Vendimi/ Zhbllokohet pas një viti puna në Unazën e Madhe

0
116

Ervin Kaduku

 

Segmenti nga Qyteti i Nxënësve tek Komuna e Parisit, peng i shpronësimeve të financiara nga buxheti qendror i shtetit

Shteti u detyrohet 247 kompanive ndërtuese të rrjetit rrugor kombëtar miliarda lekë

 

UNAZA MADHEQytetarët që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës, konkretisht segementi Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës do të marrin paratë për shpronësimin e banesave të tyre. Vendimi, i cili akordon shumën prej 447 milionë lekësh për shpronësimin e tokës, 442 milionë lekë për objektet dhe 1.5 milionë lekë për kulturat bujqësore do t’i hapë rrugë ndërtimit të këtij segmenti të Unazës së Madhe të Tiranës, të bllokuar prej kohësh. Vlera totale e shpronësimeve për këtë segment, e botuar edhe në Fletoren Zyrtare, arrin në rreth 891 milionë lekë dhe do të nisë të shpërndahet muajin e ardhshëm, ku përfitues do të jenë mbi 200 qytetarë. Kjo vlerë do të përballohet nga buxheti i vitit 2014 i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Në vendim thuhet “Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP- ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të  pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor  Shqiptar. Të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që janë në listat e shpronësimit, të  likuidohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë nga ZVRPP-ja, Tiranë”.

Projekti për ndërtimin e një prej segmenteve munguese të Unazës së Madhe që do të bëjë lidhjen midis Qytetit të Nxënësve dhe Komunës së Parisit, duke lehtësuar trafikun në rrugën aktuale, arrin vlerën e 698 milionë lekëve.

Ndërkohë që punimet duhej të kishin filluar në muajin maj të një viti më parë, fondi i shpronësimeve ishte pengesa kryesore për zvarritjen e tyre. Ky fond u bllokua nga ndryshimi i qeverive.

 

Borxhet

Borxhet e papaguara për punët publike, në bazë të listës paraprake të Financave, arrijnë në rreth 15 miliardë lekë, rreth 45% e totalit të borxhit që pritet të paguhet këtë vit.

247 subjekte që kanë kryer punë publike do të rimbursohen këtë vit. Punët e tyre datojnë që prej gjashtë vitesh më parë, në mars të vitit 2007, dhe shumë prej tyre ende nuk janë paguar.

Nga një analizë e të dhënave rezulton se 98% e detyrimeve i përket pikërisht objekteve të infrastrukturës, ndërsa pjesa e mbetur është përdorur për blerjen e pajisjeve dhe mjeteve për institucione të ndryshme shtetërore apo publike.

Pjesa më e madhe e detyrimeve u përket akseve të reja rrugore të nisura nga qeveria “Berisha” në fundin e mandatit të saj të dytë.

Janë pikërisht aksi Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Arbrit, dy projektet publike që kanë “zhytur” më shumë në borxhe firmat.

Aktualisht Tiranë-Elbasan me një gjatësi prej 30 kilometrash nuk ka përfunduar ende dhe punimet u ndërprenë për shkak të moslikuidimit të kompanive (kanë nisur sërish në muajin mars). Në Rrugën e Arbrit me gjatësi 72 kilometra, është ndërtuar vetëm një segment i saj dhe punimet janë ndërprerë për shkak të mungesës së financimit.

Por në listën e projekteve “të pashlyera” nuk mungojnë as akse të nisura prej vitesh të tilla si Plepa-Rrogozhinë, Boshti i Jugut, etj., për të cilat firmat nuk janë likuiduar, duke çuar në pezullimin e punimeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency