Obama, tur evropian pune?!

0
34

Alba Kepi

 

obamaPresidenti amerikan Barack Obama ka nisur këtë javë një tur evropian pune. I shoqëruar nga një miniqytet i vërtetë me 900 persona, ndër 200 gazetarë, diplomatë, agjentë sigurimi, këshilltarë, ndihmës, 3 avionë me 45 makina të blinduara, ky udhëtim i tij përmban në axhendë tri etapa të rëndësishme; Holandë, Belgjikë e Itali. Vizita në Evropë për Barack Obamën ka qenë e parashikuar prej muajsh e me një qëllim të vetëm, përcjelljen e idesë së bashkëpunimit dhe paqes mes vendesh. Por ja që ngjarjet e fundit në Ukrainë e transformuan në një udhëtim politik e delikat diplomacie, në zgjidhjen e një prej krizave ushtarake më të vështira qysh prej marrjes fund të Luftës së Ftohtë. Ndalesa e parë për Presidentin amerikan qe Amsterdami, më 24 mars, ku së bashku me Kryeministrin holandez Mark Rutte mbajtën një konferencë shtypi. Me një fjalim të shkurtë e konciz, Presidenti amerikan ka siguruar se “Evropa dhe SHBA janë të bashkuara për të mbështetur qeverinë e popullin ukrainas kundër aksioneve të kryera deri më sot nga Rusia. Sanksionet e imponuara Moskës nga Bashkimi Evropian e SHBA do të kenë një kosto të lartë për ekonominë ruse”. Në kryeqytetin holandez, Barack Obama vizitoi “Rijksmuseum” një nga muzetë më të rëndësishëm në Evropë. Në shoqërinë e Kryeministrit Rutte, kryetarit të bashkisë së Amsterdamit, Eberhard van der Laan e drejtorit të muzeut “Wim Pijbes” Presidenti amerikan ka admiruar koleksione të famshme të artit botëror e vepra unike të artistëve si Rembrandt, Vemeer, Hals etj. Duke mbetur në Holandë, Presidenti amerikan ka udhëtuar drejt Hagës ku ka marrë pjesë së bashku me 58 krerë shtetesh në “Konferencën për sigurinë nukleare”, si dhe në një samit të improvizuar të vendeve të grupit të G7-ës. Ky i fundit gjatë punimeve të tij vendosi jo vetëm mos mbajtjen e samitit të G8-ës, parashikuar këtë vit në qershor në Sochi të Rusisë, por dhe hipotezën e përjashtimit të Rusisë nga G7. Zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare, Ben Rhodes, u shpreh gjatë takimit se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkojnë aleatëve të tyre të intensifikojnë gradualisht presionin ndaj Rusisë, sanksionet e izolimin”.

Ndërsa më 25 mars, në konferencën nukleare të Hagës, Presidenti Obama tha: “Jemi të preokupuar se mund të ketë të tjera dhunime të Rusisë ndaj Ukrainës. I përket Rusisë të shfaqë përgjegjësinë e saj e nëse jo, janë gati sanksionet sektoriale në energji, financë e tregti. Po organizohemi në mënyrë të tillë e intensive që plani i urgjencës për të gjithë aleatët të ketë garanci. E do të reagojmë në mbrojtje të tyre çfarë do që të ndodhë. Kjo është NATO!”

Turi evropian rinis më 25 mars në mbrëmje e nga Haga Presidenti amerikan udhëton për në Mbretërinë e Belgjikës. Në pesë vjet të punës së tij, është hera e parë që viziton zyrtarisht institucionet evropiane. Qe viti 2005 me George W. Bush kur shënohet vizita e fundit e një kreu të Shtëpisë së Bardhë në kryeqytetin evropian Bruksel.

Mark Storella, i ngarkuari i Ambasadës Amerikane në Bruksel, ka deklaruar për mediat se Presidenti Obama me stafin e shumtë në numër, 30 makina të blinduara e nëntë helikopterë të US Army Airfield, do të “pushtojë” për 24 orë kryeqytetin e vogël të Mbretërisë Belge. Axhenda në Bruksel do jetë tej e ngjeshur; një mbledhje pune në NATO, takime dypalëshe me autoritetet më të larta belge, samiti BE-SHBA, si dhe një vizitë në Fiandre në varrezat amerikane të Waregem, në nderim të 100-vjetorit të nisjes së Luftës së Madhe. Më 26 mars samiti BE-SHBA, eventi më i rëndësishëm i vitit për institucionet evropiane e për të cilin Këshilli i Evropës ka ditë që po përgatitet ta mirëpres. Shtetet e Bashkuara të Amerikës prezantohen në këtë samit me Presidentin Barack Obama, Sekretarin e Shtetit John Kerry, këshilltaren për Sigurinë Kombëtare Susan Rice e shefin e Lartë të Tregtisë Michael B. Froman. Për Evropën marrin pjesë Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, Presidenti i Këshillit të Evropës Herman Von Rompuy, komisionerja e Lartë Katherine Ashton, komisioneri i Tregtisë Karel De Gucht e ambasadorët dypalësh. Tri janë temat kryesore të këtij samiti: siguria e stabiliteti ndërkombëtar, sfidat e reja globale dhe ekonomia. Rëndësi të veçantë do të marrë analizimi i traktit mbi shkëmbimin e lirë të tregut midis SHBA e BE, TTIP, (Transatlantic Trade and Investment Partnership) me avantazhe ekonomike të parashikuara rreth 119 miliardë në vit për Evropën e 95 për SHBA. Negociatat për Transatlantic Trade and Investment Partnership kanë nisur në korrikun e viti të kaluar, janë ende në fazën e tyre fillestare, ende me shumë punë për tu realizuar e ky samit do të shërbej pikërisht për të qartësuar e zgjidhur pika delikate të tij.

Pa dyshim do të diskutohet në tavolinën e punës dhe skandali i National Sicurity Agency, qartësi mbi limitet e aktivitetit të spiunazhit, garancitë e Evropës për të respektuar kuadrin juridik në mbrojtje të qytetarëve e të të gjithë aktorëve ekonomik. Vizita e Barack Obamës në Mbretërinë Belge përfundon më një vizitë në Palais des Beaux Arts (Pallatin e Arteve të Bukura) ku pritet të mbaj dhe një fjalim rasti.

Etapa e fundit e udhëtimit të Presidentit amerikan në Evropë është Italia, më 26 mars në mbrëmje ndodhet në qytetin më të bukur të botës, Romë. Sekretari i Shtetit John Kerry mbërrin një ditë më parë në kryeqytetin italian, për të organizuar në përpikmëri çdo orë të kësaj vizite të rëndësishme. “Air Force One” do të ulet në aeroportin e Fiumicinos në ora 20.40 e më pas i shoqëruar nga 26 makina e 8 motorë, Presidenti Obama do të ndalet në Vila Taverna, rezidenca amerikane e ambasadorit të SHBA në Romë John Philips. Vizita e Presidentit amerikan nis në Vatikan me një takim me Papa Francescon në paraditen e 27 marsit, më pas drejt Presidencës ku do të pritet nga Presidenti italian Giorgio Napolitano. Në ora 14.30 turi evropian do të mbyllet në Vila Madama, një nga ndërtesat më të bukura të Romës, pronësi e familjes Medici e sot një rezidencë qeveritare, me takimin bilateral Itali-SHBA, Renzi-Obama.

Por dhe në Romë nuk do të mungojë admirimi i një vendi arti. Para largimit Presidenti amerikan do të vizitojë Koloseun e do të mbyllen 36 orë intensive për kryeqytetin italian të blinduar nga rregullat e sigurisë së lartë.