Shuhet “Pjetër doktori”

0
190

pjeter pepaDje, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare Dr. Pjetër Pepa, anëtar i Bordit të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), ish- deputet i Parlamentit Shqiptar, ish-ambasador i Shqipërisë në Vatikan, veprimtar i shquar dhe studiues i ngjarjeve dhe personaliteteve historike të kombit tonë

 

 

Është ndarë sot nga jeta, në moshën 72-vjeçare, Pjetër Pepa. Pepa ishte një njeri i kulturës, i politikës dhe një njeri që i donte shumë librat. Në Shkodër ai njihet si “Pjetër doktori”, pasi ka punuar për shumë vite si stomatolog në këtë qytet. Po ashtu shkodranët e njohin edhe si një qytetar model dhe një politikan të urtë. Ndërsa mjekët e njohin si një doktor dhe autor të shumë botimeve në fushën mjekësore. Për publikun e gjerë, Pjetër Pepa njihet si deputet, (dy herë deputet), si ambasador në Vatikan, dhe si autor i studimeve cilësore për dosjet e persekutimit, sidomos të Kishës Katolike përgjatë periudhës komuniste. Lajmi për ndarjen nga jeta të Pjetrit u bë i ditur nga vetë familja, të cilët shkruajnë:

“Me hidhërim të madh lajmërojmë kalimin në Jetën e Pasosun, të babait tonë, Pjetër Pepa. Mesha e shenjtë do të celebrohet nesër, 24.03.2014, në orën 12.00 në kishën “Zoja Rozare” në Shkodër tek lagja “Arra Madhe”. Varrimi do të bëhet nesër në Shkodër tek varrezat e Rmajit në orën 13.00. Nisja nga shtëpia në Tiranë do të bëhet nesër në orën 10.00.  E ndritë drita e pambaruar, pushoftë në paqe!Valeria, Julia, Eugeni”.

“Dr. Pjetër Pepa është gjerësisht i njohur për botimet e tij, në mënyrë të veçantë për librat “Dosja e diktaturës” dhe “Martirizimi i klerit katolik shqiptar”. Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Pepa, miqve dhe bashkëmendimtarëve të tij për këtë humbje të parakoshme”, shkruan Agron Tufa, drejtori ekzekutiv i ISKK

Ka lindur në qytetin e Shkodrës, më 18 dhjetor 1942, ku ka kryer mësimet fillore e të mesme. Në vitet 1960-1965 ka kryer me rezultate të larta Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Është emëruar mjek stomatolog në klinikën e qytetit të Shkodrës, më 16 gusht 1965. Është angazhuar në sesionet e para shkencore në shkallë qarku dhe republike të zhvilluara që në vitin 1967, në qytetin e lindjes Shkodër, e më pas në rrethet e tjera të Shqipërisë, Elbasan, Gjirokastër, Durrës, Korçë etj., por posaçërisht në ato të fakultetit në kryeqytet, Tiranë. Botimet e para propagandistike e shkencore i ka filluar që në vitin 1966, në revistat periodike të kohës si, “ Shëndeti “ , “Shëndetësia Popullore” , “Buletini i Shkencave Mjekësore” , “Buletini Stomatologjik”( pas vitit 1973) , etj., dhe më pas, në organet e shtypit të përditshëm e periodik, duke botuar edhe artikuj të karakterit historik, kulturor etj. Në vitet 1969-‘70 ka shërbyer në zonën e thellë malore të Dukagjinit, ku ka vazhduar të mbledhë materiale dhe të botojë tema shkencore, përkthime e botime të ndryshme. Në vitin 1972 ka kryer kursin 3 mujor të kualifikimit në Universitetin Shtetëror Tiranë, gjatë të cilit ka dhënë në fakultetin e Histori- Filologjisë, me rezultate të mira, provimet pasuniversitare në gjuhët italisht, frëngjisht, rusisht, pajisur me certifikatat përkatëse (më vonë ka përvetësuar edhe gjermanishten) .

Në vitin 1974 është specializuar pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Problemet e stomatologjisë së fëmijëve, epidemiologjia e sëmundjeve stomatologjike dhe problemet e organizimit të Sanacionit të planifikuar, zbulimit dhe mjekimit të këtyre sëmundjeve tek ata, kanë qenë objekt i disa dekadave pune organizative, mjekuese e shkencore. Në funksion të këtij misioni, kanë shërbyer edhe foto-ekspozitat, broshurat, konkurset stomatologjike, diafilmat, posterat etj., të përgatitura gjatë kësaj periudhe 45-vjeçare, kontribut ky në shërbim të ngritjes së kulturës shëndetësore të masave, posaçërisht nxënësve e fëmijëve. Për afro dhjetë vjet, ka drejtuar Repartin e Shërbimit të Fëmijëve, në qytetin e Shkodrës, dhe në periudha të ndryshme kohe , ka qenë anëtar i kryesisë së Shoqatës së Mjekëve të këtij rrethi, si dhe anëtar i Kolegjiumit të Stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Mbas viteve ’90, ka ndjeke ne vazhdimësi edhe aktivitetet shkencore jashtë vendit si ne Maqedoni- ( Struge, Tetove ),Serbi- ( Beograd), Turqi – ( Kushadac) etj. Në vitin 1992 ka mbrojtur disertacionin për gradën “ Doktor i Shkencave”. Për periudha të ndryshme kohe ka dhënë mësim në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe në disa universitete private. Ka drejtuar disa herë, si udhëheqës shkencor, oponent etj., mbrojtjen e diplomave dhe të titujve “ Doktor i Shkencave” për studentët dhe mjekët e rinj në Universitetin Shtetëror të Tiranës, sot me grada shkencore. Konsiderohet si një ndër organizatorët e parë të Reparteve të Pedodontisë ( fëmijëve ) dhe të Shërbimit të Sanacionit të planifikuar të tyre në shkallë rrethi dhe republike. Në periudhën 1990–1996 është angazhuar në proceset demokratike, duke u zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor për dy legjislatura radhazi. Ka kryer detyrën e ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në Vatikan gjatë vitit 1997. Në vitin 1998 është kthyer në profesion të lirë dhe si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Mjekësisë . Ishte anëtar i Komisionit Historik për kanonizimin e martirëve shqipëtarë për Vatikanin. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “ Medaljen e Trimërisë”, dhe i zgjedhur nga Kuvendi Popullor me detyrën e anëtarit të bordit drejtues të “ Institutit Studimor për Krimet e Komunizmit në Shqipëri”.

 

 

BOTIME TË AUTORIT

I-Botime shkencore:

1-Të njohim sëmundjet stomatologjike -1980.

2-Stomatologjia praktike(përkthim)-1981.

3-Anomalitë e numrit të dhëmbëve-1981.

4-Epidemiologjia e sëmundjeve të gojës tek fëmijët –2002

II-Botime historike:

5-Dosja e diktaturës-Tiranë 1995.

6-Paggine sulla dittatura-Terlizzi 1998.

7-The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator-(në botim)- 2003

8- Tragjedia e Klerit Katolik ne Shqiperi-2007

9- Dosja e Diktatures- Ribotim i plotesuar -2009  III-Botime kulturore:

10-Pranë dhe Larg-2000.

11-Proverba nga gjithë bota -2001.

12-Gjosho Vasija, Meteor i humorit shqiptar-2001

13-Shopenhauer “ Arti si të jemi të lumtur “ (përkthim) -2001

14-A. de Mello “Urtia popullore e Lindjes” ( përkthim)- 2002.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency