“In bocca al lupo” emigrantëve të qeverisë Renzi 1!

0
157

Alba Kepi / Romë

 

renzi2-624x340U mbyll një javë e rëndësishme për Italinë, vendin përballë Adriatikut, tokën e Michelangelos e Verdit, Dantes e Da Vincit, por edhe për vendstrehimin e rreth 500 mijë shqiptarëve, emigrantë të djeshëm e të sotëm që së bashku me mijëra e mijëra qytetarë të tjerë të huaj që jetojnë e punojnë në këtë shtet vuajnë ndër të parët turbullirat politike, ekonomiko-institucionale të një shteti që prej më shumë se dy vitesh nuk po gjen paqe. Qe nëntori i 2011-ës kur ish-kryeministri i atëhershëm jep dorëheqjen e nis për Italinë tatëpjeta e qeverisë teknike të Mario Montit, me një Kryeministër të zgjedhur nga Evropa, pas tij zgjedhje elektorale pa fitues e të humbur, një tjetër qeveri teknike me një koalicion të gjerë e një Kryeministër të së majtës si ish-nënsekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enrico Letta, e së fundmi dorëheqja e tij e kjo javë e sapombyllur e ndezur me debate mediatike e politike. “Italia është e pamundur të qeveriset”, “Italia në krizë ekonomike e mbi të gjitha në krizë politike”, “Italia po shembet” etj., etj. shkruajnë e analizojnë politikë e gazetarë të botës. “Ç’do të ndodhë me ne, me ligjet, reformat e nisura, institucionet e instaluara, me të ardhmen civilo-sociale të fëmijëve tanë?”, – pyesin emigrantët. Çdo qeveri sjell një ministër të ri, direktiva të reja partiake, një institucion të ri siç qe ky i fundit ngritur nga qeveria e Lettës, Ministria e Integrimit, në krye me Cecyle Keyenge, të parën ministre të huaj në historinë Italiane. “Ne s’mund të votojmë, nuk kemi asnjë zë në proceset legjislativo-organizativo të këtij shteti – vazhdon arsyetimi i tyre – edhe pse këtij shteti i paguajmë çdo ditë taksat, kontribuojmë në PPB e një ekonomie që mendimi ynë nuk i intereson. Ne jo – asgjë, por fëmijët tanë? Janë brezi i dytë i emigrantëve, ata që flasin e këndojnë ne dialektet e këtij shteti. Kush ka lindur këtu, kush ka ardhur me muaj, me pak vite jetë. Me ta ç’do të ndodhë? Biologjikisht në Itali, juridikisht pa shtet.

Italia ia doli, ndryshe nga ajo çka agjencitë ndërkombëtare kishin anonçuar, qeveria e re u krijua brenda kësaj jave, në linjë të plotë me një nga pikat e forcës së Kryeministrit të ri, që është shpejtësia. Nisi qeveria Renzi 1, më datë 22 shkurt 2014. Një qeveri elegante me pak ministra, vetëm 16 e ndoshta nga të vetmet në Evropë. Një qeveri gjysma e së cilës janë femra e po ky fakt një nga më të rrallët në Evropë. Një qeveri me një Kryeministër 39-vjeçar, Matteo Renzi, lideri më i ri i Evropës, me një staf po të ri në moshë, kurrë s’kishte ndodhur më parë. “Chapeau!” – z. Kryeministër e të mendosh se vetëm pak javë më parë qe në garë për t’u bërë sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike. Pa zgjedhje elektorale, veç me ambicien e një të riu demokristian, me pushtetin partiak e me mbështetjen e kryesisë së Partisë së tij mundi të detyronte në dorëheqje një Kryeministër, pjesë e rëndësishme e po Partisë së tij. Italia ia doli, Renzi ia doli!

Gjendem në ambientet e ndërtesës së Quirinale-s, selia presidenciale e Presidentit të Republikës Giorgio Napolitano, pranë mediave vendase e të huaja. Jemi në pritje të qeverisë së re. Ora 11:30, salloni i festave i Qurinale-s, nis betimi i 16 ministrave e kryeministrit Matteo Renzi. “Betohen t’i jenë besnikë Kushtetutës Italiane. Janë të gjithë afashinantë, të freskët, të emocionuar. Reporter, fotografë, gazetarë të eksituar mbi shpejtësinë e përcjelljes së lajmit. 16 ministra e 16 institucione, si pjesë e komunitetit të atyre 500 mijë emigrantëve shqiptarë që kanë zgjedhur këtë shtet për të kaluar jetën e tyre ndiej se këtij stafi i mungon qysh në nisje realiteti i vendit të tyre. Mungon Cecyle Keyenge, institucioni i saj, Ministria e Emigracionit dhe Integrimit, por mbi gjithçka mungon modernizmi me të cilin kjo ministre, shembull i një emigranteje që ia doli të ulej e të qeveriste një shtet evropian, kishte nisur të përballonte e të zgjidhte problematikat dhe politikat e emigracionit të një vendi me administratë kaq të vjetruar e një burokraci shpirtmarrëse. Lamtumirë reforma e nënshtetësisë! Lamtumirë e drejta për të votuar! Lamtumirë integrimi ynë në këtë vend të Bashkimit Evropian që kërkon e pretendon proces integrimi nga atdheu ynë!

Gazetarë reporterë, fotografë e bashkë me ta dhe unë shpejtojmë për t’u zhvendosur në Palazzo Chigi – selia e Kryeministrisë. Në sallën Galeoni të saj, aty ku pak javë më parë Kryeministri shqiptarë Edi Rama e ish-kryeministri Letta shtrëngonin duart, nis një tjetër ceremoni, ajo e shkëmbimit të këmbanave. Mjaft ftohtë Enrico Letta, tingëllon për herë të fundit këmbanat e vogla në duart e tij e dorëzon stafetën. Kryeministri Renzi pozon për ne e më pas të gjithë në punë. Gazetarët drejt redaksive e qeveria Renzi 1 nis mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, me 16 ministrat e rinj e pa një ministri, atë të Integrimit. Por vjen në ndihmë zyra e shtypit të Palazzo Chigi politikat me emigracionit do t’i mbulojnë tri ministri: Ministria e Punës, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme.

Një hap prapa si dikur, dy dekada më parë, kur ky shtet emigrantët i numëronte me gishta. A thua do ketë kohë Ministria e Punës të zgjidhë hallet e emigrantëve me fëmijë që po mbushin apo i kanë mbushur moshën madhore e janë të detyruar të rinisin procedurat e lejeqëndrimit si një emigranti i ri, edhe pse kanë lindur e janë rritur në këtë tokë e që e konsiderojnë shtëpitë e tyre? A thua vallë të ketë kohë kjo ministri kur papunësia e popullsisë italiane momentalisht është nga ma të lartat në Evropë, menjëherë pas Greqisë? Këtë karrige në qeverinë e tij Kryeministri Renzi ia ka dorëzuar një komunisti, sekretarit federal të Partisë Komuniste italiane të Imolas, Giuliano Poletti, 53-vjeçar. Atij e stafit të tij detyra për të hartuar projekte punësimi e integrimi për emigrantët e për minorenët e pashoqëruar.

Zyra e shtypit e Kryeministrisë së re italiane informon se politikat e emigracionit do t’i mbulojë dhe Ministria e Brendshme, ne krye të së cilës është po ai, Angelino Alfano, i njëjti ministër i qeverisë së mëparshme, përfaqësues i së djathtës italiane të ndarë më dysh pas mosmarrëveshjeve me Berlusconin, babain e tij politik. E djathta italiane që do të kujdeset për tërë burokracinë e rregullt të emigracionit, do të administrojë riatdhesimet apo famëkeqet qendrat e identifikim-përjashtimit (të konsideruar nga bota si burgje për emigrantët). Këtë ministri bashke me këtë shtesë pune për të zgjidhur hallet e emigracionit, qeveria Renzi 1 ka zgjedhur t’ia japë në dorëzim së djathtës italiane, e ish-delfinit të Berlusconit, Angelino Alfano.

Po zyra e shtypit e Kryeministrisë: Renzi konfirmon se rrjetin e lidhjes me konsullatat e raportet me vendet e origjinës, do t’i mbulojë për emigrantët edhe Ministria e Jashtme, me kryediplomaten Federica Mogherini, deputete e Partisë Demokratike, përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë të së majtës italiane.

“In bocca al lupo!” Ky urim kaq i dashur e skaramantik për këdo që jeton në shtetin italian, sa herë që vihen nën një provë të vështirë nuk ka si mos t’i kërkon detyrimisht përgjigjen: “Crepi lupo!” (Në gojë të ujkut e ujku le të vdesë).

“In bocca al lupo” emigrantë të vendit përballë Adriatikut, tokës së Michelangelos e Verdit, Dantes e Da Vincit, por edhe për vendstrehimin e rreth 500 mijë shqiptarëve, emigrantë të djeshëm e të sotëm që së bashku me mijëra e mijëra qytetarë të tjerë të huaj që jetojnë e punojnë në këtë shtet vuajnë ndër të parët turbullirat politike, ekonomiko-institucionale të një shteti që prej më shumë se dy vitesh nuk po gjen paqe.

“In bocca al lupo” qeveria Renzi 1!

 

Përbërja e qeverisë italiane:

 

Kryeministër Matteo Renzi 39 vjeç

Nënsekretari i Kryeministrisë Graziaon Delrio 50 vjeç

Ministër i Ekonomisë PerCarlo Padoan 64 vjeç

Ministër i Brendshëm Angleno Alfano 44 vjeç (post i rikonfirmuar nga qeveria Letta)

Ministër i Jashtëm Federica Mogherini 41 vjeç

Ministër i Drejtësisë Andrea Orlando 45 vjeç

Ministër i Mbrojtjes Roberta Pinotti 53 vjeç

Ministër e Zhvillimit Ekonomik Federica Guidi 51 vjeç

Ministër i Shëndetit Beatrice Lorenzin 42 vjeç (post i rikonfirmuar nga qeveria Letta)

Ministër i Bujqësisë Maurizio Martina 36 vjeç

Ministër i Ambientit Gianluca Galleti 53 vjeç

Ministër i Punës e Çështjeve Sociale Giuliano Poletti 63 vjeç

Ministër i Arsimit Stefania Giannini 54 vjeç

Ministër i Kulturës Dario Franceschini 56 vjeç

Ministër për Reformat e për Marrëdhëniet me Parlamentin Maria Elena Boschi 33 vjeç

Ministër për Administratën Marianna Madia 34 vjeç

Ministër për Çështjet Rajonale Maria Carmela Lanzetta 59 vjeç

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency