Komision i Sigurisë Kombëtare/ PS e PD përplasen për SHISH-in, mazhoranca grup pune për kontroll brenda institucionit

0
112

Florenc Drizari

 

Piro Lutaj: Një grup deputetësh duhet të shkojë e të verifikojë problemet në SHISH-in

 Astrit Patozi: Propozimi i zotit Lutaj është ose mali tek Muhamedi ose Muhamedi tek mali

 

komision _sigurie_11.3.14Mazhoranca pritet të ngrejë një grup deputetësh për të mbikëqyrur veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Kërkesa u bë dje në Komisionin për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti i PS-së, Piro Lutaj. Kërkesën e tij deputeti i PS-së e argumentoi me mosrealizimin e seancës dëgjimore me kreun e këtij shërbimi disa ditë më parë. Lutaj theksoi se është lënë në mes një praktikë që lidhet me raportimin e drejtorit të SHISH-it, Visho Lika, dhe nëse ai nuk vjen për raportim, atëherë një grup deputetësh të komisionit duhet të shkojë e të verifikojë problemet e ngritura para shtyrjes së seancës me kreun e këtij institucioni. Kërkesa e deputetit Lutaj solli edhe reagimet e opozitës, deputetët e së cilës paralajmëruan se nëse merret një vendim i njëanshëm, pritet rishikimi i marrëdhënieve me Komisionin e Sigurisë. Çështja e ngritur, edhe pse ishte jashtë rendit të ditës, u shoqërua me debate mes deputetëve të PS-së dhe PD-së. Në mbyllje të mbledhjes, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, tha se deputetët e opozitës dhe kreu i SHISH-it nuk duhet të kenë frikë nga kryerja e hetimeve edhe në këtë institucion. Meqenëse kërkesa për ngritjen e një grupi kontrolli në SHISH nuk ishte bërë me shkrim nga deputeti Lutaj, kjo çështje u la për shqyrtim në seancë e ardhshme. Më herët drejtori i SHISH-it, Visho Ajazi, shtyu raportimin e tij para Komisionit me argumentin se i kishte skaduar certifikata e sigurisë ndaj informacioneve sekrete. Deklarata e tij u bë gjatë një mbledhje të shkurtër javën e kaluar dhe kjo bëri që mbledhja të shtyhej deri në pajisjen e tij me certifikatën e sigurisë. Ashtu si kreu i SHISH edhe disa deputetëve të komisionit u kishte skaduar certifikata e sigurisë. Një ndër deputetët e opozitës që pranoi mungesën e kësaj certifikate ishte edhe ish-kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Gjatë fjalës së tij në komision, Patozi kritikoi procedurat e pajisjes me këtë certifikatë dhe tha se kishte bërë kërkesë për pajisjen me një të tillë dhe ishte në pritje. Patozi theksoi se edhe pse e kishte marrë këtë certifikatë dy herë dhe kishte qenë pjesë e diskutimeve për sigurisë edhe në NATO kur Shqipëria u bë pjesë e këtyre strukturave, procedurat aktuale sipas tij janë qesharake dhe duhen ndryshuar.

 

Kërkesa

 Ndërkaq, gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Sigurisë, ishte deputeti i PS-së Piro Lutaj, i cili bëri kërkesën për ngritjen e një grupi deputetësh që bashkë me punonjës të SHISH të mbikëqyrin nga afër këtë institucion. Lutaj se qëllimi i tij bazohet në një vendim të qeverisë së mëparshme.

“Nuk e di nëse keni një përgjigje apo afat se kur do ta vazhdojmë këtë seancë të ndërprerë në të kundërt ne duhet të vazhdojmë praktikën dhe veprimtarinë e Komisionit për ta ushtruar këtë kompetencë që na jep pika 3e nenit 102; që një grup prej nesh me stafin e drejtorit të shërbimit atje të shkojmë e të verifikojnë problemet qoftë edhe në vend që të mos e lëmë këtë problem stand-by; ne presim atë e ndoshta ai na pret neve”.
Pas kësaj deklarata ishte ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili tha se qëllimi i mazhorancës është të krijojë zhurmë nëpërmjet iniciativave të saj.

Në mbyllje të mbledhjes kryetari Spartak Braho u shpreh se në mbledhjen e ardhshme do të flitet për përmbajtjen e kërkesës, duke e lënë të hapur nismën e mazhorancës për ngritjen e një grupi kontrolli të përbërë me deputetët për mbikëqyrjen e veprimtarisë së SHISH-it.

 

 

Zbardhje debatesh në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

Piro Lutaj: Një grup prej nesh me stafin e drejtorit të shërbimit të shkojmë e të verifikojnë problemet qoftë edhe në vend që të mos e lëmë këtë problem stand-by; ne presim atë e ndoshta ai na pret neve.
Flamur Noka: Rrugën ia dhamë që ditën e parë në si komision, ishte pak e trupshme por ia dhamë edhe pak antiligjore.
Spartak Braho: Jo, jo, mos i lësho kështu…
Flamur Noka: Të mbaroj unë pastaj, me radhë e kemi.
Spartak Braho: Dakord.
Flamur Noka: Në rast se doni me qit ndonjë pushtë në të thanë kështu herë pas herë për të bërë zhurmë, merreni e shkrepeni herë pas here se s’keni për të bërë gjë, në kuadër të zhurmës do t’ju ngeli.
Piro Lutaj: Unë mendoj të flasim jo me gjuhën e pushkës se nuk ka vend këtu në komision. Në mënyrën më të rregullt po ju propozoj një gjë që është e shprehur në rregullore, për t’ja lehtësuar punën edhe atij zotërisë.
Flamur Noka: Kur të kërkoi ai.
Piro Lutaj: Jo kur të kërkoi ai se e kemi kërkuar ne atë o zoti Flamur. Se nëse ka një njeri korrekt këtu që respekton fjalën deri në fund të kolegëve ju jeni (Flamur Nokës). Dokumentet janë atje dhe nuk ka asnjë shkelje. Ne kemi të drejtën ligjore dhe kushtetuese ta bëjmë këtë gjë. Nëse doni do thoni po, nëse s’doni thoni jo. Unë i propozoj kryetarit që ta konsiderojë si propozim serioz të deputetëve.
Astrit Patozi: Mendoj se si raportimi ashtu edhe dërgimi i një numri deputetësh në SHISH nuk duhet konsideruar si një çështje që ne duhet të bëjmë shaka. Pavarësisht difekteve që mund të ketë shërbimi ynë, unë mendoj se është një institucion shumë i rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe ne nuk mund ta trajtojmë atë hajde dalim njëherë andej nga shërbimi apo hajde e marrim një herë në javë drejtorin e SHISH këtu dhe dikush prej nesh të incizojë e t’i nxjerri nëpër media, se ka ndodhur.
Piro Lutaj: Ka ndodhur në legjislaturën e kaluar…
Astrit Patozi: Po ka ndodhur dhe unë pres që të ndodhi prapë.
Spartak Braho: Certifikata është e lidhur vetëm me një moment të komisionit, në kohën kur ti njihesh me dokumentet sekrete. Ka bërë Piro një propozim për të ngritur një grup pune verifikimi në SHISH lidhur me problematikën.
Flamur Noka: Me cilën problematikë? Tani piro kërkon të nxisë anormalitet në këto marrëdhënie.
Piro Lutaj: Ju keni të drejtë se ju nuk njihni vendimin e qeverisë suaj. Njihni vendimin e qeverisë, propozojeni ta ndryshoni siç e bëri zoti Patozi. Përderisa ai vendim është në fuqi, po ju kërkoj të ushtrojmë kompetencat. Certifikata nuk jepet, por merret. Kështu e ka të përcaktuar vendimi.
Astrit Patozi: Propozimi i zotit Lutaj është ose mali tek Muhamedi ose Muhamedi tek mali… Ky komision nuk mund të paragjykojë institucionet e shtetit shqiptar të cilat janë serioze. Shumë shpejt ai do të pajiset dhe do të vijë këtu dhe kaq. Ne nuk kemi arsye të bëjmë kontrolle punëtore tani se të gjitha komisionet po funksionojmë me komisione punëtore.
Spartak Braho: Tani mos u trembni nga kontrollet, as ju e as Visho, por meqë kërkesa nuk është paraqitur me shkrim, zoti Piro ta bëjë me shkrim çfarë fushe kontrolli ka ndërmend të organizojë dhe të angazhojë kontrollin dhe mbledhjen tjetër diskutojmë më gjatë.

 

 

Berisha: Zhduken vjedhjet e banesave! Sukses i madh i qeverisë Rama – Meta!

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sërish krerët e qeverisë për fshehjen e të dhënave lidhur me raportimin nga institucionet përkatëse të rasteve të vjedhjeve. Sipas tij, Kryeministri Rama ka hequr nga lista e krimeve vjedhjet dhe këtë e ka bërë për të përmirësuar në dukje punën e policisë.

Në një koment në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan: “Këdo muaj çdo dite degjojme per eksplozione tritoli qe marrin jete njerezish, vrasje, grabitje me maska, karvane droge por nuk degjojme me per asnje rast vjedhje banesash. Kete sukses, qeveria Rama – Meta e ka arritur me “pune shume te madhe”, por te thjeshte. Rama, per te permiresuar rendin, ka urdheruar Policine qe vjedhjen e banesave ta heqi nga lista e krimeve te perfillshme. Prandaj dhe ne nuk degjojme me per asnje rast thyerje apo vjedhje banese.

Ne te vertete, sot, vjedhjet e banesave jane nje epidemi e vertete. Keshtu, banoret e Dropullit, ne nje takim me perfaqesues te Aleances se 1 prillit, i dorezuan listen e 203 banesave te vjedhura vetem tre muajt e fundit nga persona qe nuk kapen nga Policia. Me sa duket suksesi tjeter i qeverise do jene maskat, e keshtu me radhe!”, – përfundon fjala e ish-kryeministrit Berisha. Më herët ai ka akuzuar Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin për fshehjen e statistikave për vrasjet. Ndërkohë, gjatë interpelancës së fundit të zhvilluar mes ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe Kryeministrit Edi Rama për çështjet e sigurisë, kreu i qeverisë tha se Berisha kishte deklaruar shifra jo të sakta dhe se niveli i vrasjeve në vend është ulur.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency