Reflektimi/ Pas një emisioni për leximin

0
190

Enton Bido

 

LibraËshtë diçka e mirë dhe për t’u vlerësuar shtimi i hapësirës për kulturën dhe veçmas për librin në disa televizione. Por natyrisht që edhe mund të debatohet rreth tyre, mund të kesh vlerësime pozitive dhe vërejtje.

Një të tillë po e bëjmë lidhur me një emision të përjavshëm të diele, ku diskutohej për leximin dhe librin. Një botuese, ndër të tjera, u ankua për mosfurnizimin prej vitesh, sipas saj, të bibliotekave publike me libra. Në qytetet kryesore të vendit kjo është e pasaktë; është e vërtetë në shumë qytete më të vogla. Bibliotekat publike rajonale pasurohen ritmikisht, të themi, çdo dy muaj dhe shumat e vëna në dispozicion janë të përfillshme, sado që do të dëshironim të ishin më të mëdha. Mund të ketë vonesa, apo edhe tituj që nuk janë gjetur dot nga shpërndarësit, apo libra që kanë ngelur jashtë listave të titujve për shkak të kufizimit të fondit, por nuk mund të zerojmë gjithçka e ca më tepër duke u treguar kategorikë. Disa syresh edhe vuajnë varësinë institucionale nga qendrat kulturore të qyteteve përkatëse. Dëshira e botueses për të shitur sa më tepër është e drejtë, por mungesa e informacionit, ose aq më keq shtrembërimi i tij, e bën atë të padrejtë.

Vetëm një vitrinë libri në fundjavë nuk mund të përballojë gjithë fluksin e botimeve, megjithëse bën një punë të lavdërueshme. Rubrika të ngjashme ka pasur në 2-3 televizione të tjera të kombëtare, por nuk janë më. Ndonjë tjetër në ekrane më me pak emër, rezulton të kenë audiencë të ulët, jo vetëm nga shikueshmëria, por mbase edhe nga cilësia. Ndërsa, emisionet e plota rreth librit, me sa duket nuk janë jetëgjata. Shpesh nis një cikël dhe nuk ka vazhdimësi sezonin që vjen; ka gazetarë që e kryejnë në vijimësi dhe me përgjegjësi këtë punë, ashtu sikundër ka të tjerë që, përveçse nuk kanë lexuar gjë nga shkrimtari i ftuar në studio, mund të bëjnë pyetje të llojit: Si i sillni ju në kohë reale me studimet tuaja autorët e viteve ‘30 ?(!).

“I lexoj librat në origjinal, – u shpreh një përkthyese e njohur. – Nuk i lexoj në shqip, pasi, pas ‘90-ës, kemi përkthime të dobëta”. Është e pamundur t’i shijosh të gjithë autorët në origjinal. Së pari, nuk mund të zotërosh shkëlqyeshëm 10-12 gjuhë; e dyta nuk mund t’i blesh kollaj ata libra, më kryesorja: ka përmirësim të përkthimeve, krahasuar me 10-12 vjet më parë. Metoda e ndjekur mund të jetë: nëse përkthimi në shqip nuk të pëlqen, e gjen tekstin në origjinal, nëse nuk e zotëron gjuhën origjinale, atëherë zgjedh përkthimin në një gjuhë tjetër (Këtu rezerva qëndron te përkthimi i poezisë, e cila ndonjëherë gjykohet si e papërkthyeshme). Shtëpitë botuese po i kushtojnë vëmendje më të madhe përkthimit krahasuar me 15 vjet më parë. Edhe tregu, edhe informimi më i madh i lexuesit bën punën e vet përzgjedhëse. Po ashtu, pasuesve – hëpërhë të paktë – të shkollës së shkëlqyer shqiptare të përkthimit nga njëra anë sot u shtohet lehtësia e takimit të drejtpërdrejtë me gjuhët e folura, shkollimi aty, duke mos anashkaluar rrjetet profesionale online etj.

Një problem mjaft i drejtë që u shtrua dhe pak përmendet në diskutime të tilla apo në shtyp, ishte gjendja e leximit dhe e përhapjes së librit në fshatra. Lexuesit shqiptarë nuk jetojnë vetëm në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër apo në ndonjë qytet tjetër. Rreth gjysma e tyre jeton në fshat dhe nuk mund të justifikohemi përgjysmë duke menduar se në fshat shkon interneti. Po ashtu një lajm i mirë ishte organizimi për herë të parë i një panairi në Ditën Botërore të Librit, më 23 prill.

Natyrisht mbeten për t’u zgjidhur edhe problem të tjera, si: shpërndarja e librit, komunikimi me Kosovën, pjesët e tjera shqiptare, dënimi i shkeljeve të së drejtës së autorit, monopoli në futjen e librit në gjuhë të huaj etj. Sigurisht nuk mund të shterohen të gjitha brenda një emisioni.

Në fund të emisionit, drejtuesja e tij bëri pyetjen: Cilët libra do t’u këshillonit lexuesve? Veç propozimeve të vlefshme, ra në sy një gjë: jo vetëm botuesja, por edhe një gazetare e ftuar propozuan tituj që ajo shtëpi botuese sapo kishte nxjerrë në treg. Nuk ka nevojë për koment, besoj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency