  e tyre u përmblodh në një rrënikim të vetëm: “Ah të mallkuarat!” Po nuk ishte vetëm kjo. Edhe djemtë kishin filluar të grindeshin me njëri-tjetrin. Xhelozoheshin për shantozat dhe nuk e përmbanin dot më veten. Dëshironin kush e kush të shpenzonte më shumë, për të tërhequr sa më tepër vëmendjen e shantozave, ndërsa poeti anonim vazhdonte të përvijonte në heshtje vargjet për gjithçka që shihte e dëgjonte: “Do të shes kaci, sahan/, tërë tenxheret dhe tiganë/, për raki, birrë e shampanjë/, që të vete në kafeshandan…”. Po çfarë ishin shantozat? Kjo gjë është shpjeguar nga vetë kronikat e kohës. Ne po sjellim të plotë një prej tyre.

 

ÇFARË ISHIN SHANTOZAT

Gazeta “Zëri i Korçës”, dt. 13 mars 1926 shkruante: “Më duket se e dinë që të gjithë fjalën “shantozë” që do të thotë “këngëtore”, po nga ndonjëherë ka edhe një kuptim të ndyrë, e rrugëve. Do të flasim për ato shantoza që kanë kuptimin e dytë, se shyqyr Zotit, na kishin vizituar qytetin tonë një herë të këtillat dhe e kishin sjellë gjendjen më një gradë të vështirë. Të shikonje, pa ç’të shikonje, çudira dhe çudira të mëdha ishin me to dhe me një soj nga klientët e tyre. Mund të themi vetëm këtë që bënin allishverish të mirë dhe mbushnin xhepet e tyre me mjaft të holla, pa se çkatërroheshe morali i popullit nuk mentonin fare. Lumturisht u ndalua e tatëpjeta e popullit prej kompetentit. (prefektit) Çështja nuk është këtu, po me një soj tregtrarësh që përfitonin prej tyre. Këta me mënyrat e tyre dhe me miqtë e tyre përpiqen që t’i përsëritin të tillat, në mos në formën e parë, po në një tjetër, që duket më e lehtë, pa se si do të dalë fundi nuk mejtojnë fare. Nuk mentojnë se populli varfërohet, demoralizohet, harmonia familjare shkatërrohet dhe udha e greminës hapet…”. Të gjitha sa ndodhnin ishin vërejtur nga afër edhe nga poeti ynë, i cili kishte parë se si djemtë dhe burrat largoheshin prej andej, vetëm atëherë kur kishin mbetur pa një qindarkë në xhep: “Ta dish sa s’më vjen mirë/,  kur qiras çupkat me birrë/, se s’shpie bukë në fëmijë/,  gjithë bota le ta dijë…”.

 

NJERËZIT JANË SI GJETHET

Ndërkaq informacioni i gazetës Zëri i Korçës, vijonte: “Nuk më vjen keq se ç’bënin shantozat nëpër viset (vendet) e tyre dhe si losnin, po më vjen keq me një gjë të keqe tjetër, se mënyrat i lojtjes së tyre, ngritja e këmbës, fustanit dhe skercat e tjera po përhapeshin nëpër fëmijët e vegjël, të cilët i imitonin ato në të gjitha pikëpamjet me përshypjen më të ligë, sa formova idenë që brezi tonë i ri i ardhmë do të jetë mizerabël. Sa keq, thashë, dyke mentuar demoralizimin e nesërm. Qeveria bëri shumë mirë që i ndaloi dhe të kujdeset që ndalimi të vazhdojë edhe më i rreptë se shumica e njerëzisë janë si fletët e pemës që venë nga fryn era. Të mjerët! Kanë nevojë për kapistall”. (Zëri i Korçës, 13 mars 1926). Sigurisht edhe për çfarë shkruhet më sipër, poeti anonim i kishte vargjet gati: “Na japin në kafeshandan/, çupa të mira me byrhan/, me të kuq porsi kaftan/, me të bardhë si shejtan…”.

 

NË PRITJE TË SHANTOZAVE

Që nga dhjetori kur ato ishin larguar nga Korça, kishin kaluar kohë, por ende askush nuk kishte marrë vesh ndonjë gjë për shantozat. Ato kishin lënë gjurmë në shpirtin e shumë njerëzve. Në Korçë kishte patur edhe më parë gra publike, madje kronikat e kohës sjellin ngjarje të tilla, që nga viti 1909, por vendin e shantozave nuk mund ta zëvëndësonte dot askush. Më pas, në kohën e pushtimit francez numri i grave publike (prostitutave) u shtua edhe më tepër. Ja çfarë shkruhet në një nga kronikat e kohës, e cila sjell të përshkruar shkurt, por mjaftueshëm, periudhën nga pushtimi francez, (1916), deri në vitin 1926: “Në kohën e okupimit frances, këtu, (në Korçë), gratë imorale shëtitnin me një mënyrë jashtë njerëzimit rrugët e gjithë qytetit dhe skandalizonin gjindjen. Më pas, ky ves i lig u çduk se policia shqiptare i ndaloi skandalozët të shëtitnin nëpër qytet. Me kohë, duket se u harrua ndalimi i tyre dhe po shikojmë që të shëtitin të tillat me një veshje dhe pamje jo njerëzore për turp të udhëtarve që na viztojnë dhe të gjindjes. Kujtojmë se kompetentët tanë do të vënë në veprim ndalimin e tyre, sikurse ishte zakon në kohët e para, ose dalja e tyre të jetë në mënyrë njerëzore, përndryshe të rrinë nëpër viset (shtëpitë) e tyre pa patur të drejtë të shëtitin qytetin, por vetëm pazarin kur kanë nevojë (Zeri i Korçës, 1 maj 1926). Gjithsesi, ato që kishin mundur të hynin kaq shumë në shpirtin e meshkujve, kishin qenë vetëm shantozat. Poeti anonim e përshkruante kështu: “Sapo që të hysh në derë/, të vështrojnë si të mjerë/, do raki apo do verë/,  të bësh qejf ore i mjerë…”

 

SI ERDHËN SHANTOZAT NË KORÇË

Si erdhën shantozat në Korçë dhe çfarë ndodhi me ardhjen e tyre, e mësojmë përsëri nga kronikat e shkruara në ato vite: “Kafeshandanet po përhapeshin me një mënyrë shumë të rrezikshme në qytetin tonë. Për së pari herë ardhë këtu ca orqestra me gra dhe burra që losnin mirë dhe brenda kufijve të moralit të mirë. Pas këtyre ardhë këngëtorët në mënyrë dhe qëllim imoraliteti, të cilët zunë vendin e të mirëve dhe formuan kafeshandanet. Këto, njëra pas tjetrës, zunë të shumohen dhe të përhapen nëpër të gjitha kafenetë dhe bënin punëra me fitime. Mënyra e kafeshandaneve po përhapeshe me mënyrën skandaloze dhe po demoralizonte shumicën e djemve dhe mjaft burrave të martuar dhe familjarë, përveç prishjeve dhe shpenzimeve që bëheshin të kota. Me mbylljen e kafeshandaneve, kafexhinjve u bëhet një dëm, por dëmi i tyre është një përqindje e vogël dhe jo më shumë. Shumicën e të hollave e marrin shantozët dhe shpenzimet për të pirë. Këtyre duhet të mos u vijë rëndë për një dëm të vogël, para një fitimi të madh të përgjithshëm dhe para një nderi dhe morali të përgjithshëm. Shumica e popullit nuk menton llogjikisht, po vete nga fryn era dhe me që era frynte për çkatërrim dhe ata për në çkatërrim po drejtoheshin. Lumturisht, ishte prefekti ynë. z..Hil Mosi, i cili dyke parë këtë gjendje mentoi vërtet si një at (baba) dhe si një kujdestar i mirë, duke dhënë urdhër që të ndalohen kafeshandanet. Ky ndalim sjell një fitim të madh ekonomikisht dhe shumë më të madh moralisht. Djemtë do të konformohen pas kohëve, do të shikojnë punën dhe nderin e tyre. Gjithashtu edhe ca familistë. Duheshe të merreshe kjo masë medoemos se shumica e popullit nuk ka arrirë atë shkallë që të njohë të mirën dhe të ligën e tija dhe të dijë të qëndrojë brenda moralit dhe nderit (Zëri i Korçës, 5 janar 1926). Nëse hyje në kafeshantoza, duhej të ishe i shkathët dhe i shpejtë, sepse edhe një grimë më shumë po të vonoheshe, ta rrëmbente shantozën e bukur xhanani që sapo kishte hyrë. Poeti anonim vijonte të shkruante: “Po pas pak të zë xhani/, të thërret porsi shejtani/, ç’ke në qese të pyet Mari/, se është gati xhanani…”

 

NJË VIT MË PAS

Kur shantozat pothuajse ishin harruar krejtësisht nga djemtë e burrat, ato u shfaqën papritur. Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1926, kur automobilat e tyre hynë sërish në qytetin e Korçës. Pronarët e kafeneve ishin të parët që dolën edhe i pritën. Tashmë e në vijim kafenetë e tyre do të quheshin përsëri kafeshantoza, ose siç i quanin shumë të tjerë “kafashandane”. Djemtë nisën të pyesnin njëri-tjetrin nëse kishin ardhur shantozat e tyre të preferuara. Burrat e martuar  do të merrnin vesh gjithçka vetëm kur të hynin si krejt rastësisht në kafene. Lajmi u përhap përsëri në çdo cep të Korçës. Nuk mbeti njeri pa e marrë vesh. Sigurisht, që ardhja e shantozave duhej të kishte shkuar edhe në vesh të qeveritarëve, por kësaj radhe edhe prefektura, edhe policia, u hoqën sikur nuk dinin asgjë për ardhjen e shantozave. Ndoshta edhe qeveritarët kishin dashur që ato të ktheheshin përsëri në Korçë. Vërtet ishte vjeshtë, por ardhja e shantozave përhapte shumë hare.Gjithsesi, shumë njerëz e pritën me dëshpërim kthimin e shantozave. Përsëri do të fillonte çmenduria e djemve dhe burrat e martuar do të shisnin edhe këmishën e trupit të tyre. Të gjitha këto kishin mbetur të shkruara edhe në vargjet e poetit të panjohur të Korçës: “Kështu fluturon paraja/, dhe të qeshin tërë dynjaja/, po s’e dinë fukaraja/, kur u bëhet kahkahaja”, (rrënimi).

 

QYTETIT I PRISHET QETËSIA

Megjithatë, ato kishin mbërritur. Qytetit të Korçës i ishte prishur përsëri qetësia. Nuk po merrej më vesh ku fillonte dita e kur mbaronte nata. Ditët dhe netët ishin shkrirë në një gjë të vetme, ku dallimi i kufijve ishte i vështirë, ashtu siç ndodh me një çift të sapomartuarish, ku nuk nuk kuptohet ku shtrihen këmbët e njërit dhe ku gjenden gjunjët e tjetrit  Në mendjen e të rinjve kishte mbetur vetëm një emër- kafeshantozat. Prisnin afrimin e mbrëmjes që të shkonin sërish atje e të kalonin gjithë natën deri në të gdhirë nën shoqërinë e shantozave. Ato ishin vërtet një mrekulli. Dinin të këndonin bukur dhe të vallëzonin si fluturat mbi lule. Por nuk ishte vetëm kaq. Ato dinin të rrotulloheshin kaq mrekullisht sikur të ishin pupla, madje të krijonin përshtpjen sikur po ngriheshin në ajër, e ndërsa rrotulloheshin, fustani i tyre hapej si një ombrellë e madhe, ku poshtë tij shfaqeshin këmbë të bukura, kaq joshëse e kaq dehëse sa të bënin të çoheshe vetiu nga vendi e të shkoje drejt tyre… Frymëmarrja ndalej dhe dëgjohej vetëm rrahja e zemrës që bënte dan-dan-dan. Djemtë nuk ishin të sigurtë, nëse duhej të ulnin kokën pak më shumë që të shihnin pak më lart nën fustan, apo të prisnin që të ngrihej fustani pak më shumë nga rrotullimi dhe ajri që së fundi të shihin atë çfarë kishin pritur të shihnin. E ndërsa ndodheshin në një gjendje të tillë, befas kapnin një shkelje syri që u vinte nga shantozat. Pas kësaj, djemtë me zemër e mendje krejtësisht të avulluar, porosisnin pije të forta për të mbajtur mendjen të mbledhur e të mos u merrte arratinë, por në të vërtetë, pas kësaj asgjë nuk ekzistonte.  Ndërsa poeti i mbetur diku mënjanë, shkruante me dhimbje: “Çupkat posi meleq/, më e vogla 16 vjeç/, më e madhja foshnje në djep/, a e mësuat o milet!…”.

 

BURRAT E MARTUAR

Burrat e martuar hynin në kafene dhe bënin të gjitha përpjekjet për të komunikuar fshehurazi me shantozat. Flisnin me një gjuhë të errët shenjash, vështrimesh, buzëqëshjesh, sinjalesh e lëvizjes, por çuditërisht shantozat i kuptonin lehtësisht të gjitha, a thua se ato kishin lindur për të deshifruar çdo lloj gjuhe që mund të fliste njeriu i kësaj bote. Pikërisht në këtë kohë edhe orkestra ndizej dhe merrte flakë, vajtonte violina gjithë hallet e njeriut, qante gërneta me një kaba drithëruese, rënkonte lahuta dhe tingujt hynin në shpirtin e njerëzve që ishin mbledhur aty, e pas kësaj  gjithkush nxirrte nga xhepi gjithë sa kishte për t’i hedhur te këmbët e shantozave. Madje jo rrallë herë u dukej se asgjë nuk ishte e vërtetë, veçse një ëndërr, ku asgjë nuk kishte vlerë, madje as paraja. Dhe duke i shërbyer me pasion kësaj ëndërre, ata shpenzonin gjithçka dhe kur nuk u mjaftonin, u kërkonin hua njerëzve që ishin aty, sepse nuk dëshironin të iknin prej andej, edhe sikur të dilte dikush e t’u thoshte: “Zotërinj, jeni duke shkuar drejt ferrit!”, sepse  atë çast, ata, të gjithë, kishin një përgjigje të vetme: “ Të digjesh në flakët e ferrit do të thotë parajsë!” Si gjithnjë, mes turmës së mbledhur në kafene, ku pihej alkool dhe tymi i duahnit ngrihej si mjegull, qëndronte i heshtur dhe i menduar për gjithçka shihte, poeti ynë. Ai  mërmëriste me vete, askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte me të, nëse kishte lajthitur apo po lajthiste nga çasti në çast, por në të vërtetë ai gjithnjë ishte duke krijuar bejtet e tij: “Kështu është puna ime/, në shtëpi bukë e thërrime/, në zëmër mallëngjime/, vetë qaj për veten time…”.

 

A DO TË VIJNË PRAPË

Tashmë qyteti nuk ishtë më ai që kishte qenë më parë. Gratë vazhdonin të prisnin të shqetësuara kthimin e burrave të tyre në shtëpi. Djemtë bënin sherre me njëri-tjetrin. Netët ishin gjithnjë të trazuara. Njerëzit që kishin humbur gjithë të hollat ecnin nëpër rrugë duke folur me vete, pa ditur se ku shkonin. Gazetat e kohës nisën të shkruanin përsëri: “Është vënë re se nga koha në kohë vizitojnë qytetin tonë disa shantoza, të cilat këndojnë e kërcejnë nëpër kafenetë e këtushme. Këto jo vetëm që dëmtojnë  të rinjtë moralisht dhe ekonomikisht, por po bëhen shkak që të ngjasin edhe zënka midis popullit. Mësuam se në një nga kafenetë e qytetit ngjau pardje një zënkë midis klientëve, shkaku i së cilës ishin shantozat. Kemi thënë edhe tjetër herë që autoritetet qeveritare do të bënin mirë që të ndalonin lojtjet e shantozave nëpër kafenetë e qytetit dhe në çdo vend publik”.

(“Zëri i Korçës”,15 mars 1927). Ndërsa shqetësimi i njerëzve kishte filluar të rritej, “komiserija (komisariati) i policisë i proponoi Prefekturës mbylljen e kafeshandaneve dhe largimin e shantozave, me qenë se gjithnjë janë duke shkaktuar prishje qetësie, morali dhe ekonomie publike. Komiseri z. Zef  Mirdita meriton përgëzimin e lavdërime për këtë, se me të vërtetë kafeshandanet u bënë një plagë për qytetin tonë”. (“Gazeta e Korçës”,15 mars, 1927). Pas kësaj, shantozat u larguan përsëri nga Korça dhe sërish ishin djemtë ata që dolën t’i përcillnin, nuk munguan as disa nga burrat e martuar, sigurisht, ditën e ikjes së tyre ishte i pranishëm dhe i heshtur si gjithnjë edhe poeti anonim. Edhe gratë prisnin të merrnin vesh sa më parë lajmin e largimit të shantozave, por që të gjithë i mundonte vetëm një pyetje: vallë a do të vinin prapë?

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency