Përgjimet, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

0
148

Grupi parlamentar i të Gjelbërve është i bindur se Britania e Madhe ka shkelur me programin e saj të përgjimit ‘Tempora’ rregullat e Marrëveshjeve të BE-së. Konstantin von Notz kërkon ndërhyrjen e Komisionit të BE-së.

 

voni Lidhur me programin britanik të përgjimit “Tempora”, grupi parlamentar i të Gjelbërve në Bundestagun gjerman i ka drejtuar një letër presidentit të Komisionit Evropian, José Manuel Barroso. Në këtë letër ata kërkojnë nga BE-ja që të fillojë procedurat për mosrespektimin e marrëveshjeve kundër Britanisë së Madhe për shkak se shërbimi i fshehtë britanik GCHQ përgjon pa ndonjë arsye dhe në masë të madhe komunikimin e qytetarëve. “Kjo është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e demokracive liberale evropiane”, – sqaron zëvendësshefi i grupit parlamentar të të Gjelbërve, Konstantin von Notz.

Nga përgjimet masive të programit britanik “Tempora” janë prekur në mënyrë direkte edhe shumë qytetarë gjermanë. Kjo për shkak se një pjesë e konsiderueshme e komunikimit zhvillohet përmes serverëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Një e-mail ose një hyrje në Facebook nuk kërkon gjithmonë rrugën më të shkurtër, por rrugën më të lirë. Prandaj, një pjesë e konsiderueshme e komunikimeve të brendshme gjermane zhvillohet nëpërmjet fibrave kabllor optik që ndodhen jashtë Gjermanisë, për shembull, në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – nënvizon Konstantin von Notz.

 

Ky është një problem i brendshëm evropian

Ai sqaron po ashtu përse kjo ankesë e grupit të tij parlamentar vjen pikërisht tani. “Sepse tani fillon puna e komisionit parlamentar hetimor. Këtë javë, të enjten (3.4.2014) mbahet mbledhja inauguruese dhe për ne të Gjelbërit është gjithashtu e rëndësishme që kjo të mos kthehet në një histori ‘NSA e keqe, evropianët e shkretë’. Përmes kësaj letre ne duam të tregojmë se ne nuk duhet të bëjmë me gisht vetëm në drejtim të SHBA-së, por të shohim se ky është edhe një problem i brendshëm evropian”, – thotë Konstantin von Notz.

Politikani gjerman shpreson se përmes kësaj letre do të arrihet që në të ardhmen të mos përdoren më të tilla praktika të cilat bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare. “Sigurisht, që shërbimet e fshehta ndërmarrin veprime të fshehta dhe për shkak se ato punojnë në mënyrë parandaluese nuk u nënshtrohen domosdoshmërisht kritereve procedurale penale dhe kriminale. Por ato janë të detyruara që të respektojnë Kushtetutën. Dhe në qoftë se një vend anëtar si Britania e Madhe ka lejuar programe të tilla përgjimi, atëherë kjo është në kundërshtim me frymën dhe të kuptuarit e BE-së, ndaj duhet të ndërpritet”, – thekson Konstantin von Notz.

 

 

 

Shkurtime masive në Universitetin e Lajpcigut

Në Saksoni studentët janë duke protestuar ashpër kundër masave të kursimit. Si pasojë e këtyre masave pritet mbyllja e disa instituteve. Tani kritika për masat e qeverisë së landit dëgjohen edhe jashtë shtetit. Në fund të marsit ishte pikërisht ambasadori portugez në Berlin që komentoi masat e kursimit në Saksoni. “Me gjithë respektin”, kritikoi Luís de Almeida Sampaio në gazetën javore “Die Zeit”: “Unë besoj se Universiteti i Lajpcigut ka marrë një vendim të gabuar”. Natyrisht, që kjo është më shumë një vërejtje anësore dhe duke ditur problemet financiare më të cilat përballet Portugalia duhet kuptuar si një dredhi për të larguar vëmendjen. Por në anën tjetër kjo tregon qartë se çfarë përmasash kanë marrë ngjarjet aktuale në Saksoni. Shkurtimet masive të vendeve të punës në arsimin e lartë po përcillen me vëmendje edhe përtej kufijve të Gjermanisë Lindore dhe po hasin në shumë vende në kritika të shumta.

 

Arkeologjia dhe Dega e Aktrimit në prag të mbylljes

Në mënyrë të veçantë, ambasadori kritikoi shkurtimet në gjuhët romane, sepse Portugalia investon vetë në këtë Institut. Po t’i kishte hobi edhe arkeologjinë dhe teatrin amator atëherë Luís de Almeida Sampaio do të kishte mundësi të kritikonte edhe më shumë në Lajpcig. Për shkak se Arkeologjia dhe Dega e Aktrimit do të mbyllen plotësisht. Kështu ka vendosur rektorja e Universitetit, Beate Schücking dhe tani mbron veten nga kritikat. Ne po zbatojmë vetëm atë që na është paracaktuar nga diktati i kursimeve të këshillit të Landit sakson, thekson Schücking, senati është dashur të veprojë. “Nuk ka alternativë tjetër, nëse Universitetit i duhet të kursejë aq shumë”, tha rektorja. Dega e Aktrimit është një luks, “të cilin ne nuk do të jemi në gjendje ta përballojmë”. Për studentët e kësaj dege prestigjioze të studimeve kjo është një shuplakë në fytyrë. Për javë të tëra ata protestojnë në qendër të Lajpcigut kundër zhvillimeve të fundit, shpërndajnë fletushka dhe diskutojnë me kalimtarët. Ata shprehin mirëkuptim dhe nuk arrijnë të kuptojnë politikën e Landit pikërisht në qytetet e Saksonisë si Dresdeni dhe Lajpcigu që janë në lulëzim e sipër dhe përfitojnë nga të rinjtë në universitete.

 

Fare bisedime, pak informacione

Në mënyrë dinake dhe pa asnjë diskutime paraprak Rektorati kishte shpallur mbylljen e institutit të saj, sqaron Eva Döhne nga Këshilli Studentor i Degës së Aktrimit. Ashtu si shumë shokë e shoqe të saj studentë, ajo është e zhgënjyer njëjtë si nga politikanët ashtu dhe nga Rektorati. “Nga politika vendoset të kursehet pikërisht në arsim dhe atë në qytete të Saksonisë si Dresdeni dhe Lajpcigu që janë duke lulëzuar”, ankohet Eva Döhne kundër planeve të kursimit. Për vite të tëra ka pasur reduktime të vazhdueshme në universitetet saksone, vetëm Universiteti i Lajpcigut ka humbur në dy dekadat e fundit më shumë se 500 vende pune. Dhe kjo pavarësisht nga një numër në rritje i studentëve, edhe nga jashtë vendi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency