Sherr për alkoolin / Babai qëllon me sëpatë të birin në gjumë, i pret veshin

0
145

Thoma Sejdarasi, në gjendje të dehur, qëlloi ndaj të birit, pas debateve të shpeshta që kishin bërë për konsumin e alkoolit

 

babe e birKorçë

Një sherr brenda familjes për pak mund të degjeneronte në një krim brenda familjes. Debatet e shpeshta babë e bir për konsumin e alkoolit dhe ardhjen në shtëpi në gjendje të dehur, dje kanë përfunduar me një të plagosur rëndë, madje, në gjendje me të vërtetë kritike për jetën. Ka qenë 52-vjeçari Thoma Sejdarasi personi që ka qëlluar në gjumë djalin e tij, Albanin, 22 vjeç, pasi ky i fundit shpesh i kërkonte të atit të mos pinte dhe të vinte në shtëpi në gjendje të dehur. Duke mos duruar dot kritikat e të birit, madje edhe një debat që kishin bërë gjatë ditës së djeshme, 52-vjeçari e ka qëlluar të birin teksa flinte dhe më pas ishte po ai që e çoi në spital. Policia ka vënë në pranga autorin e kësaj plagosjeje të rëndë, Thoma Sejdarasi.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në lagjen numër 8 të Korçës. Sipas bluve të qytetit të Korçës, Thoma Sejdarasi, kryefamiljari i kësaj familje, në gjendje të dehur ka goditur të birin e tij me sëpatë ndërsa ishte në gjumë dhe i ka prerë veshin. Mësohet se autori i ngjarjes ka pasur një sherr me të birin, Albanin 22 vjeç përpara se të kryente aktin e rëndë, pikërisht për alkoolin, që duket se nuk ja ka falur. Pas aktit të tmerrshëm, edhe pse nën efektin e alkoolit, ka qenë vetë Thoma Sejdarasi që e ka dërguar në spital 22-vjeçarin, ku dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Pas denoncimit të rastit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët kanë shoqëruar në komisariat 52-vjeçarin Sejdarasi. Ndërkohë që djali i tij ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe pritet që ta sjellin drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar.

Motivi

Nga ana e policisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga marrja në pyetje e familjarëve, por edhe vetë të arrestuarit, i cili ishte i dehur në momentin e arrestimit, shkak është bërë konsumimi i alkoolit nga ana e 52-vjeçarit Thoma Sejdarasi. I biri i kërkonte shpesh të mos pinte dhe të vinte i dehur në shtëpi dhe këtë fakt e ka debatuar edhe ditën e djeshme, disa orë para ngjarjes. Në gjendje të dehur, pasi kishte konsumuar alkool gjatë gjysmës së parë të ditës, 52-vjeçari është kthyer në shtëpi dhe i ka shkuar djalit aty ku po flinte duke e qëlluar me sopatë. Pastaj, ka qenë po ai që e ka marrë të birin dhe e ka transportuar për në spital. Mjekët bëjnë me dije se gjendja është kritike, ndërsa i ati i ka prerë veshin të birit me sopatë. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, ndërsa blutë kanë shoqëruar për në komisariat Thoma Sejdarasin.

 

Greqi

Sekuestrohen 231 kg marijuanë në Janinë, në kërkim 2 trafikantët

Një sasi prej 231 kilogram lëndë narkotike është sekuestruar dje në afërsi të Janinës. Bllokimi i drogës është kryer nga policia greke, në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas policisë, droga është gjendur në një mjet të braktisur. Mendohet se në automjetin me marijuanë kanë qenë dy trafikantë, të cilët po kërkohen nga policia. Nuk dihet identiteti i trafikantëve, por se origjina e tij është nga Shqipëria.

Vlorë

I gjenden dekodera të kompanive televizive pa leje, nis hetimi

Një 40-vjeçar nga Selenica është marrë nën hetim për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Bëhet fjalë për Gazmir Begaj, 40 vjeç, banues në Selenicë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, procedimi penal ndaj këtij shtetasi filloi pasi gjatë kontrollit të ushtruar në datë 21.03.2014, në një ambient në lagjen ‘’Minatori’’, Selenicë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi mjetesh e pajisje elektronike, dekodera të ndryshëm të firmave ‘’Dixhit-alb’’, “Tring”, “Sat +”, të cilat dyshohen se përdoren për transmetim në mënyrë ilegale të stacioneve televizive, pa lejen e organeve shtetërore dhe pa kontrata me kompanitë televizive përkatëse. Materialet procedurale ju referuan organit të Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale.

Vlorë

Mashtrim në telefon për të përfituar lekë, kallëzime në polici

Dy persona i janë drejtuar policisë me një kallëzim penal për një person të panjohur që u bënte telefonata dhe u kërkonte para, duke u shtirur si i afërm i tyre. Policia e qytetit bregdetar të Vlorës ka filluar dy procedime penale për mashtrim pas kallëzimit të 2 shtetasve me iniciale P. D., 44 vjeç  dhe S. L., 59 vjeç, të dy banuesa në qytetin e Vlorës, të cilët kanë kallëzuar faktin se një person i ka telefonuar duke ju prezantuar si një i afërm i tyre dhe u ka kërkuar shumën prej 10 000 lekësh nëpërmjet Uestern Union. Sipas policisë, shtetasin P. D., e ka mashtruar duke ju prezantuar si një i afërm i tij që ndodhet jashtë shtetit dhe se i nevojiteshin lekët, pasi ndodhej në qytetin e Durrësit dhe nuk kishte mjete financiare. Ndërsa, shtetasin S. L., e ka mashtruar duke ju prezantuar si një i afërm i tij dhe se ndodhej i shtruar në spital. Në të dyja rastet personi ka telefonuar me të njëjtin numër dhe nuk i është përgjigjur më kallëzuesve. Për të dyja rastet materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Mashtrimi”. Njëkohësisht, Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë u bën thirrje gjithë qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos bëhen pre e mashtrimeve të kësaj natyre mashtrimi, si dhe të kallëzojnë pranë policisë nëse kanë qenë viktima të rasteve të tilla mashtrimi apo tentativa për t’u mashtruar.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency