E pamundura e “Amanetit” / Të gjithë në të njëjtin kamp?!

0
167

Kinema/ Me skenar të Ruzhdi Pulahës dhe regji të Namik Ajazit një film për Bllokun komunist

 

 

Violeta Murati

 

filmi 2 amaneti  (3)Shqetësimi i regjisorit Namik Ajazi për dramën e njerëzve në diktaturë, pasi ata ngarkoheshin në kamion dhe përplaseshin nëpër zona më të egra e të zymta, të braktisura të vendit, si njerëz të përndjekur nga “partia” ka 23 vite që nuk e shteron media, vizive dhe ajo e shkruar.

Zbulimet e arkivave janë spontane, gjithmonë e ka shmangur politika. Falja apo rrëfimi nuk ka ndodhur ashtu si në vendet e tjera ish-komuniste. Sikur të mos ishte ky kontekst filmi “Amaneti” që pati premierë dje, do ta humbte gjysmën e perceptimit nga atmosfera e munguar e viteve ‘80. Ajazi zgjedh zonën e Bllokut të famshëm në kryeqytet për të zbuluar dramën e makinës vrasëse, shërbimin e fshehtë të regjimit komunist, siç ishte Sigurimi i Shtetit.

Sipas tij, është një histori, që i bashkon të gjitha në një burim të vetëm: tragjedia, vrasja, persekutimi. Ajazit i ka interesuar ta ndajë këtë histori jo në anën e të përndjekurve politikë, ata që vuajtën dënimin e u pushkatuan se kundërshtuan regjimin. Regjisorit i ka interesuar ta shndërrojë në moral, në homazh produksionin e tij për ata njerëz që kishin funksione të larta në pushtet, kur në një moment u gjendën në të njëjtat kampe me antikomunistët. Çfarë shqiptarët kanë pritur prej tyre në 24 vjet, – pra të bëhen të njohur krimet, vrasësit në një farë gjyqi si ai i Nurembergut, – nuk ka ndodhur në vendin tonë.

Filmi jep të kundërtën. Ndoshta duke na shtyrë në këtë paradoks midis një “dëshire” të pakuptimtë dhe një realiteti që mbetet mbrapa mureve të Arkivave për herë të parë një realizim fiction në kinema ia zbeh forcën.

Megjithatë, Ajazi dje tha se edhe këta ishin pjesë e persekucionit, shkruar nga Ruzhdi Pulaha. Regjisori anon nga dhënia e dramës, lidhur me një amanet të papërfunduar për shoqërinë shqiptare: dekomunistizimin. Është nga regjisorët e parë që hyn në këto përgjegjësi intelektuale, për t’i dhënë kinemasë politikën. Ai tregon se është një nga të prekurit në këtë histori dhe se ia vlejnë ca “mungesa” për të shlyer detyrimin ndaj brezave.

Kinemaja e Ajazit është një dokument. Historia u takon ngjarjeve të ‘81-shit, një kohë kur vetëvritet Kryeministri i vendit, kështu lëshojnë lajmet e kohës. Në Bllok kamera vendoset në një prej vilave ku jetonte funksionari më i lartë i shërbimit të fshehtë. Në këtë rol është Myzafer Zifla, me gruan e tij, aktoren Eva Alikaj, dhe djalin, aktorin e ri Amos Mujo Zaharia.

Makina e Sigurimit të regjimit nuk kursen as “shërbëtorin e tij”, vrasësin e ministrit të parë në ‘45-ën dhe tani të Kryeministrit në ‘81-shin. Historia e kokave të prera nga njëri-tjetri është e njohur në diktaturë. Ndaj justifikohet radha për të hequr qafe edhe funksionarin e lartë të shërbimit të fshehtë, edhe pse nuk ka bërë asgjë kundër partisë dhe Enver Hoxhës.

Familja u bashkohet të persekutuarve të tjerë në kampin e përqendrimit.

Gruaja, Eva Alikaj, rikthehet në kinema pas 23 vitesh. Ajo mban gjithë dramën e familjes. Alikaj kalon “dobësinë” e fillimit, duke e vazhduar dramën si një barrë psikologjike për t’u përballur. Dallohet tek ajo përvoja e aktorit. Nuk flet shumë, por ia del të konsiderojë peshën e ngjarjes si të jetuar. Lëvizja e filmit ndryshon skenën. Kryeqyteti, ku nis ngjarja, është vetëm fotografi personazhesh. Ngjarjes nuk i përgjigjet atmosfera e viteve ‘80, as mjedisi. Ndonëse fotografia e Nino Çelestes, njohur nga filmi “Oktapodi”, e shpëtoi nga gjithë ky kiç skenik filmin, ku i mungonte dhe intensiteti i dramës, shpëtuar në vazhdimin e saj me zhvendosjen mbi psikologjinë e personazheve.

Xhirimet janë bërë në minierën e Rubikut, hapur pas 17 vjetësh vetëm për realizimin e skenave të filmit. Por, regjisori realizon “moralin” me këtë personazh. Funksionari i lartë, i quajtur Mentor Hasa, rrëfen në dy kaseta të vërtetën e të gjitha vrasjeve që ka kryer, prej kohës së luftës partizane e deri në vitet ‘80. Përmbajtja vazhdon e intensifikon dramën, kur ai vritet, por amanetin e së vërtetës ia kalon të birit, i cili arratiset në Itali. Makina e Sigurimit vihet në lëvizje për të ndalur dekonspirimin e gjithë sistemit, në gjetje të kasetës. Filmi finalizon dramën me vrasjen e djalit të funksionarit të lartë të Sigurimit.

Episodi i vrasjes është një nga finalet më të realizuara në kinemanë shqiptare, nga aktori i ri Amos Mujo Zaharia. Për dy arsye: e para lidhet me kontekstin dramatik, ku vrasja e personazhit përmbush katarsin moral e shpirtëror pavarësisht nga përmbajtja e historisë; e dyta, me aktorin e ri, regjisori Namik Ajazi reflekton shqetësimin etik, duke mos lënë zvarrë historinë si proces i pambyllur, por trondit me çastin tragjik – një parakusht estetik që i duhet një kinemaje të mirë për ta marrë me vete publikun bashkë me muzikën absolute të Gerti Durdës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency