Pogradeci i bukur, pak kushte, shumë pabarazi

0
169

Kilda Hysenbegasi

rruget ne PogradecNë qytetin e Pogradecit, aty ku njerëzit me aftësi të kufizuara vuajnë infrastrukturën dhe vëmendjen e pakët shtetërore. Reportazhi i mëposhtëm është mbështetur nga Ambasada Amerikane, për të drejtat e personave, duke zënë vendin e tretë në kuadër të këtij projekti, si një nga momentet sociale më të prekshme të qytetit

Qyteti turistik, Pogradeci, shihet si një ndër perlat e Shqipërisë, por në brendësi të tij hasen edhe problematika. Teksa shohim pamjen e parë, është një qytet i mrekullueshëm, i cili shtrihet buzë Liqenit të Ohrit. Një qytet i rrethuar me gjelbërim dhe harmoni natyrore. Por ndonjëherë pamja e parë të gënjen. Nuk kemi çfarë të themi për qytetin e Pogradecit për sa i përket bukurisë, por themi “të gënjen” për sa u përket kushteve, të cilat sjellin dhe pabarazinë mes njerëzve.

Duken si të pakuptimta këto detaje deri në momentin që kthejmë kokën nga disa njerëz, të cilët janë si ne, por me një problem apo një tjetër nga shoqëria quhen njerëz me aftësi të kufizuara. Aftësia e pakufizuar në Shqipëri përbën një problem të rëndë në jetesën shoqërore për aq kohë sa në të përfshihen njerëz të margjinalizuar. Njerëz të cilët hasin vështirësi në format e arsimimit, të punësimit dhe të integrimit në shoqëri.

Pogradeci një pikë turistike dhe një qyteti i vogël ka përplasje të ndryshime për sa i përket integrimit të njerëzve në mënyrë të barabartë, në shoqëri. Shohim një formë të diskriminimit. Siç mund të shohim diskriminimin ndaj njerëzve të komunitetit egjiptian, shtresave të varfra, ashtu shohim dhe diskriminimin e njerëzve me aftësi të kufizuara. Askush nuk iu ka hapur dyert këtyre njerëzve në qytetin e Pogradecit. Një problem tjetër kryesor janë kushtet e qytetit dhe infrastruktura. Njerëzit me aftësi të kufizuara, të cilët dëshirojnë të vizitojnë Pogradecin apo ata që jetojnë aty e kanë të vështirë shëtitjen dhe përshtatjen në këtë qytet, sepse duke mos folur për bukurinë nuk i plotëson kushtet që këta njerëz të ndihen të barabartë me njerëzit e tjerë. Problemet fillojnë që në momentin që nis vozitjen nëpër qytet. Trotuaret janë të larta dhe kjo është një vështirësi për njerëzit tetraplegjikë. Kinemaja, teatri, bashkia, lokalet, hotelet kanë vetëm shkallë, madje shumë shkallë dhe asnjë vend të vogël që të jetë i përshtatshëm edhe për të kaluar njerëzi me aftësi të kufizuara. Çdo vend është i ndërtuar në atë mënyrë që nuk lë mundësi për të mos vënë re pabarazinë. Si mund t’i ngjitë këto shkallë një njeri me karrocë? Si mund të kalojë pragun e trotuarit një njeri i verbër? Askush nuk ka menduar për ta, thjesht kanë kërkuar perfeksionin në qytet. Gjatë verës në Pogradec ka shumë turistë të huaj dhe shqiptarë, por qyteti largon nga pjesa e turistëve njerëzit me aftësi të kufizuara, pasi nuk u plotëson as kushtet elementare.

Një tjetër problem për njerëzit vendas është mospunësimi i këtyre njerëzve. Pushtetarët i shohin si “të paaftë” për punësim dhe këta njerëz marrin vetëm një rrogë të vogël mujore e cila shpeshherë nuk mjafton as për ushqim. Por përsëri askush nuk u hap një vend pune, thjesht kërkesat e shkresat e tyre i lënë diku në një sirtar.

Gjatë vizitës në Bashkinë e Pogradecit, drejtorja e Punëve Sociale, Natasha Kanina, na informon se këta njerëz pas plotësimit të disa dokumenteve dhe kritereve nuk mund të punësohen, por marrin nga shteti një rrogë mujore, e cila u shërben për ushqim, ilaçe dhe nevoja të tjera. Por pavarësisht nga kjo u vinë në ndihmë disa organizata jofitimprurëse (OJF). Këto organizata ndihmojnë njerëzit me aftësi të kufizuara dhe njerëzit në nevojë me pako ushqimesh dhe veshmbathjesh për t’ia u lehtësuar sadopak vështirësitë që ata hasin çdo ditë.

Në statistikat e nxjerra në fund të muajit, në Bashkinë e Pogradecit janë regjistruar 560 persona të shpallur me aftësi të kufizuara (PAK – ku përfshihen njerëzit me probleme mendore, fizike dhe shqisore), 167 persona të verbër, 60 tetraplegjikë dhe 980 persona invalid pune. Këta persona marrin ndihmën e shtetit ose ndryshe rrogën mujore. Të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuara shoqërohen nga kujdestarët, të cilët mund të jenë familjarë dhe marrin një rrogë për kujdesin ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara. Njerëzit me aftësi të kufizuara (PAK) përfitojnë 9900 lekë në muaj. Njerëzit tetraplegjikë përfitojnë në muaj një shumë rreth 9900 lekë, paketën higjeno-sanitare prej 16000 lekë dhe kujdestarët e tyre marrin rreth 10400 lekë. Njerëzit e verbër dhe kujdestarët e tyre përfitojnë 11300 lekë në muaj. Këto shuma shërbejnë për njerëzit e çdo grup moshe. Gjithashtu tetraplegjikët dhe të verbrit marrin shtesë 2000 lekë për pagesën e energjisë elektrike dhe 1000 lekë për telefonin.

Kjo ndihmë ekonomike për shumë familje është shumë e vogël, sepse është një jetesë e shtrenjtë dhe në krahasim më çmimet në treg këto ndihma janë të pakta.

Në Pogradec ka disa organizata jo fitimprurëse të cilat iu vinë në ndihmë njerëzve. Një ndër to është dhe fondacioni “Nehemia”. Në këtë fondacion, përveç ndihmave me ushqime dhe veshmbathje gjithashtu ofrojnë përkujdesje për njerëzit me aftësi të kufizuara. Ofrojnë përkujdesje, masazhe dhe çdo gjë tjetër që u nevojitet njerëzve. Një nëpunëse e fondacionit thotë: “Vijnë njerëz të grupmoshave të ndryshme, duke filluar që nga fëmijët dhe deri tek të moshuarit. U ofrojmë shërbimet dhe përkujdesjen tonë për të bërë më të mirën. Së fundmi një problem parësor shtrihet problemi i shtimit të fëmijëve autikë, të cilët vijnë pranë nesh duke pritur rezultatin”. Por dhe OJF-të e tjera japin ndihmën e tyre me sa kanë mundësi.

Siç e përmendëm më lart, një problem kryesor është mosplotësimi i kushteve. Njerëzit me aftësi të kufizuara, të cilët dëshirojnë të vizitojnë Pogradecin apo ata që jetojnë aty e kanë të vështirë shëtitjen dhe përshtatjen në këtë qytet, sepse duke mos folur për bukurinë, nuk i plotëson kushtet që këta njerëz të ndihen të barabartë. Domethënë supozohet që për këta njerëz Pogradeci të ngelet vetëm një qytet i bukur në fotografi.

Duhet ndërgjegjësim, përgjegjshmëri dhe punë; në mënyrë që mesazhi për një vend social, të jetë i prekshëm dhe të edukohet në të gjithë breza; në mënyrë që të gjithë njerëzit të ndihen të barabartë, të vlerësuar dhe të përfshirë në shoqëri. Në qoftë se qyteti i Pogradecit do të ofrojë të gjitha kushtet, atëherë këto probleme do të sheshohen dhe këtë perlë të Shqipërisë mund ta vizitojnë të gjithë pa asnjë lloj problemi ose frikë.

*Studente në Gazetari, viti I

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here